“Miq të mirë, edhe në kohë të vështirë”. Me këto radhë ish-kryebashkiaku i Vlorës Shpëtim Gjika ka shoqëruar postimin e një fotoje ku ka dalë bashkë me ish-ministrin socialist Saimir Tahiri disa kohë më parë.
Ky postim vjen vetëm pak orë pasi Gjykata për Krime të Rënda pranoi kërkesën e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri që prokuroria të vendosë deri më 10 mars nëse do kalojë në gjykim, apo do të mbyllen hetimet.
Ndonëse me diferencë moshe, Tahiri dhe Gjika kanë disa pika të përbashkëta. E para që të dy janë shumë të lidhur me bazën socialiste, ku kanë një ndikim ende. Së dyti, si Gjika edhe Tahiri kanë pasur çështje të hapura me drejtësinë.
Së treti, ndonëse kanë qenë njerëzit që kanë prodhuar vota për PS, kanë pasur një marrëdhënie tepër të vështirë dhe delikate me Ramën.
Nëse do e fillonim analizën nga Shpëtim Gjika, rezulton se ai në shkurt të vitit 2015, kur ishte në kulmin e tij si kryetar i Bashkisë së Vlorës, u arrestua dhe ndaj tij nisi një proces i gjatë me akuzën për shpërdorim detyre. Pavarësisht padive, shumë kush në PS mendonte se ndaj Gjikës kishte nisur një “persekutim” politik, jo dhe aq për shkak të detyrës, sesa zhvillimeve të brendshme në selinë rozë. Ishin të shumtë ata që e lidhin këtë sulm ndaj Gjikës me ngritjen politike të deputetit të Vlorës, Koço Kokëdhima. Mes Gjikës dhe Kokëdhimës marrëdhëniet nuk kishin qenë asnjëherë të mira dhe nuk mungonin as përplasjet e ashpra publike për drejtimin e partisë në Vlorë. Por veç Kokëdhimës, socialisti 24 –karatësh Shpëtim Gjika indirekt nuk i kurseu dhe kritikat ndaj kryeministrit Edi Rama.
Por duke parë zhvillimet në PS, lëvizjet politike të Koço Kokëdhimës dhe fuqizimin e partive të tjera në Vlorë, Edi Rama vendosi që ta rikthente sërish shpëtim Gjikën në krye të strukturave në Vlorë, ndihmuar edhe nga mbyllja e çështjes gjyqësore. Mësohet se pas disa takimeve konsultuese me kryetarin e partisë, Edi Rama dhe drejtuesit politik të qarkut Vlorë, Damian Gjiknuri, ish-kryetarit Gjika iu besua në atë kohë detyra e koordinatorit politik, kryesisht për zonat rurale të Vlorës.
Edhe historia e Tahirit ka pasur pak a shumë të njëjtin rrugëtim. Kur ishte në kulmin e tij si ministër i Brendshëm dhe filloi të përflitej si një nga dy kandidatët e mundshëm për të pasuar Ramën në PS, plasi skandali me “Habilajt” ku prokuroria ngriti dyshime se i përfshirë në trafik ishte edhe Tahairi. Tahiri do të zhvishej edhe nga funksionet politike, sikurse ishte detyra e Kryetarit të PS për Tiranën, ndërsa goditja më e madhe do të ishte largimi nga PS dhe dorëzimi i mandatit të deputetit. Për pak kohë Tahiri do të ishte edhe në arrest shtëpie, duke qenë shumë pranë arrestimitnë qeli.
Por ashtu si në rastin e Gjikës, edhe për Tahirin gjërat ndryshuan. Teksa Antimafia italiane e nxori të pafajshëm Tahirin, reagoi në dhjetor vetë Rama. Edhe pse e cilëson ende jo pjesë të PS, ai i doli në mbrojtje duke dhënë sinjale reflektimi. “Teksa u pyet për faktin nëse Tahiri do të rikthehet në PS nëse autoritetet italiane e shpallin të pafajshëm, Rama do të shprehej se “Kam vetëm një përgjigje për ju; kërkojini falje për ça i bëtë, pasi jua dhanë juve faktet ata dy të zullumit, që mbushët dynjanë me lajme. Kërkojini falje pastaj shohim të tjerat. Kërkojini falje pasi Antimafia Italiane dhe prokuroria e Katanias i shkoi në fund atij hetimi dhe iu nxirri fillin atyre muhabeteve se ato përgjigje ishin kazan. E tha Prokuroria Katanias dhe jo unë. Për atë kazan ju kërkuat llogari që pse nuk i hoqëm imunitetin. Deri në fund drejtësia s’ka thënë fjalën e fundit. Tahiri nuk është pjesë e familjes tonë politike”, pohoi kryeministri. / tirananews.al