Home KRYESORE 20 janar, stacioni i ri i Amerikës

20 janar, stacioni i ri i Amerikës

Nga Azem Parllaku

Republikani Donald Trump, i cili do të drejtojë fuqinë më të madhe botërore, i ka sfiduar traditat e vizionit amerikan për botën, ndaj dhe opinioni ndërkombëtar po i ndjek me kujdes përgatitjet e administratës së re amerikane, për të parë, se deri në çfarë mase mund të ndryshojë politika e jashtme e Shtrteve të Bashkuara të Amerikës, nën drejtimin e presidentit të zgjedhur Trump, në vjeshtën e 2016-ës.

Amerika e Trump-it, aktualisht mban monopolin në përhapjen globale të fuqisë së saj ushtarake, ekonomia amerikane nuk ka të barabartë, e kapacitetit të inovacionit teknologjik të saj, nuk i afrohet asnjë shtet tjetër. Janë këto elementët, që Shteteve të Bashkuara të Amerikës u japin peshën politike unike në botë, ndaj dhe vëmendja e analistëve është e përqëndruar, tek aftësitë interpretuese të rolit që, mund dhe duhet të marrë sipas gjasave, Amerika e udhëhequr nga Trump.

Përtej asaj çfarë pjesërisht, e thonë analistët dhe komentatorët e mardhënieve ndërkombëtare, opinioni në tërësi është i vetëdijshëm, pse jo dhe shpreh bindjen se, sistemit ndërkombëtar i duhet një stabilizator, i tillë si Amerika e pas 20 janarit. Edhe pse, armiqësia ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës është rritur, një Amerikë e vetëdijshme për përgjegjësitë e saj, e matur në retorikën presidenciale, e ndjeshme për natyrën e ndërlikuar të kushteve njerëzore, e mikpritëse më shumë se refuzuese në mardhëniet me jashtë, do të jetë një Amerikë, që pjesa më e madhe e botës, do t’a zgjidhte akoma me dëshirë si udhëheqëse globale.

Si sfidues i traditës së vizionit amerikan për botën, presidenti Trump, ka artikuluar sukseset e së kaluarës, ashtu sikurse dhe gabimet e fundit, mbi të cilat ai do të nxjerrë mësimet strategjike, për të rikrijuar kredibilitetin politik dhe legjimitetin e Amerikës së tij. Duke u fokusuar tek kapacitetet e pashfrytëzuara të komunitetit Atlantik, dhe kostove në rritje të kaosit të vazhdueshëm në Lindjen e Mesme, Amerika e Trump-it, do të promovojë politikat që vendosmërisht, e identifikojnë fuqinë amerikane me kauzën e kërkimit universal të dinjitetit njerëzor, një dinjitet që mishëron si lirinë, ashtu dhe demokracinë, por që nënkupton edhe respektin për larmitë kulturore dhe pranon nevojën për të zgjidhur padrejtësitë e qëndrueshme në gjendjen sociale.

Më shumë se kurrë, ambicia e përhapur në të gjithë botën për dinjitetin njerëzor, është sfida kryesore e rrënjosur thellë në fenomenin e rizgjimit politik global. Ky rizgjim është jashtë mase i madh nga pikëpamja sociale, politikisht i radikalizuar, universal në planin gjeografik. Popullsia e pjesës më të madhe të botës në rrugën e zhvillimit, është në trazirë nga pikpamja politike, e vetëdijshme për padrejtësitë sociale dhe e mbushur me mllefe, për shkak të privimeve dhe mungesës së dinjitetit personal. Këto mllefe dhe smira, i kanë kapërcyer kufijtë kombëtarë dhe i vendosin një sfidë si shteteve ekzistuese, ashtu dhe hierarkisë globale, në majë të së cilës ndodhet ende Amerika. Shtete të ndryshëm, drejtues qeverish, pse jo edhe një masë e madhe e njerëzve, duke mos e pëlqyer status quo-në, ofendohen nga të qenët të mobilizuar në sfond, të atyre të cilët ata i perceptojnë si të vetëinteresuar për t’a ruajtur atë.

Rizgjimi i sotëm politik është transnacional në burimet e frymëzimit, për shkak të ndikimit të komunikimit masiv. Pasionet moderne politike populiste, mund të drejtohen kundër një objektivi të largët, në kushtet e mungesës së një doktrine unifikuese. Duke u identifikuar me një ide të dinjitetit njerëzor universal, me kërkesën bazë të respektimit të diversiteteve kulturore, sociale dhe fetare, Amerika që duam është ajo, e cila mund të mposhtë rrezikun që, rizgjimi politik global të kthehet kundër saj.

Drejtësia sociale, barazia gjinore, dhe veçanërisht respekti për mozaikun kulturor dhe fetar të botës, është arsye për të cilën një demokratizim i paduruar, i vendosur nga jashtë, është i dënuar të dështojë. Trump më mirë se kushdo e di se, Amerika e tij është në majë të botës. Një Amerikë, fitorja ushtarake e së cilës në luftën e parë të Gjirit, i shkoi dëm nga pikëpamja politike, mbasi paqja në Lindjen e Mesme nuk u arrit, ç’ka çoi në rritjen e armiqësisë islamike ndaj Shteteve të Bashkuara. Amerika, e cila e vlerëson Kinën si aktor të rëndësishëm në fushën ekonomike globale dhe si qendër e marrëveshjeve të shkëmbimit rajonal me vendet e varfra, e politikisht po aq të vendosura dhe të paduruara. Amerika, që njeh mirë rolin e Rusisë, e cila përdor rezervat e gazit dhe naftës si superfuqi e fushës energjitike. Kjo Amerikë, e papajtueshme dhe kritike e autoritarizmave të tipit Putin, Erdogan, etj. Amerika, kur India dhe Pakistani sfidojnë opinionin publik botëror dhe bëhen fuqi bërthamore, kur Koreja e Veriut dhe Irani, intensifikojnë përpjekjet për të arritur kapacitetin e përdorimit bërthamor. Amerika, e shënjestruar nga e keqja e ditëve tona, terrorizmi. Amerika, e cila ka investuar shumë dhe ka parë, sesi Komuniteti Atlantik, u ça në luftërat në Irak dhe Lindjen e Mesme, ashtu sikurse e ka të qartë që, Bashkimi Europian nuk po arrin që, të zhvillojë një identitet të vetin politik.

Ndërtimi i një minimum respekti reciprok në mardhëniet me botën islamike, e qas Amerikën e para 20 janarit, si një dështim i zvarritur në këtë drejtim, ç’ka ka bërë që aktorë të rinj, të shfaqen. Kryesisht: Rusia, Turqia, Irani, po tentojnë të influencojnë në “zgjidhjen” e problemeve kryesisht në Siri, aty ku dhe lufta është e ashpër. Ndërkohë Kina me shkëmbimet tregtare, ka joshur jo pak Indonezinë, Pakistanin, Iranin dhe vendet e Gjirit Persik. Një Azi “armiqësore” dhe një Europë e paqëndruar në vetvete momentalisht janë evidente. Amerika ka nevojë për ndihmën europiane, për të formuluar politikat globale, gjithashtu Europa, ka ende nevojë më shumë se Amerika për një aleancë të tillë, përndryshe do të vijojë të rrezikojë, të rrëshqasë në fenomene të nacionalizmit që i referohen vetëm realitetit të vet, të cilat do të shtonin ngjarjet pa pasur një mision global më të gjerë. Ngurimi i Europës për t’a përfshirë Ukrainën në gjirin e saj, nxiti ambiciet imperialiste të Rusisë, teksa Turqia gjithnjë e më tepër po “viktimizohet” prej terrorit, ç’ka mund të sjellë rrëshqitjen e saj drejt Lindjes së Mesme të paqetë.

Realitetet e reja politike globale, po dëshmojnë se po shkojnë në drejtim të një rënie të dominimit tradicional të Perëndimit, ndaj Trump kur vetëm dy ditë më parë “anatemoi” NATO-n, mund të ketë paralajmëruar pjëmarrjen e mundëshme në Aleancë, të vendeve si Japonia dhe Koreja e Jugut. Përfshirja e Japonisë në NATO, do t’i dërgonte Kinës një sinjal më pak armiqësor. Impenjimi me Kinën dhe përfshirja e Japonisë në disa operacione të NATO-s, çfarë mund të konsiderohet si një hap drejt një marrëveshje të qëndrueshme kino-japoneze. Kina në këndvështrimin e administratës së re amerikane është një lojtar kyç në sistemin global, mbetet për t’u parë sesi ky rol do të vlerësohet, i drejtë, apo si kërcënim. India, Brazili, Indonezia, Afrika e Jugut, shumë shpejtë mund të përfshihen në tryezat e vendimarrjeve ekonomiko-politike të domosdoshme për gjendjen dhe drejtimin e planetit.

Amerika e pas 20 janarit, do të jetë pikërisht ajo e cila do të rizgjojë epokën globale nëpërmjet një politike, që realisht do të jetë botërore në shpirt, në përmbajtje dhe objektiva. Më e keqja për amerikanët dhe të gjithë popujt nëpër botë, do të ishte që politika amerikane të konsiderohet si arrogante dhe imperialiste në një epokë postimperiale, të shihet indiferente dhe egoiste përballë një ndërvarësie globale të paprecedent dhe kulturalisht vetëgjyqtare në një botë të karakterizuar nga diversitetet fetare.

Share: