Home KRYESORE “Mungojnë në përgjithësi pozitiviteti ndaj mjekut, në media

“Mungojnë në përgjithësi pozitiviteti ndaj mjekut, në media

Bisedoi per “Pro Pacientit”, Denisa Canameti

“Mungojnë në përgjithësi pozitiviteti ndaj mjekut, në media. Ne ndjejmë më tepër presion kritikash, negativizmi . Kur gjejmë një grimë pozitivitet kënaqemi sepse i duhet mjekëve, i duhet pacientëve sepse fitojnë besim te mjekët”.

Prof. dr. Arvin Dibra, mjek pranë Shërbimit të Kirurgjisë së Përgjithshme në QSUT, në një intervistë për gazetën “Shëndet plus”, flet lidhur me bilancet e 2018-s, sfidat e punës brenda sallës së operacionit, rastet e suksesit, ndërhyrjet e rralla, ambiciet profesionale të një shërbimi që synon standardet më të larta për pacientët e vet. Intervista nis natyrshëm, jashtë çdo “skenari” me marrëdhënien e mjekut me median, dhe rolin që kjo e fundit ka për krijimin e një fryme pozitive.

Doktor , a besoni se media ka një kontribut tek kjo fryma që është krijuar te mjeket dhe për mjekët? Kujtojmë që vitin e fundit, ky profesion ka prodhuar shumë lajme…

Mendoj se media ka rol, me siguri. Një lajm negativ bën më shumë lajm për median, sesa një lajm pozitiv. Sepse është kollaj i shpërndarë, më kollaj i shitshëm, ndërsa pozitiviteti është diçka që kalon relativisht shpejt. Mjekët kanë nevojë për pozitivitet. Mbetem idealist, por mendoj se sidomos pacientët kanë nevojë që të krijojnë një besim tek mjekët që kanë. Edhe nëse e humbim besimin tek ata mjekë që kemi, pjesa më e madhe e pacientëve tanë këta kanë, nuk kanë të tjerë.

Për pasojë ose marrin më të mirën e tyre ose nuk kanë për të marrë asgjë dhe thjesht do të dëshpërohen.

Cilat janë lajmet positive që duhet të ishin shkruar në vitin 2018-n për shërbimin tuaj…

Përveç rasteve individuale të zgjidhura mirë dhe me jetë të shpëtuara, klinika në 2018-n ka bërë hapa cilësor, që janë më të kuptueshme për një mjek kur i bën, sesa për pacientin. Në klinikë janë bërë ndërhyrje madhore në mëlçi. Gjëra që bëhen rrallë, por janë bërë dhe janë bërë me sukses.

Pacientët kanë shpëtuar pasi është ndërhyrë dhe janë trajtuar, duke marrë një trajtim cilësor siç do merrej dhe jashtë.

Janë bërë ndërhyrje në ezofag me cilësi të lartë dhe janë ndërhyrje të një kompleksiteti shumë të lartë dhe jo kudo bëhen dhe nëpër botë. Në klinikë (i është bërë njëfarë reklamimi por në
opinionin tim relativisht të vogël) kemi patur një hap cilësor në zgjerimin e llojeve të ndërhyrjeve që bëjmë me teknikën e laparoskopisë.

Janë bërë ndërhyrje, heqje të tumoreve të zorrës së trashë me laparoskopi. Është bërë i pari në prill dhe deri tani, pardje kemi bërë rastin e 13 me kancer të rektumit me laparoskopi. Ndërhyrje në mëlçi po ashtu me laparoskopi. Para një muaji është bërë ndërhyrja e tretë e heqjes së një
kisti të mëlçinë me laparoskopi.

Janë të gjitha elementë të një kompleksiteti të lartë që edhe në botë janë teknika bashkohore. Probabilisht në botë ka rreth një 10-vjeçar që bëhen, këtu tek ne me mbërritjen e disa mjeteve teknike pa të cilat do të ishte i pamundur realizimi, jemi përpjekur dhe kemi realizuar me sukses këto ndërhyrje. Dëshira për të zgjeruar akoma gamën e atyre llojeve të ndërhyrjeve është diçka që duam të bëjmë, besojmë tashmë që kemi kapacitetin.

Kompleksiteti i operacioneve të tilla, kërkojnë një lloj sinergjie midis shumë gjerave, nuk varet vetëm nga mjeku dhe nga disa aparatura. Në përgjithësi klinika sa e pregatitur ka qenë që ju si mjek kur futeni në një sallë operacioni të jeni të sigurt?

Me kalimin e kohës unë dhe në përgjithësi me stafin e klinikës (se nuk dua të flas për veten, nuk do kisha qënë i zoti të bëja asgjë vetë pa patur mbështetjen e kolegëve të klinikës) kemi kuptuar se nëse presim që shëndetësia, politikat shëndetësore, administrata, do na tërheqi të bëjmë gjërat e reja, ato gjërat e reja s’kemi për t’i bërë kurrë.

Rruga që kemi zgjedhur dhe tek e cila po shohim një produkt ka qënë ajo e impenjimit personal e vënies në një farë mënyre në dispozicion të risive të vetëvetës për t’i realizuar për të treguar që mund t’i bëjmë. Në vazhdimësi kemi patur dhe një mbështetje e cila ka bërë që këto rastet fillimisht të bëra si të para të mos jenë të vetmet por të fillojnë të bëhen të vjetra dhe të shpresojmë që do të jenë gjithnjë më tepër.

Cila është marrëdhënia juaj me pacientin? Me sa besim vinë këtu dhe me sa besim dalin
nga këtu?

Ndryshojnë pacientët nga pacientët! Fatmirësisht, shumica e tyre vijnë me njëfarë besimi. Në shëndetësi dhe sidomos në kirurgji jo gjithçka shkon gjithmonë mirë. Për pasojë edhe mbarëvajtja e një ndërhyrje apo problematikat e një ndërhyrjeje, pjesërisht kushtëzojnë edhe raportin dhe ndjesinë që pacienti ka ndaj mjekut dhe për rrjedhojë ndaj meje, ku njëfarë impenjimi në nivel personal shërben dhe për t’a përmirësuar në maksimum këtë raport. Është e pamundur që të kesh një raport të shkëlqyer me këdo por përpiqesh që ta kesh sa më tepër, me sa më shumë pacientë.

Sa vite keni që punoni në QSUT?

Unë në QSUT punoj prej 15 vjetësh që kur jam kthyer në Shqipëri. Kam mbaruar studimet e larta dhe studimet e specializimit për 11-vjet në Itali. Në 2003-n jam kthyer në Shqipëri dhe që nga Dhjetori i 2003 kam filluar punë në QSUT, fillimisht si mjek dhe që nga 2010 jam gjithashtu pedagog i brenshëm në Fakultetin e Mjekësisë.

Sa i motivuar ndjeheni që vini nga një realitet Italian në një realitet Shqiptar, pavarësisht që jemi afër dhe gjeografikisht jemi pak larg në politika?

Të them të drejtën është një pyetje të vështirë që do më duhet kohë për t’u përgjigjur por në kompleks ndjesitë janë të alternuara. Mundësia për të bërë shumë punë motivon, edhe kirurgun e motivon shumë. Vështirësitë që hasen herë pas here janë të natyrave të ndryshme, japin edhe momente demotivimi por që fatmirësisht kompleksohen, në përgjithësi unë përpiqem dhe mendoj që ja dal të shoh jetën time profesionale pozitivisht sepse me këtë pozitivitet përveç kënaqësisë që ndjej mendoj atë që kam arritur, rezultate të mira.

Mendoni se do ta mbyllni jetën tuaj profesionale në QSUT në Shqipëri, mjafton vetëm optimizmi juaj?

Unë mendoj se nuk do të rresht kurrë së punuari që kjo frymë që është sot të ndryshojë, të përmirësohet dhe për pasojë edhe unë ta mbyll jetën time profesionale në QSUT dhe në Shqipëri. Nuk besoj se do të pushoj së tentuari!

Kjo për ju, për pacientët apo për sistemin?

Kjo për të gjitha! Mund të them që unë nuk udhëhiqem vetëm nga reagimi i pacientëve, unë mendoj si për pacientët, si për profesionin dhe për veten dhe familjen time. Gjykoj që të gjithë duhet të bëjmë më shumë që cilësinë e jetës që ne kemi këtu të rritet progresivisht në të gjitha drejtimet, në mënyrë që të jetojmë në këtë vend që gjykoj që më pak sforco do ishte shumë më i mirë.

Cila është marrëdhënia me studentët dhe sa të motivuar mund t’i gjeni ju ata?

Studentët janë jashtëzakonisht të motivuar dhe në marrëdhënie me studentët është në momentet e problemeve shpëtuese do të thoja për pedagogun. Në jetën e një mjeku dhe në jetën e një kirurgu ka shumë momente në të cilat mërzia, problemi mundet me të kaplu dhe pozitiviteti që të gjenerojnë studentët, shpresa që sheh në sytë e studentëve është rigjeneruese dhe për pedagogun.

Për pasojë, sado që ne si pedagogë dhe unë t’i jap studentëve, jam i bindur që po ashtu dhe unë marr nga studentët energji positive, marr nga studentët atë idealizmin pa të cilën është e
pamundur të vazhdosh të punosh në këtë profesion .

Thatë nëpër rreshta që gjeni motivim, pozitivitet … Kaq shumë ritëm sa ka ky profesion, natyrshëm më vjen t’ju pyes: A kanë jetë kirurgët?

Po, patjetër që po. Kanë jetë kirurgët! Profesioni kushtëzon jetën në mënyrë të jashtëzakonshme por jeta e kirurgut është një jetë e bukur në formën e saj.

Çfarë duhet të sakrifikoni ju që të rrini në këto standarte që jeni, me ambicien që ju keni që të zhvilloheni sa më shumë?

Besoj se kirurgu nuk e sheh shumë si sakrificë. Unë më tepër shqetësohem për sakrificën që duhet të bëjnë njerëzit e mi të afërt, që duhet të bëjë familja. Për sakrificat e mëdha që ka bërë në të shkuarën dhe që është e destinuar që të bëjë dhe në të ardhmen familja e një mjeku dhe një kirurgu. Sakrificat fillojnë nga formimi dhe janë sakrifica kohe, mundi, sakrifica kostosh ekonomike të cilat vazhdojnë dhe besoj që përfundojnë kur kirurgu del në pension.

Cili është operacioni më i gjatë, që keni ndejtur më gjatë në sallën e operacionit?

Operacioni më i gjatë në sallën e operacionit ka qënë para pak kohe, kam qëndruar rreth 9 orë e gjysëm, në një ndërhyrje që po bënim me disa koleg në Itali dhe që ishte heqja njëkohësisht e dy tumoreve të zorrës së trashë dhe 2 metastaza në mëlçin e një pacienti me laparoskopi.

Sa është numri i ndërhyrjeve, që ju keni bërë për 2018-n?

Pas pak ditësh, është koha kur ne bëjmë analizën vjetore dhe duhet t’i numrojmë. Personalisht duhet të jenë rreth 200.

200 operacione në vit janë shumë?

Po 200 operacione në vit, janë shumë. Ka kirurg që bëjnë më shumë, ka kirurg që bëjnë më pak janë për natyrën e operacionit që mund të bëj.

Si ka qënë ecuria e tyre?

Në përgjithësisht ka qënë e mirë me thënë të drejtën. Viti 2018 ka qënë një vit pozitiv në të cilin nuk kujtoj drama të mëdha dhe për pasojë e konsideroj të mirë.

Gjatë periudhës së Krishtlindjeve keni patur një rast shumë të vështirë, pacientët thonë se bëtë mrekullinë. Në fakt, për çfarë bëhet fjalë? Di që pacienti është shumë mirë, sigurisht me rrisqet e veta por është në shtëpi.

Do të doja shumë që gjatë transkriptimit të intervistës të nënvizoni faktin që nuk bëri doktor Arvin Dibra mrekullinë por një ekip i disa mjekëve.

Trajtuam një paciente shumë të vështirë e cila kishte shumë më tepër mundësi që të humbej se sa të fitohej: Dhe, e fituam. Rasti është një traumë e ezofagut në nivelin torakal, në nivelin e gjoksit.

Një traumë e realizuar nga diçka që pacientja kishte gëlltitur dhe që kishte çarë ezofagun. Një situatë e komplikuar dhe deri këtu!

Situata komplikohej akoma më tepër sepse pacientja kishte qëndruar 3 ditë pa e kuptuar që kishte pasur një problem të këtij niveli dhe këto 3 ditë kishin shërbyer që infeksioni goxha serioz të ishte instaluar tashmë në mediastinë, në gjoksin e pacientes, kështu që erdhi në vëmendjen e mjekëve një gjendje goxha e rëndë dhe për pasojë shanset që kishte pacientia do ishin akoma më të vogla. Ishte një paciente që kur natën erdhi u trajtua fillimisht me një ndërhyrje të parë nga kolegët që ishin ekip roje, ku i dhanë një ndihmë të madhe fillestare për t’i dhënë një drejtim pozitiv infeksionit torakal. Ndërkohë që tentativat e natës për të hequr këtë trupin e huaj që kishte ngelur në ezofag kishin dështuar! Të nesërmen unë u angazhova personalisht, në tentativë për të hequr kete trup të huaj nga ezofagu me endoskopi fleksibël. Nuk arritëm ta realizonim.

Me një aparat ndryshe disi më invaziv për pacienten u hoq trupi i huaj nga ezofagu. Më pas pacientia ju nënshtrua një tjetër ndërhyrje të gjatë në 2 drejtime: një ndërhyrje për të përjashtuar pjesën e dëmtuar të ezofagut nga sekrecionet e sipërme dhe u ndërhy në ezofagun e qafës dhe një ndërhyrje tjetër në abdomen për të realizuar mundësinë që pacientja të ushqehej pa përdorur organin dhe kjo ishte kompleksi i ndërhyrjes. Pacientia pati disa ditë qëndrimi në reaminacion ku u trajtua dhe pati një ecuri shumë pozitive. Më pas kaloi në pavion ku avash avash filluan proçedurat për fillimin e shërimit të plagës së ezofagut dhe më pas për të filluar të ushqyerin dhe procedurat teknike që ndoshta janë pak të hollsishme për t’u përshkruar. Rezultati është që dje pas 23-24 ditë qëndrimi në spital ka vajtur vetë në shtëpi (me këmbët e veta) dhe ka qënë një
kënaqësi shumë e madhe.

Fakti që ka më shumë kirurgë meshkuj sesa femra, a lidhet me këtë shkallë vështirësie dhe me këtë lloj presioni që ju keni në sallën e operacionit?

Historia flet për shumë gra kirurge të shkëlqyera, kemi edhe nderin që të punojmë me disa prej tyre dhe aktualisht. Kështu që nuk është një ekskluziv mashkullor kirurgjia. Madje, në përgjithësi, mjekësia bëhet ndër vite gjithnjë e më femërore për pasojë dhe në kirurgji gjithë femrat janë duke u shtuar shumë dhe kjo është diçka pozitive.

E fundit: Në momentin që futeni një sallë operacioni familjarët lusin Zotin.. Po ju, çfarë mendoni?

Në përgjithësi, kur futemi në një sallë operacioni mendja jonë është e përqëndruar për të krijuar një strategji veprimi, për të krijuar mundësinë për të përballuar çdo të papritur që ndodh gjatë ndërhyrjes, për t’u përpjekur me e nxjerrë një ndërhyrje sa më cilësore, me e nxjerrë pacientin në kushte sa më të mira, gjithmonë me shpresën që Zoti është diku aty dhe po na ndihmon.

Kirurgjia me siguri ka shumë komponent zotësie, por ka dhe shumë komponent fati./Pro Pacientit

Share: