Home KRYESORE Abuzuesit seksual te fëmijëve blejnë heshtjen e familjeve të viktimave

Abuzuesit seksual te fëmijëve blejnë heshtjen e familjeve të viktimave

0

Nga Anila Dushi, Reporter.al

Prokuroria dhe policia e Shkodrës thonë se kallëzimet për ngacmime seksuale ndaj të miturve shpesh tërhiqen për shkak të frikës nga paragjykimi apo sepse familjet zgjedhin t’a zgjidhin çështjen me vetëgjyqësi, ndërsa psikologët flasin për një prevalencë në rritje të abuzimeve.

Një 44-vjeçar nga Shkodra u dënua në tetor të këtij viti, me 8 muaj burg, pasi u gjet se kishte ngacmuar seksualisht mbesën e të shoqes, vetëm 13-vjeç. Burri, emrin e të cilit BIRN nuk po e përmend, për të mbrojtur identitetin e të miturës, u gjet fajtor për “vepra të turpshme” pasi për më shumë se një muaj i dërgonte vajzës mesazhe ngacmuese.

Vendimi i gjykatës bën me dije se edhe bashkëshortja e tij ishte në dijeni të ngacmimit, por bashkë me të shoqin e kishin kërcënuar vajzën të mos fliste. Kur kjo e fundit iu rrëfye një tjetër kushërire më të madhe, ajo i sugjeroi të fliste me prindërit që më pas denoncuan burrin.

Familja e 44-vjeçarit, megjithëse e kishte të qartë se ky i fundit kishte synuar të abuzonte me të miturën- siç del nga pretenca e prokurorisë që BIRN e disponon, ka synuar ta shpëtojë atë nga qelia duke i ofruar babait të viktimës një dëmshpërblim financiar. Babai i 13-vjeçares ka refuzuar dhe çështja përfundoi në gjykatë ku i akuzuari u dënua.

Megjithatë, ai rezulton të jetë një ndër pak prindër në Shkodër që zgjedhin t’i shkojnë deri në fund këtyre çështjeve. Burime nga prokuroria e rrethit gjyqësor Shkodër, i thanë BIRN se shumë prej kallëzimeve tërhiqeshin nga akuzuesit.

“Kjo ndodh pasi palët e zgjidhin vetë konfliktin e krijuar ose me ndërmjetësinë e të tretëve, sidomos kur këto vepra ndodhin brenda një komuniteti, si fisi, shkolla, apo lagja. Kjo bën që autorët të mos përfundojnë në gjykatë dhe të dënohen”, i tha BIRN një prokuror që kërkoi të mos indentifikohej.

Prej vitit 2013, në të dhënat publike të Gjykatës së Shkodrës janë vetëm 9 raste të gjykuar për ngacmime seksuale. Në 7 prej të cilëve gjykata ka gjetur fajtorë të akuzuarit dhe në 2 raste ata janë shpallur të pafajshëm.

BIRN analizoi këto vendime dhe gjeti se në tre prej tyre, përfshirë rastin e 44-vjeçarit, familjarët apo vetë të pandehurit kanë tentuar të mbyllin çështjen përmes ofrimit të shpërblimeve financiare për viktimat.

Po ashtu edhe Policia e Shkodrës thotë se numri i kallëzimeve për këtë vepër nuk është i madh, nga 1 deri në 3 raste në vit, dhe se ashtu si në prokurori në disa raste këllëzuesit tërhiqen. Kështu sipas policisë në 2013 të tre kallëzimet që ishin bërë në Shkodër me akuza për ngacmime seksuale akuzuesit ishin tërhequr.

Abuzimi me fëmijët është një fenomen global dhe jo vetëm shqiptar. Megjithatë, sipas një artikulli të publikuar në revistën shkencore ‘Albania Law Journal’ në shtator 2017, të dhënat zyrtare në Shqipëri mungojnë dhe ato që janë publike janë mbledhur nga organizata joqeveritare.

Një studim i UNICEF, “Dhuna ndaj fëmijëve në Shqipëri,” i botuar në vitin 2006, vlerësonte se 13.3 % e fëmijëve në vend janë përballur me ngacmime seksuale. Një tjëtër studim i vitit 2012 “Prevalenca e eksperiencave negative gjatë fëmijërisë,” shkruan se 6 për qind e të anketuarve raportonin se ishin ngacmuar seksualisht gjatë fëmijërisë. Sipas studimit djemtë e raportonin dy herë më shpesh ngacmimin seksual se vajzat.

Piskologia Antonjeta Pero, e cila ka 13 vjet që punon si psikologe në shkolla, i tha BIRN se përtej numrit të denoncimeve apo kallëzimeve, numri i fëmijëve që ankoheshin për ngacmime seksuale ishte i madh.

“Nxënësit, sidomos vajzat, tregojnë për shumë raste të provokimeve sidomos nga më të rriturit, në shkallë të pallatit, ashensor, në rrugicë duke luajtur, apo edhe në shkollë kur janë ndodhur vetëm, apo edhe në tualete”, tha ajo.

Pero thotë se mundësia për të ngacmuar të miturit ishte bërë më e madhe sidomos me internetin, telefonat celularë dhe mënyra të tjera të komunikimit. Mungesa e kallëzimeve sipas saj ka të bëjë fillimisht me vështirësinë që kanë fëmijët për të folur me prindërit dhe po ashtu edhe mënyrën se si familjet i trajtojnë këto vepra duke synuar t’i mbyllin me ndërmjetësim apo vetëgjyqësi.

“Kjo tabu që nuk po gjen terren të ndryshojë as me punën e shërbimit psiko-social në shkolla, e ka burimin në mohimin kategorik që i bëhet këtij diskutimi shumë të rëndësishëm e shpesh herë jetik për të ardhmen e femijës në familje. Edhe kur prindërit janë të arsimuar, shpesh ankohen se nuk dinë nga ta fillojnë bisedën me fëmijën e vet”, tregon Pero.

Edhe psikologë të tjerë pohojnë se në raste të tilla familja, por dhe vetë të miturit ngurojnë të tregojnë. Të miturit pasi kanë frikë se të rriturit mund t’i keqkuptojnë, ndërsa prindërit ngurojnë sepse nuk duan që të merret vesh nga të tjërë ajo që i ka ndodhur fëmijës së tyre.

Psikologia Pero shton se prindërit kanë pak informacion se si të reagojnë për fëmijën e tyre kur përballet me ngacmime në moshën e adoleshencës. Ajo shton se këto ngacmime apo veprime të turpshme lënë gjurmë në psikikën e fëmijës dhe nuk harrohen lehtë.

 

Share: