Nga Andrea Stefani
Pas një debati që kam patur në “Opinion”, fanatikë berishiste dhe ca media online kanë përhapur me zell gjuetie shtrigash një shpifje të ulët sikur unë paskan qenë spiun i Sigurimit dhe se paskam bërë një kallëzim që paska patur për pasojë dënimin e një personi. Një e shkuar, që po të ishte e vërtetë në rastin tim, e them në parantezë, do të qe e pa denjë për profesionin e gazetarit. “Dokumentet” që kanë servirur si provë janë falsifikime shume qesharake, një fletë leksioni për drurët pyjorë dhe një tjetër, programi i punës i një gjyqtari nuk e di se për çfarë procesi. Tek kjo letër e fundit, krahas firmës dhe emrit të gjyqtarit në fjalë, është shtuar emri dhe mbiemri Andrea Stefani dhe një firmë që nuk ka të bëjë fare me mua. Këto dy letra janë servirur njëra si gjoja kallëzimi që unë kam bërë (dhe kjo është ajo letra që flet për drurët) dhe tjera është gjoja vendimi që ka dhënë gjyqtari për atë të shkretin që unë e paskam kallëzuar. Skenari është i qartë. Berishistët që, sikundër dihet tashmë, kanë shumë ish spiunë të sigurimit në radhët e tyre, duan të vendosin “detantën” e spiunllëkut duke shpifur për kundërshtarët. Përmbushjen e epshit për të bërë spiunë këdo që urrejnë, duket se ja u lehtëson edhe mos-hapja e qëllimtë dosjeve të Sigurimit pas edhe më shumë se dy dekadave nga rënia e diktaturës. Por fatkeqësisht, për ta, nuk jetojnë në botën e tyre solipsiste ku realiteti dhe gjakimet që i mundojnë janë një.
Kuptoj që fanatikë, të shpërblyer nga pushtetet berishiste, të jenë marrëzisht të interesuar dhe plot epsh për të njollosur figurën time si një nga kritikët më të ashpër të idhullit të tyre. Por është e pafalshme, jo profesionale dhe jo etike, që media të ndryshme online të publikojnë materiale që tentojnë të cënojnë reputacionin e një gazetari, deri edhe pa verifikuar jo vetëm vërtetësinë por edhe pa parë fare (që mund të jetë edhe një verbëri e qëllimtë) përmbajtjen e faksimileve që publikojnë! Madje ka media që edhe pse ja kam bërë të qartë mashtrimin, nuk kanë denjuar jo vetëm të kërkojnë falje, por as të bëjnë përgënjeshtrim duke vazhduar ta mbajnë të publikuar këtë mashtrim. Kjo është një orgji me lirinë e fjalës dhe të mediave dhe bashkëfajësi në falsifikim. Si e tillë nuk i falet asnjë gazetari dhe as edhe mediave sepse është kundër lirisë së fjalës, kundër të vërtetës. Liria e fjalës nuk mund të jetë liri e gënjeshtrës.
Prandaj kushdo që është përfshirë në këtë skenar të turpshëm do ballafaqohet me mua, radhë pas radhe, përpara gjykatës. Atje të provojnë me dokumente shpifjet e tyre. Është një veprim që e shoh të domosdoshëm jo vetëm për reputacionin tim si gazetar (që nuk do mund ta njollosin kurrë fanatikët e kujtdo) por edhe si një investim kundër abuzimit me fjalën e lirë që ka dalë jashtë kontrollit veçanërisht në mediat dhe forumet online. Bashkë me këtë të dytën, është edhe neveria që kam për mashtrimin dhe mashtruesit sepse si gazetar, besoj tek forca e të vërtetës dhe je te ajo e gënjeshtrës. Eshtë e vërtetë, ka raste kur mund të kem folur e shkruar shumë ashpër, por askush dhe asnjëherë nuk do të gjejë në ato që kam thënë e shkruar qoftë edhe një gënjeshtër.