Nga Ilir Kalemaj
Arta N. ishte prostitutë. Në fakt, prostituonte nga halli, por pa detyrim. Si është e mundur kjo, do pyeste shumëkush. E martuar prej disa vitesh me një burrë të dhunshëm, pijanec dhe dembel, shpesh nuk ia dilte të ushqente çerrat e vegjël që nuk ngopnin barkun me bukë në atë qytet me veç pak shtëpi ku shiu nuk pushonte kurrë. Punonte në arë dhe në shtëpi, madje mbollën dhe nga ajo bima gjethehollë, si diell i gjelbërt, e njohur me emrin shkencor kanabis sativa dhe që rritej mirë në ato anë. Shtëpinë e kishin disi të shkëputur nga shtëpitë e tjera dhe kjo u jepte njëfarë mbrojtjeje nga sytë kurrështarë. Por me fushatat e fundit të policisë, i shkulën vetë ato pesëqind bimë që kishin mbjellë para se t`i fusnin burrë e grua brenda. Ishin kohëra të vështira dhe thuajse të gjitha burimet e mundshme nga mund të rridhte ndonjë çik bereqet, ishin izoluar mirë nga lart dhe kështu ata të shkrëtët kishin ngelur me gisht në gojë. I mjeri popull thuaj!- psherëtinte me vete ajo tek iu desh të shtronte të pasmen tani në moshë të mesme ku shoqet e saj në qytete të mëdha ngisnin makina luksozë e bënin jetë nate.
Një ditë e pleqëruan burrë e grua dhe i dhanë karar kësaj punë. Nuk shtyhej më kështu. Ose ai do provonte kalimin e malit në atë dimër të egër dhe edhe nëse do ia hidhte, i duhej të punonte andej matanë kufirit ku do përfundonte, ose asaj i duhej të vazhdonte të shtronte kurrizin në punë për pako gjë dhe fëmijët të katandiseshin deri te lypja. Në fakt, pasi e pleqëruan mbarë e prapë këtë punë, i dhanë karar se gjëja më e mirë që mund të bënin ishte në fakt një rrugë e mesme. Një rrugë me pak mundim për të dy dhe me të mira të mëdha. Në anën tjetër të kandarit do ishte veç diçka që ka vlerë simbolike, për sy të njerëzisë, por që kohët e fundit sikur i ka rënë pak vlefta. Në anën tjetër të kandarit, do paguanin një kosto jo të vogël, do purifikonin moralin e zvetënuar të atij qyteti mizerabël duke mbartur në kurriz damkën. Një turp që në provinca shumëfishohet si malarja në zonë kënetore. Ajo do kthehej në prostitutë dhe ai do bënte tutorin e saj.
Në fakt, ditët e para qenë disi të sikletshme. Më pas sikur u mësuan. Nuk i thonë më kot këtej nga anët tona: çudia më e madhe tre ditë zgjat. E kështu ata plotësuan në atë qytet-fshatin e tyre ngjyrë gri atë që mungonte. I dhanë pak dritë atmosferës, rregulluan një balancë të tregut që nuk ishte zgjidhur në gjendjen natyrore, duke rishpikur zanatin më të vjetër të botës. Në këtë mënyrë kthyen njëfarë gjallërie që prej kohe mungonte në atë monotoni vrasëse që mund të shndërronte edhe shenjtorët në maniakë.
Kur klientët vinin, i shoqi, Petriti fillimisht i qeraste me ndonjë raki, nga ajo që zinte vetë, i bënte të ndjeheshin rehat dhe të hiqnin çdolloj dyshimi që ai qe tip xheloz apo ruajna Zot, hakmarrës. Jo, ai tashmë qe mësuar me këtë gjë. Më këtë pakt me djallin!- siç i tha njëherë një myshteriu teksa u zgërdhi duke shpërveshur buzët dhe nxjerrë dhëmbët e zverdhur nga nikotina. Madje po ja merrte dorën kaq mirë, sa shpesh fillonte edhe e eksitonte kjo punë që fillimisht i qe dukur e ndyrë. Ndjesi të përziera i vinin sa herë që vinte syrin dhe përgjonte nga një hapësirë e ngushtë me xham, përmbi derë të shoqen teksa kjo e fundit kryente ritualin e vjetër. Kishte përshtypjen se edhe asaj sikur kishte nisur t`i pëlqente kjo punë, të paktën me raste. Ose të paktën siç i dukej atij, nuk është se hiqte shpirt, kur ndonjë nga ata barkderrat e zonës i kërcente përsipër me epsh të paparë.
E kështu, dita-ditës, Petriti i kishte dhënë udhët një jetese komode, të qetë, parazitare dhe megjithëse hante turpin me bukë, kjo gjë nuk i bënte më përshtypje. Fundja, e kishte ndarë mendjen se do të rrinin në atë vrimë të mallkuar edhe ndonjë vit maksimumi dhe më pas do të largoheshin në vorbullën e kryeqytetit. Ose do të hidheshin matanë kufirit ku këtë biznes nuk kishte pse mos ta vazhdonin. Thjesht u duhej një kapital fillestar të cilin ai kujdesej mos ta shpërdoronte krejt me të pirë dhe te llotua e fshatit.
Artës në fillim i dukej se me këtë punë kishte fituar një lloj lirie të mohuar më parë nga i shoqi. Ai nuk vinte më dorë mbi të, nuk i duhej të duronte shpesh duhmën e tij sipër dhe klientët kishte mundësi t`i zgjidhte disi, duke përjashtuar disa tipa që i kallnin krupë. Të paktën për këtë kishte këmbëngulur që në fillim dhe e kishte arritur. Kishte tek-tuk edhe ndonjë klient që e trajtonte mirë dhe që vetë ishte afeksionuar disi. Por pjesa më e madhe e kësaj pune që pune i thënçin ia çonte zorrët te goja. Ajo i kishte bërë disi llogaritë ndryshe nga i shoqi. Sapo të hiqte mënjanë ndonjë lek, shpesh nga ato që hiqte mënjanë nga bakshishet që merrtë nga klientë të kënaqur, do të shporrej nga ky vend i trishtë, ku damka e turpit luante me moralin e dyfishtë të zvetënuar të banorëve të përhumbur. Lekët i fshihte me mjaft kujdes në një gropë të hapur mes bahçes, fshehur kujdesshëm nën një rrënjë hardhie.
Një ditë erdhi për ritualin e mbasdites, një vizitor i pazakontë. Ai ishte as më pak, as më shumë, shoku i ngushtë i burrit, Sofua. Petriti fillimisht kujtoi se erdhi për ndonjë dorë muhabet dhe pasi i zjeu një kafe dhe shkëmbyen duhan, u ul përkundruall dhe nisi ta pyeste për gjëra të zakonshme, pak muhabet për motin, pak politikë dhe pak për prodhimet e pakta të tokës këtë vit thatësire. Ndërkohë po shihte që miku i tij i vjetër sikur nuk po ia ushqente bisedën.
“Çoç do ketë ndonjë hall”- mendoi me vete dhe u tërhoq disi nga pyetjet e njëpasnjëshme për ta lënë Sofon të dilte vetë në temë.
Sofua pasi u përtyp nja dy herë, i tha që kishte ardhur për atë punën.
“Për kë punë?”- i tha pa ngritur sytë Petriti pa guxuar ta çonte mendjen te ajo që e ndjente instinktikisht.
Pasi uli sytë në dysheme, Sofua u përgjigj me zë të mekur: “për tët shoqe”. Dhe shtoi ashtu si nëpër dhëmbë: “pa merak, pagesën të plotë si gjithë të tjerët”.
Petritit iu err pamja, iu rrotullua dhoma përmbi kokë dhe për herë të parë pas kaq kohësh, i erdhi ndot nga puna ku ishte përfshirë. Pas krupës që ndjeu në fillim, një si valë urrejtje nisi t`i vlonte përbrenda ndaj shokut, por edhe të shoqes, të cilën tashmë e shihte si një copë kurvë që ndoshta e bënte për hobi gjithë këtë. I shkoi mendja edhe se mos ndoshta këta të dy palloheshin me kohë, pas krahëve të tij, dhe mezi kishin pritur ta legalizonin aktin e tradhtisë së tyre. Ndaj pasi u mendua disa sekonda të pafundme, e treti vështrimin përmes dritares dhe me shpinën kthyer shokut, i tha që për të nuk kishte problem. Mjaft të linte lekët mbi tavolinë dhe të vazhdonte në dhomën tjetër ku kishte një orë kohë. Sofua u ngrit si me përtesë dhe me pamje thuajse të penduar, u drejtua ngadalë për nga dhoma e Artës, një çast ky që kishte kohë që e kishte pritur për hir të së vërtetës.
E gjeti atë gjysëm të zhveshur, me një fustan nate të kuq që i zbriste deri te gjunjët, dhe ku gjinjtë nxirrnin kokë si dallëndyshe të trembura gati për të shpërthyer në buzët e tij të etura. E pa me sy të turbulluar, me gjakun që i ishte ngrohur disi nga rakia dhe mezi ç`priti t`i hidhej sipër. Ajo e vuri re shikimin e etur të tij dhe vendosi atypëraty t`i jepej pa hezitim, ndonëse me njëfarë sikleti se me të shoqen kishin shkëmbyer dikur vizita familjare dhe fëmijët shkonin bashkë në shkollë. Sofua ishte kokëlakër, me flokët e verdhë në ngjyrë të kallirit të misrit, sy bardhë me nuanca që ndërronin shpesh dhe me trup të lidhur, pak leshator dhe me gjatësi mesatare. Ajo që e bënte akoma më ndjellës ishte sjellja si e turpshme e tij, një sjellje djaloshare nga e cila femrat ndillen gjithnjë.
Ai e rroku si i marrë, me një zjarrmi që po e digjte e mezi ç`priste ta shuante, por Arta e zmbrapsi sulmin e parë, duke u përdredhur hijshëm dhe duke luajtur koketën në një vend që ndillte veç ashpërsi. Tashmë ajo ishte mësuar me burrat. Dinte çfarë i tërhiqte ata dhe çfarë i tërbonte. Duhet të luante si macja me miun. Ajo e dinte që edhe dikush tjetër po i vëzhgonte ndërkohë. Kjo do të ishte një hakmarrje e këndshme.
Pasi mbaruan, i rrëshkiti një letër në xhepin e pasëm. Kishte shkruar aty veç pak fjalë që pati kohë t`i hidhte në letër gjatë kohës që ai po mbërthehej. E dinte që i shoqi po i përgjonte gjatë gjithë kohës dhe do ta vuante në kurriz çdo rënkim të mbytur që i kishte shpëtuar. Sofua e pa por nuk foli. Madje vendosi ta hapte letrën vetëm kur të ishte larg shtëpisë. I trembej inatit patologjik të Petritit tashmë që ia lexonte te sytë e tij të ndezur si dy thëngjij në errësirë. “Epo mik tumirëmbetsh”- i tha pa i shtrënguar dorëm dhe duke u përpjekur të gremisej sa më parë nga ajo shtëpi që mbante një barrë të rëndë”. Petriti e pa për herë të fundit me një inat që i vinte t`i ngulte ndonjë kamë mbas shpine dhe pastaj mbylli derën i heshtur dhe klithi me zë të çjerrë: “Artaaa…. Ku je kurvë? Ec këtu se ta ndreq unë qejfin!”- tha me një ndjenjë ku përziheshin urrejtja e thellë me një eksitim kafshëror, ku vetëm po ta përdhunonte dhe ta rrihte paq mund të ndjehej deri diku i ngopur. Ndërkohë i kishte hedhur disa gota dhe ndjehej mëse i ngrohur. Sytë i kishte disi të vagullt ndërsa në kokë kishte një si zukatje që nuk po rreshtte.
ùArta nxitoi nga dera e mbasme, rroku me shpejtësi thikën e mishit, e fshehu mbas vedit dhe priti e qetë. Një si nakatosje po i vinte përfund stomakut por e mbajti veten dhe foli:
“Këtu jam. Çfarë do?”
“Dua të t`ëmë në valle, ja ç`dua”- iu përgjigj me tërsëllëm burrë mavria. “Kujt i përdridheshe me aq qejf qëparë moj kurvë, moj lavire?”- vazhdoi ai duke hedhur stërkala pështyme ndërsa fliste.
“A nuk kemi rënë dakord ta bëjmë këtë punë për të mbushur barkun? Apo vetëm kur merr verdhushkat zotrote të vjen mirë? Po fëmijët kush do i ushqej apo t`i lëmë të vdesin për një çap bukë…”.
Por nuk arriti ta mbaronte fjalinë, pasi Petriti, ndërsa po hiqte rripin e pantallonave, ia flakëroi një turinjve me sa i hante shputa. U plandos përdhe, ndërkohë që ai vazhdonte të rrihte si i çmendur me një inat që nuk po i dilte sa t`i nxirrte shpirtin vendit. U kujdes që thikën ta shtrëngonte fort pas vete edhe në rënie e sipër dhe në një moment, kur ai si i çakërdisur po i binte me grushta e pëllëmbë në fytyrë e ku të mundte, e nxorri vrikthi dhe pasi e shtyti me gjunjë, i ra me të. Thika e zuri në vendin më të keq të mundshëm. As më pak, as më shumë, por te burrëria e tij. Zuri të vikaste me një klithmë të padëgjuar sa kishte frikë mos mblidhej gjithë mëhalla. Fatmirësisht fëmijët nuk ishin kthyer ende. Djalin e kishte në fillore, klasë të tretë, ndërsa vajzën në kopësht me drekë. Duhej të nxitonte, të vente t`i merrte vetë, ndërkohë që nuk dinte si të bënte me këtë mavrinë që po përpëlitej në një pellg me gjak. Nuk ishte e sigurtë sa e kishte dëmtuar, nga njëra anë kishte frikë mos vdiste ndërkohë, nga tjetra uronte mos të ngjallej më kurrë. Kishte frikë të merrte në telefon policinë por edhe të lajmëronte mjekun e fshatit mos e kallëzonte. Në hallakatje e sipër, telefonoi shoqen e vetme që kishte në atë qytet-fshat të zbërdhylët.
“Diana ti je?”- foli ndërsa përpiqej ta mbante veten nën kontroll.
“Çkemi Arta, si je sot?”- iu përgjigj një zë i lodhur nga ana tjetër e kabllit. Diana në fakt ishte moshatare me të, por ishte gjithë kohën si e topitur. Pinte jo më pak se tre-katër paketa në ditë, dhe herë-herë bëhej tapë me konjak të lirë vendi. Ishte beqare, aspak e paraqitshme dhe ca kile mbi peshë. Seç kishte dhe një zë pak të çjerrë që të acaronte sidomos duke marrë parasysh faktin që nuk i mbyllej e shkreta gojë. Megjithatë qe shpirt njeriu, aspak paragjykuese ndaj saj, ndonëse e kishte ditur që ditën e parë se me ç`merrej dhe pa ato dogmat e thata të moralit fals që mbretëronin në këtë qytet, të ngjashëm me gjithë qytetet e këtij kallëpi. Qytetthe ku gëlon thashethemnaja dhe një kod i shtirur etike dhe morali të pandryshuar prej motesh që në fakt stërpërsëritin stereotipe të skalitura nga koha në gurin e kujtesës.
“Diana, mos pyet, por të lutem eja sa më shpejt nëse ke mundësi. Më ke në shtëpi”.
Megjithëse mezi mundi ta përmbante veten nga hyrja në një dialog telefonik me shoqen që dukej qartazi se ishte tmerrësisht e shqetësuar, Diana e përmbajti veten, shqiptoi një okej të lehtë dhe pasi mbylli aparatin nxitoi të vishej me shpejtësi. Gjysëm ore fiks më mbrapa ishte duke iu mbajtur fryma, para derës së shoqes së vet.
“Erdha unë, si është puna”?- shpejtoi të thoshte në gulpe.
Arta, që ishte bërë si e ndërkyer, i hodhi një vështrim përciptazi dhe bëri me kokë nga dhoma e gjumit, ku i shoqi tashmë po rënkonte me zë më të ulët. Ishte në dhimbje të madhe dhe ajo i kishte dhënë veç nja dy qetësues që iu ndodhën në shtëpi shoqëruar me një dopio rakije dhe këto sikur kishin bërë një efekt të pjesshëm. Diana pa e tmerruar nga Petriti i shtrirë sa gjatë gjerë mbi kanape dhe duke mërmëritur u kthye nga shoqja dhe me fytyrë të hequr tha: “U çmende gjë? Ky po vdes. Çfarë i ke bërë?” Monda pa shpërfilltas sikur të bëhej fjalë për dikë që nuk kishtë të bënte me të, hoqi një baluke që i kishte zënë sytë me të pasmen e syve dhe u përgjigj serbes-serbes, se ia mori burrërinë të shoqit kur u përpoq si kafshë të vriste atë vetë. “Por për fat të keq vetëm sa e lëndova pak, nuk vdes ky qen”- shtoi me një siguri për t`u pasur zili në zërin e saj disi të mekur. Pa, ç`pa, Diana e tërhoqi prej supesh, i tha t`i shpjegonte me qetësi si ishte puna dhe cfarë plani kishte në kokë. Pasi folën për rreth pesë minuta konkluduan që zgjidhja më e mirë, ishte që Diana të ishte aty prezente, ndërkohë që telefononin policinë dhe ndihmën e shpejtë, ndërsa Arta shkonte të merrte fëmijët nga kopshti dhe shkolla dhe t`i conte nga e jëma e saj pak kohë, sa të qetësoheshin gjërat.
Diana duhet të jepte dëshmi të paanshme në rast se i shoqi broçkulliste dhe thoshte që ajo u përpoq ta vriste, ndërsa ai thjesht po bënte detyrën bashkëshortore kur e kishte kapur në flagrancë me tjetrin dhe i kishte nja dy flakërima në inat e sipër. Dhe në fakt, sikur t`ia kishte lexuar mendjen, kjo ishte ekzaktësisht çfarë ai u tha nja dy policëve me uniformë dhe një oficeri, veshur civil, kur ata mbërritën rreth dy orë pasi ishin lajmëruar dhe ai kishte humbur dy herë ndjenjat. Në interval një ambulancë e shkatërruar kishte mbërritur dhe kishte dhënë ndihmën e parë. Policët të cilët mbërritën fill pas saj, erdhën në kohën kur i plagosuri po transportohej për në poliklinikën e qytetit. Mundën t`i rrëmbenin me shpejtësi versionin e mësipërm të renditjes së fakteve, ndërsa Diana mundohej ta ndërpriste dhe të mbronte me fanatizëm shoqen në mungesë. Një nga policët pasi e pyeti kush ishte, i tha ta qepte pa e zgjatur. Më vonë do të merreshin edhe me të.
Arta gjatë kësaj kohe kishte çuar fëmijët në shtëpinë e pleqve, kishte llafosur me ta për gjendjen dhe pasi kishte dëgjuar edhe këshillën e tyre, u nis për t`u kthyer në shtëpi. Ndryshe do të quhej largim nga vendi i krimit. Policët sa e panë të afrohej, i hodhën prangat pa një, pa dy. Nuk arriti dot as të shpjegohej. Me bisht të syrit pa nga shoqja që po dëneste në një cep të dhomës dhe po i bënte disa nojma që nuk po i kuptonte. Por nuk pati kohë të shkëmbenin nja dy fjalë, pasi e morën tutje.
Në rajon ku e çuan, rrinte e heshtur, me mendjen gjetiu dhe nuk po i bënin përshtypje as pamja e degraduar e mureve të palyer, as shtëllungat e duhanit që pihej lirshëm nëpër zyra, as pamja kërcënuese që mundohej të mbante hetuesi kryesor. Kërkoi të shkonte në tualet dhe pa që aty ishte një ferr i vërtetë, mungonte letra higjenike dhe kishte një pisllëk ngjitës që të bënte të vije kujën. Doli shpejt, u kthye në atë zyrën e vogël, mbushur plot me burra dhe kërkoi të tregonte versionin e saj të historisë. E lanë të fliste, dëgjuan me ndonjë ndërprerje harbutçe, ndërsa sytë u tregonin mosbesim.
Atë natë provoi për herë të parë qelinë, kur e futën në paraburgim, ndërsa fiks 24 orë më pas iu desh të dilte përpara një gjykatësi për seancën e vlerësimit të masës paraprake. Gjyqtari e la në burg, duke vendosur masën më të rëndë, burg pa afat, pasi ajo nuk kishte as morra, jo lekë që t`i vendoste si garanci dhe fakti që kishte lënë fëmijët vetëm, nuk piu aspak ujë. Data e parë e gjyqit ishte vendosur tre muaj më vonë. Gjatë kësaj kohe e lanë t`i takonte fëmijët vetëm njëherë. Por as ajo nuk donte t`i shihte më shpesh. I vinte aq keq kur shihte sytë e tyre të trishtuar tek e shihnin ashtu me keqardhje. Dyfish më e dhimbshme se dënimi që e priste me një siguri absolute që i buronte nga fakti që në këtë vend versioni i femrës nuk para dëgjohet. Femrat janë të mira vetëm për të dëgjuar, për të punuar, për t`u nënshtruar dhe dëgjuar çdolloj teke të mashkullit. Vençarisht të mashkullit patriarkal të provincës, të pandryshueshëm nga koha që rrjedh por nuk e punon si stalakitet mijëvjeçare që i kanë dhënë forma të mrekullueshme gurit në shpellat gëlqerorë.
***
Sikundër priste, verdikti përfundimtar i gjykatës së rrethit, që erdhi në kohë rekord, ndoshta edhe nga paaftësia e avokatit të caktuar kryesisht, ishte një dënim i skajshëm, më i rëndi që priste. Prokurori argumentoi që kishte qenë plagosje me dashje, vrasje e mbetur në tentativë dhe kërkoi një dënim kolektiv prej 15 vjetësh. Gjyqtari vendosi për 13 vjet. Vite që duhet t`i kalonte larg dritës së syve të saj, ndërsa ata do të rrinin me të shoqin, atë kafshën, që e kishte marrë veten plotësisht tashmë në saj të një ndërhyrje kirugjikale. Dhe ironia e të gjithë kësaj qe që opracioni u pagua me lekët që i kishte siguruar ajo, me punë kafshërore, ndërsa vetë doli si rruar qethur, pa lekë, pa katandi, pa fëmijë dhe në një burg të qelbur me femra ordinere për të cilat burgu qe bërë shtëpi e dytë.
Ky qe dënimi që erdhi si qershia mbi tortë në një jetë ku nuk kishte zgjedhje, nuk kishte dëshira, ëndrra apo shpresë. Një jetë e paracaktuar ku burgu fizik është ku e ku më mirë sesa ai shpirtëror. Ky ndoshta ishte çmimi që duhej të paguante për të qenë më në fund e lirë. E lirë brenda katër mureve ku do të kalonte një dekadë e kusur, por ku askush nuk mund ta përdorte, fyente apo qëllonte. Shpesh liria e ka një çmim dhe në rastin e saj ky ishte një çmim që e paguante me shumë dëshirë.
*Marre nga libri me tregime “Kohe pas kohe” i autorit Ilir Kalemaj