Home KRYESORE Stina e Pestë pothuajse një himn modernizmi

Stina e Pestë pothuajse një himn modernizmi

Nga Jonada Dervishi

Sasho Dimoski ka patur besimin në gjuhën e autorëve të mëdhenj për të na sjellë në formën e një ditari të vërtetat e njeriut duke shpalosur një botë të madhe dashurie dhe pafajësie idilike.

Autori ka zgjedhur dimrin për të hapur faqet e tij si për të dhënë pamjen e dashurisë së ngrohtë dhe besimplote në imazhet e hirta të dimrit duke përsëritur në mënyrë poetike të njëjtën fjali hyrëse. E ndërsa rrëshket midis rreshtave nuk mbetet asgjë tjetër përveçse pohimi se rruga e dashurisë është ajo dhe s’mund të ketë një tjetër.

Sasho është përkujdesur për të treguar hapin e njeriut ashtu siç është në të vërtetë, një hap gati naiv, i pakushtëzuar apo i pasforcuar prej asnjë mendimi hipokrit ashtu siç do të na e kishte ënda të gjithëve për t’u sjellur pranë personit të zemrës apo një miku të vërtetë.

Duke besuar në gjuhën e përkushtimit dhe përkujdesjes kundrejt tjetrit Dimoski e ka patur më të lehtë për të gjetur dashurinë e vërtetë dhe shpeshherë vetveten, e megjithatë autori nuk është ndalur për t’i qëndruar besnik deri në fund të vërtetës së tij duke besuar në ekzistencën e kësaj dashurie.

“Prandaj dhe detet nuk harrohen-sepse me kohën ruajnë mes tyre pikat e ujit, i ruajnë të pandryshuara për brezat që do të vijnë, ashtu sikundër frika më e madhe, ajo e harresës, arrin tek të gjithë me kalimin e kohës.

Vetëm shëmbëlltyrat e deteve mbeten në ndonjë të tashme pasardhëse, ngelen dëshmi e asaj që detet pa pika uji nukjanë veçse një shkretëtirë pa anë e fund, e njëjtë si ajo e cila shtrihet gjatë jetës së atij njeriu që kuptoi se asnjëherë nuk mund ta mundësh vetminë.”

Një gjuhë e tillë poetike e cila ndjek të gjithë romanin të bën të besosh se nuk mund të ekzistojnë realitete të tjera me një tjetër ndjeshmëri. Autori ka patur forcën ta ndjeki rrugëtimin e tij deri në stinën e pestë duke përdorur fjali hyrëse përshkuese tërë dashuri dhe duke lënë veten edhe lexuesin në fund si një thirrje për besim, si një e vërtetë e mundshme që duhet të jetë e mundshme.

“Stina e pestë e vitit” vjen nga Sasho Dimoski nën logon e Ombra GVG

Jonada Dervishi

Share: