Home KRYESORE Të korruptosh do të thotë të blesh pushtet në shoqëri

Të korruptosh do të thotë të blesh pushtet në shoqëri

Nga Kasem Seferi

Korrupsioni nuk është dukuri e re. Haset herët në përkufizimet e filozofisë politike klasike te Aristoteli, Monteskjë, Makiaveli, Rusoi, etj, përkufizohet si “degjenerim i institucioneve publike”, domethënë si bastardim i parimeve që janë në themel të një sistemi politik, shfaqur nëpërmjet shpërdorimeve të shumta të drejtësisë dhe pushtetit nga ana e liderëve politikë dhe ekonomikë.

Korrupsioni është shfrytëzimi direkt i pushtetit nga çdo zyrtar i zgjedhur dhe/ose i emëruar për të përfituar privatisht në mënyrë të paligjshme, në të gjitha nivelet e pushtetit politik: në legjislativ, në ekzekutiv, në gjyqësor dhe indirekt në të ashtuquajturin “pushtet i katërt”, ose në media.

Por mbi të gjitha, korrupsioni politik është çdo shkelje që i bëhet besimit që i ka dhënë qytetari çdo zyrtari të zgjedhur dhe/ose të emëruar për të ushtruar një detyrë në shërbim të qytetarëve, ose më saktë çdo pabesi në lidhje me premtimin që zyrtarët e zgjedhur dhe/ose të emëruar u kanë dhënë qytetarëve për të zbatuar vetëm ligjin, rregullat dhe proçedurat në zbatim të tij.

Korrupsioni, si në nivel qendror ashtu dhe nivel vendor, pozon një sfidë serioze për rritjen ekonomike dhe zhvillimin të vendit, sepse ai minon demokracinë dhe qeverisjen e mirë duke shpërfillur ose sabotuar proçeset zyrtare:

 në zgjedhje dhe në organet legjislative zvogëlon përgjegjshmërinë dhe shtrembëron përfaqësimin në hartimin e politikave;
 në sistemin gjyqësor kompromenton sundimin e ligjit dhe korrupsioni në administratën publike rezulton në padrejtësinë e sigurimit të shërbimeve.

Me pak fjalë, korrupsioni në Republikën e Shqipërisë, veçanërisht në qeverisjen Rama 1 dhe 2 ka eroduar kapacitetin institucional të qeverisjes pasi proçedurat nuk janë respektuar, burimet nuk janë shpërndarë në mënyrë transparente dhe zyrtarët janë shitur (kur kanë ofrouar favorizime të padrejta) dhe janë blerë (kur kanë marrë shpërblime, ose dhurata për favorizimet që kanë bërë në mënyrë të padrejtë).

Kësisoj, korrupsioni ka minuar gjithashtu legjitimitetin e qeverisjes, si dhe vlera të tilla demokratike si besimi dhe toleranca.

Rezultat i kësaj dukurie sot janë: (1) rritja e kostos së bizneseve private dhe e kostos së administratës publike; (2) ulja e nivelit të konkurrencës së drejtë në treg; (3) shtrembërimin e zhvillimeve ekonomike në treg; (4) minimin e zhvillimit ekonomik të vendit dhe konkurueshmërisë së tij në raport me tregjet rajonale dhe globale, që ka gjeneruar, gjithashtu, (5) shtrembërime të mëdha ekonomike në sektorin publik; (6) që ka ulur nivelin e zbatimit të legjislacionit të ndërtimit, të mjedisit; (7) që ka zvogëluar cilësinë e infrastrukturës dhe të shërbimeve publike qendrore dhe vendore, si dhe (8) ka rritur presionet për shpenzime buxhetore, duke bërë të mundur largimin e kapitalit nga vendi.

Kur analizohen shkaqet që e lindin dhe influencojnë mbi nivelin e korrupsionit, një vend dhe një rol i veçantë dhe i rëndësishëm i jepet nivelit ekonomik të jetesës, ose sikundër thuhet shpesh në gjuhën e popullit: varfërisë.

NO COMMENT!!!

Para së gjithash, analiza e shkaqeve që e lindin dhe e faktorëve që influencojnë mbi nivelin e korrupsionit, nuk duhet përqëndruar te perceptimi, por te provat, te dëshmitë dhe te vendimet e pakundërshtueshme dhe të zbatueshme të niveleve të ndryshme të pushtetit gjyqësor.

Kontrolli i pamjaftueshëm mbi veprimet negative të qeverisjes është rezultat i:

 një demokracie jofunksionale;
 pamundësisë së monitorimit të qeverisjes nga shoqëria civile dhe organizatat joqeveritare;
 kulturës së pakët të zgjedhësve në lidhje me politikën, veçanërisht, në zgjedhjet mbarëkombëtare, pasi vota e tyre nuk ka shumë peshë;
 moszbatimit të ligjit, pothuajse, në të gjitha nivelet;
 nivelit të pamjaftueshëm të pavarësisë të sistemit të drejtësisë;
 mbrojtjes së pamjaftueshme të kundërshtarëve të qeverisjes;
 mungesës së standarteve të vlerësimit të proçedurave dhe krahasimit të tyre me të ngjashëm në nivele të njëjta, ose të ndryshëm të qeverisjes, në veçanti, krahasimit me ata që bëjnë punën më të mirë.

Mundësi dhe nxitës të korrupsionit kanë qenë:

 veprimet me para në dorë të zyrtarëve të zgjedhur dhe/ose të emëruar;
 centralizimi i fondeve publike dhe jo decentralizimi i tyre;
 pamundësia e mbikqyrjes së investimeve të mëdha publike;
 dhënia me konçesion e pronës shtetërore;
 zyrtarë të paguar në nivele të pamjaftueshme;
 licensat për të bërë biznese të veçanta, që inkurajojnë mitmarrjen dhe kushtet për të bërë marrëveshje;
 qendrimi për një kohë të gjatë në njëjtin vend pune, i cili ka ndihmuar për të fshehur korrupsionin dhe favorizimin (K.S. për arsye se rotacioni i zyrtarëve në pozicione të ndryshme dhe në rrethana të tjera mund të ndihmojë për ta parandaluar këtë faktor);
 fushatat zgjedhore të kushtueshme me shpenzime që i tejkalojnë burimet normale të financimit politik (ndërveprimi më i vogël me zyrtarët zvogëlon mundësitë për korrupsion).

Mosdënimi është shkaku kryesor i korrupsionit.

Pavarësisht trajtimit intensiv në median e shkruar dhe atë elektronike, pavarësisht ligjeve që e dënojnë korrupsionin, pavarësisht bujës në media, verdikti i përbashkët, në thelb, ka mbetur i pandryshuar.

Korrupsioni në Republikën e Shqipërisë ka mbetur një krim i pandëshkuar për shkak të reagimit të dobët shoqëror që e ka sfumuar ashpërsinë e ndëshkimeve.

Kariera e politikanëve të përfshirë në çështje të korrupsionit nuk është cënuar nga akuza për korrupsion, nga diskretitimi publik dhe nga pasojat e ndëshkimit, pa përmendur faktin e ndikimit të korrupsionit në proçesin e përzgjedhjes së kandidaturave në partitë politike, situatë e njëjtë kjo edhe në mjedisin e shoqatave të biznesit.

VITI 2008, VITI MË I MADH I KORRUPSIONIT NË POLITIKË!

ÇFARË DO TË MBJELLËSH, DO TË KORRËSH!

Korrupsioni është një krim, ose një veprim i paligjshëm që mbetet i fshehur në masën e këmbimeve ekonomike të zakonshme, duke i shpëtuar, në këtë mënyrë, çdo damke shoqërore, gjë që ka fuqizuar edhe më shumë amnistinë e tij shoqërore, e cila në rastin më të keq është trajtuar, thjesht, si gabim dhe aspak si një faj i dënueshëm.

Dy janë problemet më të mëdha të korrupsionit:

 i padukshmërisë shoqërore të veprimeve të tij; dhe
 i vullnetit dhe i aftësisë së vërtetë të autoriteteve politike për t’u përfshirë seriozisht në luftën kundër korrupsionit.

Tatimpaguesit, aksionarët, punëmarrësit e Republikës së Shqipërisë, janë entitete abstrakte dhe të paorganizuara që, në të vërtetë, nuk e gjejnë veten si viktima, edhe pse ndikimi financiar i këtyre veprimeve mbi gjendjen e tyre është i qartë.

Prandaj i takon qeverisjes të zejë vendin e këtyre aktorëve të dobët dhe, në emër të tyre, të ndërmarrë veprime parandaluese dhe të luftojë korrupsionin për mbrojtjen e të mirave të përbashkëta.

Marrëveshjet e shumëllojshme në gjirin e aparateve politiko – administrative shkaktojnë vështirësitë e përherëshme të gjykimit midis interesave kontradiktore dhe ndikimit në rritje të interesave ekonomike mbi funksionet publike.

Shembuj të qartë të praktikave korruptive, sikundër del nga dosja 339, janë shitja e votës në këmbim të shumave të parasë në dorë, ose shërbimet e ndryshme, nepotizmi, përfitimi i paligjshëm, administrimi i keq, vështirësitë e kontrollit, kundërshtimi për t’iu bindur masave ndëshkuese, favoritizimi (rekrutime, ose kontrata publike në favor të personave të lidhur) duke mos i respektuar proçedurat si dhe mungesa e kundërveprimit me anë të reformave efektive.

Format më të dukshme të korrupsionit kanë qenë:

 pasurimet vetiake,
 favoritizmi i njerëzve të afërm, ose i personave të lidhur;
 përfitimet e paligjshme të fondeve për qëllime zgjedhore, etj;
 përveç korruptimit të njerëzve ka ekzistuar edhe korruptimi i organizatave qofshin ato parti politike që kërkojnë fonde, qofshin administrata që ndryshojnë orientimin e procedurave të tyre, apo qofshin biznese që përdorin korrupsionin për të arritur objektivat e tyre ekonomike, për arsye se në këtë fushë interesat financiare dhe shpërdorimet në ushtrimin e pushtetit kanë shkuar paralelisht.

Korrupsioni politik në Republikën e Shqipërisë që prej vitit 1992 është parë si shkëmbim i favoreve që kanë bërë elitat politike, ose më saktë, si rezultat i marrëdhënieve të ofertës dhe kërkesës midis elitave politike, administrative dhe aktorëve ekonomiko – financiar, ose forma e fshehtë e këmbimit shoqëror nëpërmjet të cilit mbajtësit e pushtetit politik dhe administrativ e kanë shfrytëzuar pushtetin e tyre vendim – marrës, ose ndikues gjatë një mandati, ose për një periudhë të caktuar në detyrë.

Vetëm kjo e shpjegon arsyen e vërtetë përse natyra e sistemit politiko – administrativ në këto të qeverisjes Rama 2, shihet si lehtësuesi më i madh i veprimtarive korruptive.

Tashmë, thelbi i vemendjes shoqërore është perqendruar mbi korrupsionin politik, ndërkohë që korrupsioni përmban aq shumë aktorë privatë në marrëdhëniet ndërmjet bizneseve, objekt ky gjithashtu i një rëndësie shumë të vogël në trajtimin e dukurisë së korrupsionit në shoqërinë shquiptare që jeton në Republikën e Shqipërisë.

Të gjitha praktikat korruptive janë të pashkëputura nga konfliktet konkurruese dhe nga manovrat që bëhen për të mbajtur tregun nën zotërim.

Ofertat korruptuese të funksioneve politike që bazohen mbi lakminë e drejtuesve, janë të pashkëputura nga kërkesat korruptuese të aktorëve ekonomikë.

Mungesa e stabilitetit makroekonomik, zhvlerësimi i monedhës kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe mosmbledhja e të ardhurave fiskale të parashikuara ka krijuar mundësinë e të fituarit “shpejt” të parasë së pistë.

Shpenzimet në kushtet e një buxheti të pamjaftueshëm (me defiçit të konsiderueshëm) janë orientuar në ato sektorë që kanë premtuar mitmarrjet më të mëdha.

Korrupsioni si sëmundje ngjitëse i ka prekur pothuajse të gjithë, që nga politikanët dhe zyrtarët e korruptuar deri te ata që nuk paguajnë faturat e energjisë elektrike dhe ujit, pa përjashtuar median ku klane të fuqishme (pothuajse të gjitha me natyrë politike) kanë financuar për të diktuar informacionin me të cilin duhet të informohet publiku.

Ajo që i pasqyron direkt mënyrat e ndryshme të manifestimit të korrupsionit është gjendja e ndërmjetme e ekonomisë së vendit e cila nuk ka arritur stadin e plotë të transformimit të saj nga një ekonomi e planifikuar dhe e centralizuar në një ekonomi tregu.

Zakonisht, favorizimet kanë marrë formën e zaptimit monopolist të disa tregjeve, të parpëlqimve në blerjen e të drejtave mbi pronën shtetërore, ose të lejimit për ndërhyrje speciale në pushtetin politik.
Këto veprime kanë dëmtuar përdorimin me efektivitet të kapitalit dhe për pasojë kanë ndikuar në uljen e nivelit jetësor.

Përqendrimi i pushtetit ka çuar në korrupsionin më të madh politik për shkak të statusit të pushtetit monopol të burokratëve dhe, sikundër mund të merret me mend, është i vështirë të luftohet pasi burokratët priren të mbrojnë “rentën/mitmarrjen” e tyre, gjë që ka çuar në nivelin më të ulët të besimit te qytetari dhe, kësisoj, ka ngadalësuar edhe më tej rritjen ekonomike.

Prandaj, duhet ta kuptojë jo vetë Zoti Rama 2 por edhe ata që frymëzohen për një nivel demokratizimi të rritur në Republikën e Shqipërisë se përqendrimi i tanishëm i pushtetit duhet shpërndarë ndërmjet institucioneve demokratike, për t’ia prerë shanset grupeve rentë – kërkuese me anë të mjeteve të liberalizimit të tregut dhe politikave të lira tregtare, përndryshe niveli i lartë i korrupsionit dhe mungesa e besimit te qeveria do të shkatojë revoltë në rritje te qytetarët.

Vendimet e mira dhe të pëlqyshme politike vijnë nga përvoja, por dihet mirë se përvoja më e mirë fitohet nga vendimet e gabuara, që në rastin Rama 2 (jo thjesht si individ Rama), janë përsëritëset më të koqija të tre dekadave në Republikën e Shqipërisë së pas vitit 1990.

Kasem Seferi – ekonomist

Share: