Home KRYESORE Meta paralajmëron Ramën: Një tërmet i fuqishëm pritet të godasë Ballkanin

Meta paralajmëron Ramën: Një tërmet i fuqishëm pritet të godasë Ballkanin

Presidenti Meta ka paralajmëruar kryeministrin Rama, zëvendës kryeministrin Erion Braçe dhe ministren së Mbrojtjes, Olta Xhaçka se një tërmet apokaliptik pritet të godasë Ballkanin.

Në një letër zyrtare dërguar autoriteteve më të larta përgjegjëse për sigurinë kombëtare, Meta shkruan se është informuar nga mediat mbi një paralajmërim të sizmiologut Akis Tselentis, se një tërmet i fuqishëm do të godasë Ballkanin.

Në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Meta kërkon informacion mbi kapacitetet që ka vendi për të përballuar një ngjarje të tillë si dhe fton mbledhjen e Këshillit pasi sipas tij çdo nënvlerësim i situatës mund të jetë me pasoja tragjike për jetën e qytetarëve.

LETRA E PLOTË

Të nderuar,
Nëpërmjet medias ndërkombëtare dhe kombëtare jam informuar mbi paralajmërimin për një tërmet apokaliptik që pritet të godasë Ballkanin. Paralajmërimi ka ardhur nga sizmiologu i njohur, zoti Akis Tselentis, drejtor i Institutit Gjeodinamik Obsarvatori Kombëtar i Athinës.

Sizmiologu Tselentis ka paralajmëruar për një tërmet apokaliptik që pritet të godasë Ballaknin, që mund të jetë 30 herë më i fuqishëm se ai që goditi para disa ditësh rajonin e Athinës.
Për shkak të karakteristikave të veta sizmike vendi ynë është një nga vendet me sizmicitetin më të lartë në Europë. Prandaj Shqipëria është një vend i kërcënuar nga kjo dukuri natyrore.

Për sa më sipër, kërkoj nga ana juaj të informohem mbi:
Institucionet përgjegjëse, a kanë kontaktuar me sizmiologun Tselentis dhe institucionet homologe të rajonit lidhur me të dhënat e tyre për paralajmërime të tilla?
Cilat janë kapacitetet tona për përballimin dhe masat e marra nga ana juaj , nëse vendi ynë do të goditet nga një tërmet i përmasave të tilla.

Çfarë masash janë marrë apo do të merren për të reaguar në kohë dhe për të minimizuar pasojat e mundshme në nivel qëndron dhe vendor?
Nëse e gjykoni të domosdoshme, jam i gatshëm të mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare menjëherë qoftë dhe vetëm për këtë çështje, pasi çdo nënvlerësim i situatës mund të jetë me pasoja tragjike për jetën e qytetarëve në radhë të parë.

Presidenti i Republikës
Ilir Meta /Opinion.al

Share: