Home KRYESORE 30 VITE PAS KADARESË DHE AGOLLIT…

30 VITE PAS KADARESË DHE AGOLLIT…

Nga Mark Simoni

… një djalë tjetër shqiptar niset për në Rusi, për të mësuar letërsi dhe me ëndrrën e madhe për tu bërë shkrimtar. Ai ishte Agron Tufa, një nga shkrimtarët tanë më prodhimtar e të dëgjuar në letërsinë e periudhës moderne. Pikërisht për të bashkëbiseduar rreth letërsisë sonë dhe asaj ruse, e kisha këto ditë në bisedë, të cilën po e sjell të plotë dhe për ju miqtë e mi, shkrimtar e lexues të MAPO-s letrare, këtij suplementi tashmë të suksesshëm.

Menjëherë, në faqen tjetër suplementi vazhdon me hapjen e një cikli të gjatë shkrimesh, (shumë interesante dhe tërheqëse), të shkrimtarit dhe opinionistit të dëgjuar Preç Zogaj. Do të jenë çdo javë përjetimet e Preçit ndaj librave që ka lexuar në fëmijërinë dhe rininë e tij të kaherëshme, si i ka ndjerë dhe përceptuar, si i ka përfytyruar e përthithur veprat e famëshme që ka lexuar atëherë. Këtë radhë kemi si është ndjerë dhe ç’histori të këndëshme e kanë lidhur me poezitë e Uollt Uitmanit, radhën e numrin tjetër si e ka përjetuar “Kronikën në gurë” të Kadaresë, dhe pastaj njera pas tjetres lirikat e Eseninit…. Numër pas numri të suplementit.

Një prozatore jo shumë e afirmuar dhe e njohur, por serioze dhe e qartë në pikësynimet e saj për tu bërë një shkrimtare e mirë, vjen në këtë numër Vita Blloshmi me tregimin e saj “Bukë qerepi”, një tregim i veçantë dhe interesant, shkruar me një stil të këndshëm, i shtruar dhe i kuruar mirë. Ertila Zaloshnjë, tashmë një zë jo i panjohur në letërsinë e vargut, më solli një tufë poezishë të bukura, sa filozofike aq dhe komunikative me lexuesin. Nën okelion e “Poezisë së huaj” janë 6 autorë të mëdhenj, që nga Neruda e Tagora e deri tek Rumiu e Borges, të sjellë në një mënyrë fantastike në shqip nga shkrimtari dhe përkthyesi Alban Bala, shqiperuar me shumë korrektësi e mirëbesim, duke i bërë këto autorë të flasin aq bukur shqip, por pa ua hequr aspak shijen e tyre substanciale të gjuhës dhe artit me të cilën i kanë shkruar poezitë.

Tre “Short story” na ka sjellë nga gjuha frënge shkrimtari Arbër Ahmetaj. Ky autor i kultivuar, i lexuar dhe i pëlqyeshëm nga lexuesi i shumtë, duke e patur gjuhë të përditëshme frëngjishten si pjesë të jetesës, ka përkthyer dhe kuruar në mënyrë fine, gjithë elegancë e kualitet tre tregimet që do të keni mundësi t’i lexoni e shijoni.

Unë nuk jam i zoti ta parashikoj se sa i suksesshëm e ku do të ishte niveli i letërsisë së Faik Ballancës sot, nëse ai do të ishte midis nesh. Por për një gjë jam krejt i sigurtë, që letërsia shqipe, me vendimin e tij për tu ndarë nga jeta, humbi një nga prozatorët më të talentuar të brezit të vet, një tregimtar të frymëzuar pas detajesh, një imazhinist të klasit të parë, një shkrimtar me stof talenti të paparë. Ai e lëshoi jetën vetëm 31 vjeç, shumë herët për një prozator, që e ka pjekurinë e zhanrit të vet në moshë më të madhe. Dhe përse qe aq i ri, i lëshoi kritikës, lexuesit dhe kolegëve sinjale dhe shenja të një letërsie të mrekullueshme, të admiruar prej shumë kujtë. Në këtë numër të MAPO Suplement, si nderim për këtë talent të jashtëzakonshëm, kemi një tregim gati të panjohur të arkivës së tij krijuese, titulluar “Rubi e vogël”.

Dy poetë që kanë botuar tek MUZGU, e që më kanë bërë përshtypje me poezitë e tyre me tema të gjetura, të zhdërvjellta e të kuruara bukur, shkruar me shumë sens e art, përshkuar nga frymëzime letrare, janë Abdi Përgjegja dhe Artjonil Petraj. Pikërisht për to dhe librat e tyre interesantë e të veçantë, kam dy ese të miat, nën okelion “Ese, Vitrina e librit”.

Dhe si përherë, për t’i dhënë kuptim e seriozitet të plotë Suplementit të së shtunës, unë kam ftuar katër autorë në faqen “Quartet”. Këtë radhë të talentuarit Lola Shehi, Lan Qyqalla, Skender Temali dhe Ilmi Tahiraj, me poezitë e tyre, i japin një dimension të ri gazetës letrare.

Urime të gjithëve.

Share: