Home KRYESORE Kriza politike/ Për dialog mes palëve flitet pas 16 shtatorit

Kriza politike/ Për dialog mes palëve flitet pas 16 shtatorit

Ditët e fundit palët politike kanë dhënë sinjale për dialog, megjithëse janë ende në qëndrime të kundërta. Të enjten në mbrëmje, kreu i PD-së pas një takimi me aleatët foli për një platformë për daljen nga kriza.

Lulzim Basha nuk dha shumë detaje, por kreu i republikanëve, Fatmir Mediu kërkon që opozita të mos presë kur bëhet fjalë për reforma të rëndësishme si ajo zgjedhore, por të ngrejë një grup negociator dhe të ulet në tryezë me shumicën.

Tentativat e ndërkombëtarëve nuk kanë munguar dhe nuk do të mungojnë, por sipas Mediut ata më parë duan të shohin vullnetin e shqiptarëve për tu ulur në tryezë për zgjidhjen e krizës.

Në aksionin opozitar, një gjë është e sigurt që deri në datën 17 shtator nuk do të ketë protesta.  Opozita shpreson tek “gjermani i fundit”. Burime nga PD thonë se në 16 shtator në Tiranë vjen zv/kryetari i grupit parlamentar të CDU/CSU, Johann David Wadephul.

Zyrtari i CDU/CSU shihet nga opozitarët si dritë shprese për zgjidhjen e krizës politike, ndërsa vlen të kujtojmë se kjo forcë politike që në fillim të krizës ka tentuar të hap rrugë për negociata.

Pas Wadephul, Tiranën do e vizitojë edhe Roberto Montella, sekretar i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të OSBE. Edhe OSBE ka patur më parë një tentativë për të ulur palët në tryezë, por ajo dështoi.

Zëdhënësja e qeverisë Elisa Spiropali tha këtë të premte se mazhoranca është e hapur për dialog me Lulzim Bashën dhe opozitën për të reformuar sistemin zgjedhor.

Por ajo tha se nuk do të bëhet asnjë hap sa i përket reformës në drejtësi, dhe përpjekjeve të opozitës, sipas saj, për të ndërhyrë në këtë proces. Spiropali tha se opozitës i flen lepuri në bark tek bllokim i i hapjes së negociatave dhe tek bllokimi i reformës në drejtësi./ Opinion.al

Share: