Home KRYESORE Kryetarja e gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda është marrë në...

Kryetarja e gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda është marrë në mbrojtje!

Gjyqtarja Saida Dollani, gjithashtu kryetare e gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda është marrë në mbrojtje dhe në ruajtje nga Policia e Shtetit së bashku me anëtarë të familjes së saj.

Sipas Top Channel, dyshohet se gjyqtarja Dollani është kërcënuar nga anëtarë të bandës së Emiliano Shullazit, gjyqi për të cilin që prej muajit janar nuk po zhvillohet, edhe pse në muajin nëntor gjykata e shkallës se parë i shpalli fajtorë dhe i dënoi me 55 vite burgim në total.

Megjithëse në apelin për Krimet e Rënda që prej 21 janarit kanë dështuar tetë procese ndaj Emiliano Shullazit dhe katër bashkë-akuzuarve me të , policia vazhdon të qëndrojë në gatishmëri në ambientet e gjykatës në ditët kur zhvillohen seancat ndaj të dyshuarve si grup kriminal.

Por ndërkohë një tjetër njësi speciale po ruan kryesuesen e trupës që po gjykon që prej muajit prill Emiliano Shullazin, Gilmando Danin, Blerim Shullazin, Endri Qyqen dhe Endri Zelën.
Saida Dollani është marrë në ruajtje , pasi ka dyshime që anëtarë të grupit e kanë kërcënuar. Gjithçka ka nisur në seancën e datës 23 prill në të cilën i pandehuri Blerim Shullazi kërkoi dorëheqjen e zonjës Dollani, që u bë pjesë e gjykimit pas përjashtimit nga vettingu të kryesuesit Fehmi Petku.

Pas kësaj seance ka dyshime thotë një burim se të afërm të gjyqtares janë kërcënuar çka ka sjellë edhe nisjen e hetimeve sekrete nga Prokuroria./ Burimi: Top Channel

Share: