Home KRYESORE Vdekja, “jovdekësia” dhe struktura antinomike e ekzistencës tek Jaspers Filiz Peach

Vdekja, “jovdekësia” dhe struktura antinomike e ekzistencës tek Jaspers Filiz Peach

Përktheu nga anglishtja Elvis Zaimi

Koncepti i Jaspers-it për vdekjen është i pandashëm nga nocioni i tij për “situatat kufij” të ekzistencës (Grenzsituationen), ndërkohë që vetë nocioni që ai ka për të ashtuquajturat “situata kufij” është i lidhur ngushtë me atë të “antinomive”. Nga perspektiva e këtyre lidhjeve të ngushta, së pari do të shqyrtojmë strukturën antinomike të ekzistencës njerëzore, dhe më pas do t’i kthehemi tipareve kryesore të situatave kufij, para se të vijojmë me analizën e nocionit të tij për vdekjen.

Nuk mund të vlerësohet koncepti i Jaspers për “situatat kufij” nëse nuk ruajmë ndërmend rëndësinë e strukturës antinomike të ekzistencës. Cfarë janë antinomitë? Me antinomitë Jaspers kupton konfliktet e pazgjidhshme dhe mospërputhjet e papajtueshme me të cilat ballafaqohemi në ekzistencë, dhe të cilat përbëjnë një pjesë themelore të ekzistencës njerëzore. Nocioni i strukturës antinomike të ekzistencës është vendimtar dhe kritik për filozofinë e Jaspers, sepse ndricimi që ai i bën ekzistencës njerëzore e presupozon këtë strukturim, por edhe se koncepti tjetër i lidhur ngushtë me të “i të kundërtave” përshkon një pjesë të madhe të përmbajtjes së veprës së tij.

Sipas Jaspers, koncepti i antinomisë përfshin domosdoshmërisht në vetvete atë të të “kundërtës”, dhe nuk mund të kuptohet pa të. P.sh kuptimi i jetës nuk mund të rroket plotësisht pa atë të vdekjes. Ngjashmërisht, komunikimi është i pandashëm nga vetmia, dhe Dasein nga Existenz. Meqenëse asnjëra anë e këtyre binomeve të të kundërtave nuk është e mjaftueshme vetëm me vetveten, d.m.th pa të kundërtën e saj, atëherë, ndërmjet tyre në eksperiencën njerëzore duhet të ndodhë një lloj sinteze. Në këtë kuptim, trajtimi që u bën Jaspers “antinomive” është i ngjashëm me konceptin e “transcedentales” tek Kanti, dhe të “dialektikës” tek Hegeli.

Si tek Psychologie der Ëeltanschauungen (1919) ashtu edhe te Philosophy (1932), Jaspers-I na paraqet përshkrime fenomenologjike mbresëlënëse, si dhe hulumtime të reja mendjemprehta kuptimore të lidhjes ndërmjet “situatave kufij” dhe strukturës antinomike të ekzistencës. Për herë të parë nocionin e tij për situatat kufij Jaspers e prezantoi tek vepra Psychologie. Në këtë libër, Jaspers, pohon dhe kërkon që të pranohet si i vërtetë shpjegimi i dhënë më parë prej tij mbi strukturën antinomike të ekzistencës, dhe marrëdhënien ndërmjet “situatave kufij” dhe dikotomisë subjekt/objekt.

Ndërkohë tek vepra tjetër, Philosophy, gjejmë një version më të vonë të strukturës antinomike të ekzistencës. Ndonëse krerët dhe paragrafët janë renditur në mënyrë të ndryshme tek Psychologie dhe te Philosophy-ia, ajo që tërheq vëmendjen e lexuesit është se, në të dyja veprat, parimi që e shquan konceptin e “strukturës antinomike të ekzistencës” mbetet i njëjtë Po ashtu, edhe shpjegimi mbi konceptin “situatë kufij” në secilën nga veprat nuk ndryshon aspak më shumë sesa ai për “strukturën antinomike të ekzistencës”.

Jaspersi vë në dukje se sa herë që dikush ballafaqohet me situata të pazgjidhshme, kontradikta, tensione të brendshme, ngrihet si çështje problemi i antinomisë. Ai e përshkruan antinominë në këtë mënyrë:

“…çfarë ne e quajmë një papajtueshmëri e pakapërcyeshme, një kontradiktë që nuk mund të zgjidhet por vetëm mahiset nga mendimi i qartë, një antitezë e cila nuk rrotullohet përqark për t’u shndërruar në një të tërë, por mbetet një pjesëzë e pareduktueshme në kufijtë e të menduarit. Struktura antinomike e ekzistencës nënkupton se zgjidhjet për problemet ekzistenciale mund të jenë vetëm të fundme, se mund të zgjidhim vetëm konflikte të caktuara në ekzistencë, dhe nëse hedhim vështrimin tek e gjitha ajo gjithmonë do të na shfaqë kufirin e vendosur nga pazgjithshmëritë”

Pohimet e Jaspers-it mund të tingëllojnë të çuditshme. Nëse antinomitë e ekzistencës janë të pamundura objektivisht për t’u zgjidhur, ose subjektivisht të pazgjidhshme, atëherë si mundet dikush të shkojë përtej tyre dhe të orientohet në botë? Përgjigja gjendet në të kuptuarin e dikotomisë Subjekt/Objekt (Spaltung), e cila tregon për lidhjen që ekziston ndërmjet Dasein dhe Existenz, si dhe ndërmjet dy botëve të ndryshme, asaj të përvojës dhe të dijes. Nëse dikush ndesh kufij ose pragje të pakapërcyeshme në botën empirike, atëherë ai ndërgjegjësohet për lidhjen që ekziston ndërmjet botës subjektive dhe asaj objektive.

Ndonëse Jaspers nuk e thotë hapur, mesazhi që përpiqet të na përcjellë është se antinomitë janë të pazgjidhshme kur ne përpiqemi të kapim të gjithë Qenien në ekzistencën tonë të fundme. Ai ngulmon se Qënia mund të kapet vetëm në dukjen e saj, d.m.th në objektivitetin e saj që ka për tipar determinizmin. Kur Qenia mendohet, ajo ndahet në subjekt dhe objekt, dhe nuk perceptohet si një tërësi e plotë. Jaspersi i quan objekte të tilla të të menduarit të qënies sipas logjikës deterministe, d.m.th ashtu se si ato na shfaqen, me emrin “fenomene të realitetit”. Por qenia në vetvete nuk mund të jetë një objekt i përcaktueshmërisë, përsa ajo nuk mund të reduktohet as tek subjekti dhe as tek objekti. Ashtu siç vëren edhe Ehrlich “Qënia-në vetvete ndodhet përtej dikotomisë subjekt/objekt, brenda të cilës gjithë qenia për ne bën shfaqjen e saj deterministe”. Ehrlich sugjeron më tej se ontologjia e përfshirjes (periekontologjia) e Jaspersit “ndërtohet mbi çiftet e të kundërtave: Qënie në vetvete dhe dukje, objekt dhe subjekt, transhendencë dhe imanencë”

Nuk mbetet e qartë, gjithsesi, nëse për Jaspersin mund të tejkalohet ose jo dikotomia subjekt/objekt. Nga njëra anë Jaspersi na thotë se “ajo kurrë nuk mundet të tejkalohet”. Nga ana tjetër, në veprën e Jaspers thuhet se është e mundur të shkohet përtej saj, duke arritur tek vetvetja duke ekzistuar në mënyrë autentike, p.sh në ‘situatat kufij”. Në analizën që u bën situatave kufij Jaspers e konsideron termin “kufi” si një metaforë që nënkupton “një prag kritik, dhe jo si një pengesë për të arritur realizimin e vetevetes”. Nç çdo rast, megjithatç, askush nuk duhet të harrojë se transcedentalja tek Jaspersi është transcedentlja që ndodh në procesin e të menduarit.

Pra, për të, transedentalja ka kuptimin e mendimit që shkon nga objektiviteti në jo-objektiven, ku jo-objektivja është të menduarit transcendental që tajkalon “situatën kufij”, është vetë ekzistenca, duke qenë se Existenz është një nga mënyrat transcedentale të përfshirjes së qënies. Kështu koncepti i transcedentales tek Jaspers nënkupton të shkosh përtej mendimit objektiv, atëherë kur dikush është shtyrë në kufijtë e botës së tij empirike.

Teksa mendimi njerëzor përpiqet të kuptojë jo-objektiven, d.m.th transcedentalen, ai pashmangshmërisht e objektivizon atë, sepse për të kuptuar transcedentalen mendimit i duhet të ndeshet me kontradiktat dhe antinomitë. Kjo nuk do të thotë se individi ka shkuar në botën e përtejme apo “jashtë kësaj bote”. Me fjalë të tjera, nëpërmjet shkuarjes përtej të mendimit individi arrin të kuptojë pamundësinë e unitetit të të kundërtave. Paradoksalisht, ndërgjegjësimi mbi këtë pamundësi i bën të mundur individit të ketë ndërgjegjen e këtij uniteti vetëm për një grimë, tek Çasti (Augenblick).

Vetëm në këtë mënyrë dikush mund të shkojë përtej mundësive të tij, dhe të tejkalojë antinomitë e ekzistencës. Jaspers beson se jeta është një proces përvojash që ndodhin në “kufi të ekzistencës”, çfarë shkakton apo i hap rrugën dështimeve ose përmbysjeve që ndodhin në mendimin e njeriut. Për Jaspersin “dështimi/përmbysja” që ndodh tek mendimi është shifra më themelore e ekzistencës, dhe pjesë e pashmangshme e eksperiencës njerëzore në procesin e të menduarit transcendental.

Share: