Home KRYESORE Kamarier nuk lind, bëhesh duke studiuar!

Kamarier nuk lind, bëhesh duke studiuar!

Doli nga shtypshkronja dhe është në shërbim të formimit profesional të kamarierit të munguar dhe me standarde evropiane, libri më i plotë i mundshëm për formim profesional të shërbimit në restorante, bar caffe dhe hotele!

Libri shoqërohet me një prezantim me titull: “Kamarier nuk lind, bëhesh duke studiuar” të presidentit të Kompania Neranxi biznesmenit të dukseshëm Nikollaq Neranxi, te cilin e sjellim te plote.

Kjo nismë synon të plotësojë boshlleqet e mëdha në shërbimet e Hoteleri Turizmit në Shqipëri e Kosovë

Nga Nikollaq Neranxi, President i Institutit Kulinar Neranxi

Kompania Neranxi, si një sipërmarrje e cila merret me importin dhe përpunimin e lëndëve të para për industrinë ushqimore, ka një rrjet klientësh mjaft të zgjeruar që operon në sektorin e hoteleri-turizmit.

Ndërkohë, ne kemi si praktikë pune që të komunikojmë shpesh me drejtuesit e këtyre bizneseve dhe t’i pyesim se cilat janë problemet e tyre. Nuk janë të rralla rastet kur pronarët apo menaxherët, na tregojnë se kanë bërë investime ambicioze në infrastrukturë, që nga ndërtesa, arredimi modern, deri tek kuzhina si dhe te përzgjedhja e specialistëve të kuzhinës. E megjithatë nuk arrijnë të kenë klientelën e pritshme. Sepse në fund të ditës, të gjithë presim që investimi të na shpërblehet me fitime. Në biseda me ta, iu kam bërë disa pyetje, për të kuptuar arsyen se çfarë nuk shkon dhe një nga pyetjet, ka qenë: “Çfarë kamarierësh keni?” Dhe përgjigja pothuajse në çdo rast, është: “Njerëz të pakualifikuar, të rinj të cilët nuk kanë një profesion ose kanë mbaruar një shkollë për të cilën nuk kanë gjetur punë dhe kanë gjetur si zgjidhje provizore, që të punojnë si kamarierë”.

Kjo është një strategji e gabuar nga ana e sipërmarrësve të bizneseve të hoteleri-turizmit. Duke mos i dhënë rëndësi formimit profesional të kamarierit, ata lënë zbuluar një hallkë shumë të rëndësishme, pasi kamarieri, është njeriu i cili i jep vlerë asaj çfarë përgatitet në kuzhinë, madje me aftësitë e tij, ai shton klientelën, sepse njerëzit vijnë në restorant që të ndjehen mirë dhe të trajtohen me respekt. Restoranti nuk është thjesht një vend ku konsumohet një ushqim. Nëse klienti nuk trajtohet si një mysafir, nëse ai nuk e ndjen që personeli tregon kujdes deri në detaje që ai të kënaqet, atëherë me siguri, herës tjetër nuk do të rikthehet. Konkurrenca lëviz shumë më shpejt nga sa mendohet dhe perfeksioni, është ai që mban dhe rrit klientelën.

Tek Instituti Kulinar Neranxi, pasi kemi punuar fort, për më shumë se një dekadë, për të përgatitur specialistë të kuzhinës, pastiçerisë etj, kemi bërë gjithashtu një program shumë të mirë, për të kualifikuar personelin e sallës, ata të cilët janë në kontakt direkt me klientin, ata të cilët me mënyrën si flasin, si buzëqeshin, si shpjegojnë menunë, si reagojnë nëse ka ndojë pakënaqësi apo keqkuptim, bëjnë që restoranti të shkëlqejë.

Ne kemi konsultuar programet më të mira perëndimore në degën për kamarier profesionist dhe duam të bëjmë diferencën në treg me të diplomuarit tanë. E kemi bindje se kjo do të ndodhë, sepse mjafton të shohim lokalet e mira në perëndim, se çfarë efekti ka tek klienti kur të shërben një kamarier i kualifikuar.

Në këtë libër, ka një rezultat sondazhi, i bërë në disa vende të BE-së dhe jam çuditur kur kam lexuar se në 90% të rasteve, klientët, frazën e tmerrshme; “Nuk do rikthehem më kurrë tek ky restorant”, nuk e thonë sepse janë të pakënaqur nga ushqimi, por nga shërbimi. Një shërbim i keq, mbahet mend më shumë se një ushqim i keq. Kjo në fakt është e kuptueshme, sepse nuk ka gjë më delikate sesa marrdhëniet njerëzore, aty ku edhe empatia luan gjithashtu një rol shumë të madh.

Në profesionin e kamarierit. kanë rëndësi edhe detajet më të paimagjinueshme. Po lexoja një ditë intervistën e një operatori turistik polak, i cili sjell çdo vit me mijëra turistë në bregdetin shqiptar dhe vetëm nga ai operator, turizmi shqiptar fiton në vit disa miliona euro. Kur e pyetën se çfarë pikash të dobëta ka vërejtur në biznesin e hoteleri turizmit, cilat janë ankesat e klientëve të tij, ai çuditi me përgjigjen:

“Hotelet janë të mira, edhe kuzhina, por kamarierët shqiptarë kanë një problem të madh, nuk dinë të buzëqeshin!”. Ky është një detaj më shumë për të kuptuar se sa figurë e rëndësishme dhe komplekse është ajo e kamarierit, ai është njeriu që i jep vlerë biznesit, por edhe mund ta shkatërrojë atë.

Prandaj duhet patjetër të punësohen kamarierë të shkolluar, gjë të cilët ne po e bëjmë me shumë përkushtim dhe ky libër është një kontribut i vyer në këtë drejtim.

Share: