Nga Mentor Kikia
-Vendimi i Kolegjit Zgjedhor, që konfirmon 30 qershorin si datë zgjedhjesh, nuk ka ndryshuar asgjë në axhendën politike. Socialistët janë duke e vazhduar fushatën elektorale, për herë të parë, jo për të fituar, por për të rritur numrin e votuesve. Dhe për herë të parë në një fushtë për zgjedhjet vendore, nuk flitet për kanale, shkolla e rrugë, por për “politikë të madhe”.
Nuk jam i përfshirë shumë nga “makthi” se çdo të ndodhë ditën e dielë. Pakashumë e imagjinoj. Pres një ditë të zhurmshme, me shumë incidente, shumë deklarata shtypi nga selitë e opozitës dhe qeverisë, shumë thirrje ambasadash për qetësi…. Mbi të gjitha, të dielën nuk e shikoj as si fundin e opozitës, as si fundin e qeverisë. Por e shikoj si fillimin e fundit të tranzicionit të politikës më ordinere që ekziston në kontinent dhe fillimin e një “epoke” të një politike më të përgjegjshme.
E pranon apo jo PS, përgjimet e Dibrës na hodhën surratit gjirizin e gjithë politikës shqiptare 30 vjeçare. Edhe ata vetë që bëjnë “sikur s’ka ndodhur gjë” e dinë fare mirë që ato përgjime janë goditja më e fortë që i është dhënë procesit të abuzimit me votën, shantazhit dhe presioneve me vendin e punës, bashkëpunimit dhe banditët dhe “çunat e fortë” të qendrave të votimit, që ka ndikuar aq shumë në formimin e bandave kriminale në 30 vjet.
Pavarësisht nëse e pranojnë apo jo telefonuesit e përgjimeve, pavarësisht përpjekjeve të tyre për të thënë se “nuk është ashtu siç dëgjohet”, nuk ka më nevojë për tjetër gjë për të vënë kujën. Mesaduket, e keqja u derdh rrugëve, sepse, pasi kishte humbur me kohë arsyen, humbi tërësisht edhe frikën. Ata që drejtojnë në PS nuk janë amatorë politikë. Ata e dinë më mire se shumë të tjerë se këto nuk janë zgjedhje normale, e kjo nuk është një fushatë elektorale normale. Pavarësisht sesi, atyre u duhen këto zgjedhje, për të mos themeluar precedentin. Pas 30 qershorit do të fillojë “loja”.
Ndaj pas këtyre përgjimeve, politika shqiptare nuk do të jetë njësoj. Dhe për këtë opozita duhet përshëndetur. Çdo të ndodhë konkretisht pas të dielës? Jam i bindur se këtë nuk e dinë me saktësi as PD e as PS. Por unë besoj realisht se, me apo pa zgjedhje në 30 qershor, politika është futur tashmë në një proces vetëpastrimi. Si do të ndodhë, çfarë rruge do të ndjekë dhe me çfarë kostoje, mendoj se çdo fallxhor do të gabonte në parashikim.