Home KRYESORE SHBA paralajmëron Kosovën: Larg duart nga Gjykata Speciale!

SHBA paralajmëron Kosovën: Larg duart nga Gjykata Speciale!

0

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë bërë një paralajmërim të fortë politikanëve në Kosovë, për tentativën e shfuqizimit të ligjit për Gjykatën Speciale. Kësaj radhe reagimi nuk ka ardhur përmes ambasadës amerikane në Prishtinë, por përmes Departamentit të Shtetit. Në një deklaratë të publikuar në faqen e DASH, ndër të tjera shkruhet:

“Ne u bëjmë thirrje liderëve politikë në Republikën e Kosovës dhe Deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ta ruajnë zotimin për punën e Dhomave të Specializuara dhe ta lënë të pandryshuar autoritetin dhe juridiksionin e gjykatës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë thellësisht të dëshpëruara nga përpjekjet e fundit të Kuvendit të Kosovës për shfuqizimin e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, gjykatë e themeluar për të dëgjuar dyshimet për krime kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimeve tjera serioze të bëra gjatë vitit 1998-2000″, thuhet në deklaratën e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Më tej DASH i kujton liderëve të Kosovës atë çfarë ka thënë sekretari amerikan i shtetit, se në Ballkan s’ka mbaruar ende kërkesa për drejtësi.

“Ne duartrokitem guximin moral te liderëve politikë të Kosovës kur e miratuan ligjin dhe e amendamentuan atë në Kushtetutë më 2015, kur edhe u themelua gjykata. Tani ne fuqishëm u bëjmë thirrje liderëve aktualë dhe deputetëve të Kuvendit të Republikës se Kosovës që të mos e prishin këtë arritje duke shfuqizuar gjykaten, tani apo në të ardhmen”, thuhet në paralajmërimin e SHBA-së.

Ky është reagimi më i ashpër deri më tani i Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundër klasës politike në Kosovë, e cila është në një lloj konsensusi të heshtur për të shfuqizuar ligjin për Gjykatën Speciale. Presidenti Hashim Thaçi ka dalë kundër kësaj gjykate, duke përkrahur iniciativën e 43 deputetëve për ta shfuqizuar ligjin në Kuvend.  Sipas tij Gjykata Speciale është një padrejtësi historike ndaj Kosovës. Qëndrimi i tij mbështetet edhe prej Kadri Veselit, Isa Mustafës, Ramush Haradinaj e Fatmir Limajt, si dhe politikanëve të tjerë.

Përpjekja për ta shfuqizuar ligjin e Speciale, dështoi për dy herë në Kuvend për shkak të mungesës së kuorumit të deputetëve. Ky zhvillim ka alarmuar ndërkombëtarët, me insistimin e të cilëve është ngritur Gjykata Speciale, e cila do të hetojë për krime të luftës gjatë vitetve 1998-2000.  Mbetet për t’u parë në fund të muajit janar se çfarë do të bëjë klasa politike në Kosovë. Nëse shfuqizohet ligji për Specialen, Kosova pritet të ndodhet në një udhëkryq të rrezikshëm që pas shpalljes së pavarësisë.

©LAPSI.al 

Share:
Reklama juaj