Home KRYESORE Na duhet një parti e re, doemos opozitare, por e ndryshme nga...

Na duhet një parti e re, doemos opozitare, por e ndryshme nga të gjitha ekzistueset.

Nga Kastriot Cipi


Na duhet një parti pa kryetar, por me Kryesi, e cila ndryshon sipas rezultatit zgjedhor të partisë. Kandidatët më të votuar në zgjedhje parlamentare e bashkiake, bëhen anëtarë të Kryesisë së re.

Një parti që ua heq pushtetin deputetëve (edhe të vetëve) dhe e kthen pushtetin tek sovrani, duke sanksionuar të drejtën e ndryshimit të Kushtetutës vetëm me referendum.

Një parti që rithemelon shtetin sipas modelit zviceran, bazuar te demokracia direkte.

Një parti që eliminon me Kushtetutë dhe ligj pushtetin e njëshit, në të gjithë piramidën e administratës publike, duke vënë në çdo rast individin drejtues në kontrollin e një organi kolegjial.

Një parti, që ia kalon Qeverisë kompetencat e Kryeministrit dhe Këshillit Bashkiak ato të Kryebashkiakut dhe i bën këta të fundit anëtar primus-inter-pares (të parë mes të barabartëve) të Qeverisë dhe Bashkisë, me atribute thjesht përfaqësuese, pa asnjë të drejtë vendimmarrëse.

Një parti që e kufizon afatin e shërbimit të deputetëve progresivisht në 20, 16 dhe pastaj 12 vjet dhe mandatet e kryebashkiakëve dhe anëtarëve të Qeverisë në 8 vjet.

Na duhet një parti që e bën Qeverinë të dobët para Parlamentit dhe Parlamentin të dobët para zgjedhjeve dhe referendumeve.

Na duhet një parti që kërkon një sistem zgjedhor që e bën realitet përfaqësimin e drejtë dhe llogaridhënien, duke i kthyer zgjedhjet nga një shans i vetëm një herë në katër vjet, në një proces kontrolli, gjykimi e pastrimi të vazhdueshëm, në çdo stinë të mandatit të të zgjedhurve.

Na duhet një parti e re që punon me shqiptarët dhe për shqiptarët.
Na duhet një parti që nuk merr urdhra nga ambasadorët e huaj në Tiranë.
Na duhet një parti që i kushtëzon marrëdhëniet me BE dhe SHBA me interesin e mirëqenies së shqiptarëve.

PS Në foto, Asambleja e Kantonit të Glarusit (popullsia rreth 40.000), në vitin 2006, që vendosi ndryshimin e hartës territoriale dhe shkrirjen e 25 bashkive në 3 bashki.

Share: