Nga Dorian Koci
Parabolën e të verbërve
nuk mund ta ndalë askush.
Udhëtimi i tyre i çuditshëm
ka veçse një fund: Tokën e thatë.
Më të zgjuarit,
do kërkojnë krahë për të fluturuar
dhe kodin lakuriqëve të natës t’ua vjellin
por Ikarët janë të destinuar tu shkrihen krahët prej dylli,
kjo botë u përket Dedalëve që pareshtur eksperimentojnë.
Atëherë s’mbetet gjë tjetër
veçse një zvarritje pa start,
ku ai që do të arrijë i pari
s’i duhet vetëm të vrapojë shpejt,
por të dijë si tu vë shkopinj nën rrota të tjerëve
domethënë të fitojë një sy mes të verbërve
pa e ditur se diku larg, nga vende të tjera
Odiseja ka nisur shtegtimin drejt tij…