Home KRYESORE HATAJA ERDHI / Refugjatë, ISIS, aksidente! Vendi në panik, dyshohet për mbi...

HATAJA ERDHI / Refugjatë, ISIS, aksidente! Vendi në panik, dyshohet për mbi 1 milion viktima

TIRANË dhe gjithandej – Me qindra mijëra shqiptarë dyshohet në mënyrë krejt irracionale që mund të kenë vdekur sot paradite, pas një aksidenti të vogël që përfshiu një papaq dhe një dumdume në Unazën e Re në kryeqytet.

Për faktin se ende nuk janë bërë të ditur emrat e të përfshirëve në këtë ngjarje, qindra mijëra të afërm, prindër, kushërinj e miq në vend, i ka mbërthyer paniku dhe alarmi se aty mund të jenë ndodhur të dashurit e tyre.

“E di unë. Nuk duan të ma thonë se në atë përplasje është edhe Vedati, por mua ma parandjeu zemra që në mëngjes”, u shpreh i lemerisur pa asnjë arsye babai shembullor Xhuke Dapi, me merak për të birin që në fakt flinte ende tek dhoma e vet.

“E zeza, Ermela u nis sot për në punë dhe nuk kam asnjë lajm prej saj”, tha nëna e panikosur Ervehe Shqopa për të bijën.

Lemeria kolektive e ditës vijoi të ushqehej nga lajmet për hapjen e një kampi special që do ushqente dhe shkollonte ish luftëtarët e ISIS-it.

“Do Zoti nuk e hapin kampin në Gramsh, se aty kam martuar mbesën,” u përlot e shastisur Mushide Katramaja nga Kavaja, duke shtuar, “o Edi Rama ç’na bëre!”

Ndërkaq haberi se një ose disa kampe refugjatësh sirianë, kurdë, afganë etj, do ndërtoheshin në Shqipëri, vetëm sa shtoi panikun.

“E di unë, do ma bëjnë kampin te ara buzë xhadesë,” tha Këllëç Thika nga Progonati i Tepelenës dhe vendosi të mbledhë familjen, të shesë plaçkë e katandi dhe të transferohet në Shirokë të Shkodrës. Po kështu dhe bashkëfshatarët e tjerë. Në rrëmujë e sipër u raportuan përplasje, plagosje e madje dhe viktima.

Ndërsa minutat kalonin, numri i atyre që druhet se mund të kenë vdekur ose të jenë plagosur në aksidentin ordiner e pa pasoja, ka kaluar 950 mijët. Mungesa e informacionit, bëri që rrjetet e telefonisë celulare të mbingarkohen nga telefonata dhe mesazhet, dhe njerëzit e zhytur në ankth iu kthyen telefonit fiks, madje dhe telegrafit dhe alfabetit mors.

Mësohet se lista e viktimave imagjinare ka filluar të shtohet edhe me persona që nuk jetojnë fare në Shqipëri, e që s’ja kanë idenë se ku bie unaza e re në Tiranë.

“Kam një vajzë të martuar në Cërrik, që është shumë afër Tiranës”, tha për reporterët nëna e merakosur me banim në Livorno, Ksanthipi Ramadani, “e shkreta unë, vajza!”

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike gjakftohtë që nuk panikoset kollaj, por përhap nga cazë panik sa për shije./Dita.al

Share: