Home KRYESORE Të varfërit postmaterialistë dhe arsyeja pse Blushi nuk fiton dot?

Të varfërit postmaterialistë dhe arsyeja pse Blushi nuk fiton dot?

Nga Besart Kadia

Nuk mundem kurrsesi që vizitën që kreva këtë fundjavë në qytezën e Përrenjasit, ta përgjithësoj dhe të shfrytëzoj hapësirën e dhënë në këtë gazetë, për të dhënë impresionet personale mbi varfërinë në këtë qytet apo Shqipëri. Gjithashtu nuk është ai lloj shkrimi i përjavshëm ku shkruaj për statistika e përqindje të varfërisë në vend, e politika ekonomike e rekomandime të Bankës Botërore për këtë çështje.

Përrenjasi është qytet i varfër ku jetojnë më pak njerëz seç vizitojnë TEG-un në një ditë. Ku ka më pak para e ekonomi se QTU-ja në një ditë. Aty sheh sesi shtytja apo impulsi i fortë që i dha shoqërisë viti i parë i demokracisë shqiptare vazhdon dhe e mban këtë shoqëri nën inercinë e tranzicionit pa kërkuar përmirësim të kushteve të veta ekonomike, sociale e kulturore.

Dukej qartë se qytetarët në këtë vend, kishin pak interesa për t’u vetorganizuar për të përmirësuar ekonomikisht e për t’u përfaqësuar politikisht ndryshe. Gjithashtu dukeshin pak shenjat e Kryeministrit Rama për mbi 100 mijë vende të reja pune e për Rilindje ekonomike, por kjo pak i shqetësonte. Diskutimet në pazar vërtiteshin deri te opsioni që jeta ishte më e mirë në diktaturën e Enver Hoxhës. Dhe me këtë nostalgji në mendje, thoshin se të paktën tani po vendoset shtet! Ndërkohë një person tjetër i kishte lënë shtëpinë lart në mal në kolateral bankës, për të shlyer detyrimet e prapambetura të energjisë elektrike. Një ndër kostot e të bërit shtet në këto anë të varfra, të pashoqëruara me masa kompensuese sociale. Por dhe kjo s’përbënte problem.

Pavarësisht kësaj, duket sikur po të përdoret në diskutim publik “çështja varfëri” nuk do të përfaqësohet dot në Parlament. Adresimi i këtij problemi, duket sikur çuditërisht nuk konvertohet në vota. Kjo mund të vijë për shkak të ndryshimeve kulturore që kanë ndodhur në elektorat, jo vetëm në Shqipëri, por kudo në botë.

Në një logjikë të thjeshtë duke qenë se ekonomia shqiptare kishte nevojë jetike për rrugë të reja, duhej të ndodhte që ajo forcë politike që ndërtoi më shumë rrugë në vitet 2005-2013 sesa në 100 vitet e fundit, të qëndronte në pushtet. Gjithashtu rritja e pensioneve dhe pagës minimale, duhej të përkthehej në besim të elektoratit për mandat tjetër për këtë forcë politike. Por dhe kjo nuk ndodhi. Për t’i dhënë përgjigje kësaj kontradikte në një shtet të varfër, besoj se na ndihmon filozofi britanik Roger Scruton, i cili thotë se Konservatorët (të djathtët), janë ata persona që e dinë se kanë trashëguar diçka të mirë: një rend social, një sistem politik apo traditë ligjore dhe janë të gatshëm ta mbrojnë atë. Nga ana tjetër, duke qenë se të jesh kundra diçkaje, është më e lehtë se të mbrosh diçka, e majta e ka më të lehtë të marrë pushtet edhe kur nuk jep alternativa. Besoj se mbahet mend kryeministri Rama në fjalimet e tij se “në 25 vjet në Shqipëri është bërë katrahurë, asgjë por vetëm shkatërrim”.

Shqipëria ka qenë një ndër vendet më të varfra të Europës para dy dekadash, vazhdon të mbetet pavarësisht përmirësimeve cilësore që ka bërë. Por varfëria e ka shoqëruar këtë proces tranzicioni dhe gjasat janë që kjo çështje do të mbetet në politikën shqiptare për dekadat në vijim. Ben Blushi po e thekson këtë çështje dhe po e bën pjesë të fushatës për ta detyruar partinë e tij Socialiste që t’i kushtojë më shumë vëmendje kauzës së saj natyrale e ideologjike. Por ndoshta pikërisht për këtë arsye as ai nuk do të mund të shpërblehet.

Kjo çështje është trajtuar gjerësisht dhe në numrin e fundit të revistës “The Foreign Policy”, e cila thekson sesi hendeku mes klasave të ndryshme brenda shteteve, do t’i japë formë politikës në të ardhmen. Por ndryshe nga shekulli i shkuar, kur e majta përfaqësonte klasën punëtore dhe e djathta shtresën e mesme, sot ndryshimi në shoqëri pritet të vijë për arsye jo-ekonomike dhe debatet më të nxehta janë post-materialiste (transformimi i vlerave personale nga ato fizike e ekonomike, në vlera të reja të pavarura që mundësojnë shprehjen e vetvetes).

Këto ndryshime shprehen në një dimension të dytë, ku partitë politike tashmë ndahen në përfaqësues të elektoratit post-materialist dhe në polin tjetër të partive autoritare dhe ksenofobe. Vendet e Vishegradit për shembull, në vitet e fundit po përqafojnë fortë partitë ksenofobe dhe autoritare (shembull mund të jetë Hungaria me Orban apo Polonia së fundmi, me ardhjen në pushtet të partisë Ligj dhe Drejtësi). Vala tjetër në vendet e Europës Jugore, si përqafimi i Syrizas në Greqi apo i partisë Citizens në Spanjë, e Cinque Stelle në Itali janë qartazi lëvizje të një elektorati mosbesues ndaj politikës “së vjetër” dhe që kërkon ndryshime të përfaqësuesve politikë, pavarësisht se janë pa alternativë.

blushi ballaKëto forca sociale, ndikojnë tashmë në përfaqësim politik dhe për këtë arsye në ndryshime të politikave ekonomike. Të varfërit ndoshta s’janë më elektorat që të votëbesojnë. Varfëria për ta nuk ekziston më dhe s’është prioritet. Ata janë postmaterialistë dhe ndaj, Blushi nuk fiton dot dhe kjo është arsyeja përse në Përrenjas do të dominojë Taulant Balla./Mapo.Al

Share: