Home KRYESORE Shefja e ONM-së: Duam njerëz në burg, politikanët do e kuptojnë…

Shefja e ONM-së: Duam njerëz në burg, politikanët do e kuptojnë…

Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Politikën e Fqinjësisë dhe negociatave të zgjerimit, Genoveva Ruiz Calavera, deklaroi sot se nuk ka integrim në BE për vendet e Ballkanit Perëndimor pa patur një gjyqësor të pavarur. Ajo ju referua specifikisht reformës në drejtësi në Shqipëri dhe tha gjatë fjalës së saj se kërkohen tregues konkret, madje edhe njerëz në burg.

Shefja e misionit të ONM-së në Tiranë, Calavera, që po asiston ecurinë e reformës në drejtësi, tha se kjo reformë do të garantojë pavarësinë e gjyqësorit për vendin.

“Sepse kjo do të thotë që me këtë proces, që unë besoj se po shkon në drejtimin e duhur, ne do të kemi një gjyqësor të pavarur, Shqipëria do të arrijë në një pozicion fantastik, për të kapur kohën e humbur deri tani”

“Këtë herë kur ne negociojmë anëtarësimin, ne kërkojmë një historik treguesish. Kjo do të thotë që ne duam të shohim që ligjet të zbatohen, duam të shohim njerëzit në burg, asetet e krimit të sekuestrohen dhe ne duam të kemi mjaftueshëm fakte/prova, jo vetëm ligje, për të demonstruar që sistemi është i konsoliduar. Vetëm mund të shpresoj që në Shqipëri, kur sistemi po tronditet, të gjithë politikanët ta kuptojnë vlerën e që ka respektimi dhe mbështetja e kësaj reforme” tha Calavera gjatë fjalës së saj.

Samiti i vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, në Poznan të Polonisë, po mbahet në kuadër të Procesit të Berlinit. Ky i fundit aktualisht po kryesohet nga Polonia.

Ministri i jashtëm polak, Jacek Czputowicz, bëri thirrje për “bashkëpunim më të fuqishëm” midis Bashkimit Evropian dhe gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke thënë se kjo do të ndihmojë në rritjen e “stabilitetit dhe zhvillimit” të rajonit.

“Evropa nuk mund të konsiderohet plotësisht e bashkuar pa Ballkanin Perëndimor, si në aspektin gjeografik ashtu edhe në atë gjeopolitik, dhe një politikë ambicioze e zgjerimit të BE-së është vendimtare”, tha Czputowicz.

Ndërsa zëvendësministri i Jashtëm i Polonisë, Szymon Szynkowski vel Sek u shpreh optimist se pjesëmarrësit në fund të takimit do bien dakord që në tetor të hapen negociatat për anëtarësimin në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Mbledhjes së ministrave të Jashtëm, të Brendshëm dhe të Ekonomisë të vendeve të Ballkanit Perëndimor do tu bashkohen, më 5 korrik, krerët e BE-së, duke përfshirë kancelaren gjermane, Angela Merkel, kryeministren britanike në largim, Theresa May, kryeministrin francez, Edouard Philippe dhe presidentin polak, Andrzej Duda. /Opinion.al

Share: