Home KRYESORE Restorant “Gjeli”… Nga Artur Nura

Restorant “Gjeli”… Nga Artur Nura

Unë jam rritur në një familje me shumë fëmijë dhe si pasojë në varfëri. Përtej kësaj, prindërit tanë ishin të prirur që, ndonëse me sakrifica, ne të rriteshim me shkollën e duhur! Në atë periudhë vetëm arsimi 8 vjeçar ishte i detyrueshëm. Por për prindërit tanë arsimi i lartë ishte bërë një qëllim i bukur për të ardhmen e fëmijët e tyre! Ime ëmë thoshte gjithmonë se është më mirë të dish se të kesh! Këtë filozofi popullore duket se ajo e kish realizuar në jetën e saj dhe në veçanti e përmbushi, bashkë me babanë, për fëmijët e vet. Sot i jemi të gjithë mirënjohës për atë përzgjedhje të mundimshme që kish realizuar!

Por në atë kohë një qëllim i tillë fisnik pa dyshim që përkthehej në stërmundim ekonomik dhe shpirtëror për të rritur dhe edukuar si duhet jo pak, por pesë fëmijë! Përkushtimi i tyre ndaj këtij qëllimi, kishte hasur edhe në kundërshti të caktuara në të afërmit tanë, të cilët, kishin sugjeruar që, për të përballuar varfërinë, fëmija e parë, motra e madhe, të fillonte punë dhe më vonë të studionte!

Por, një mendim i tillë ishte kundërshtuar me vendosmëri nga nëna jonë e cila kishte, edhe në këtë rast, filozofinë e saj popullore në raport me femrën dhe vajzat e saj! Ajo e rritur në një shoqëri patriarkale besonte se djemtë bëjnë si bëjnë, por vajzat pa dyshim që kanë më shumë nevojë për mbështetje në jetë!

Kjo filozofi e drejtë e nënës dhe babait tonë, edhe për shkak se tre fëmijët e parë ishin vajza, për t’u realizuar, kishte si zgjidhje vetëm keq-ushqyerje. Ne ishim nga fëmijët më të pangopur e të keq-veshur në ambientin ku u rritëm, ndonëse jo pa shije!

Kujtoj, sikur të ketë ndodhur veç pak vite më parë, kur mezi prisnim nënën tonë të vinte nga zyra dhe të sillte ç’kishte blerë me paratë paradhënie që merrte rregullisht!

Ajo bënte drekën në mënyrë të përshpejtuar dhe ne hanim të uritur ndërsa rrallë ngopeshim! Ujin e pinim me një lloj nxitje e cila vinte si ndjeshmëri midis urisë dhe etjes! Një nga gjellët më të përdorura dhe më të pëlqyera të asaj kohe ishte: qofte me lëng!

Fund-javët me familjen sot…

Tashmë me familjen time e kemi bërë zakon që fund-javëve të hamë drekë jashtë dhe kryesisht në bregdet. Peshku i freskët dhe vera e kuqe na bëjnë mua dhe bashkëshorten t’i gëzohemi më shumë ajrit të detit dhe sigurisht bukurisë së tij të veçantë!

Edhe fëmijët tanë mezi i presin këto ditë sepse kanë mundësi të luajnë dhe zhgërryen në rërë me një kënaqësi të jashtëzakonshme dhe të natyrshme. Herë pas here krijojmë edhe ekipe futbolli dhe mrekullohemi deri në çastin që shkojmë në restorant.

Aty, pastaj, fillojnë problemet. Fëmijët tanë, si shumica e këtij brezi, nuk dëshirojnë të hanë peshk, supat apo të tjera ushqime të vlefshme të gatuara në mënyrë të kontrolluar. Sigurisht as sallate tejet të shijshme nuk para i pëlqejnë. Ata preferojnë përgjithësisht patate të skuqura, sanduice e coca-cola…

Ndihem vërtetë keq nga kjo situatë dhe mundohem, vazhdimisht, t’u shpjegoj atyre se sa e rëndësishme është të dinë të hanë si duhet dhe kur duhet dhe sa e dëmshme është përzgjedhja që bëjnë zakonisht, etj. Në fakt, në shtëpi kur ulemi ne tavolinë plas sherri! Gjellët, mishin dhe sallatat ata në veçanti nuk i pëlqejnë dhe kështu nganjëherë më duhet edhe t’u bërtasë!

Nuk ndodh asnjëherë që gjatë të ngrënit të mos bërtitet dhe të mos i detyroj, veçanërisht djalin, që të hajë atë që duhet dhe jo atë që ai parapëlqen, apo zgjedh! Ka raste, kur ai shpreh edhe të drejtën e tij për të zgjedhur atë që do ai vetë dhe shton: është e padrejtë të më imponohesh kështu babi!

Senatori Italian në Tiranë…

Një ditë ndërsa shoqëroja një senator italian në një vizitë pune në Tiranë, ai më kërkoi të shkonim në një restorant ku të kishte mundësinë të shijonte kuzhinën shqiptare! – Atë kuzhinë që është më afër asaj që përdorin shumica e familjeve shqiptare ”“ më qartësoi kërkesën ai!

Shëtitëm shumë restorante ku kërkuam këtë mundësi dhe kudo na përgjigjeshin se ishte e pamundur një gjë e tillë! Të gjithë, ndërsa na përgjigjeshin negativisht shtonin se gatimi tradicional shqiptar ishte e vështirë të gjendej midis tyre dhe veçanërisht në qendër të kryeqytetit!

Ata, në pjesën më të madhe të tyre dhe me një italishte të çalë, nuk harronin t’i tregonin me krenari të pajustifikuar mikut italian dhe duke e parë në sy, se gatimi i tyre ishte ai Italian dhe se një gjë e tillë ishte tejet e pëlqyer edhe tek klientela shqiptare!

Sigurisht që pjesa më e madhe e tyre, kamerierë ose pronarë, sipas rastit, nuk e dinin se krenaria si fenomen njerëzor duhet të lidhet mirëfilli me diçka që të përket ty dhe jo me atë çka ke marrë nga të tjerët, por kjo është temë tjetër! Unë vetë, pa dyshim, duke njohur mirë personalitetin e senatorit, si dhe duke kujtuar bisedat e realizuara me të për kulturën dhe traditat shqiptare dhe italiane, ndihesha vërtetë keq në një situatë të atillë.

Një ide me erdhi në mëndje dhe u ndjeva deri diku i lehtësuar! Mendova se duke e çuar mikun tim tek “Restorant Gjeli” njëri ndër të parët dhe më të njohurit në Tiranë e që administrohej nga një i njohuri im, do mundja të plotësoja deri diku kërkesën e mikut! Ai restorant njihet për trajtimin e duhur që bën në gatimin e mishit të freskët, trajtuar gati si në hell…!

Në fakt, miku im Italian u kënaq me mishin e gatur shijshëm tek “ Restorant Gjeli”, por atij i pëlqeu më shumë shija e hallvës gatuar apostafat për të! Pas kërkesës këmbëngulëse për të provuar një ushqim krejt shqiptar, administratori i restorantit na sugjeroi të bënte hallvë dhe të na i ofronte në fund si ëmbëlsirë!

Tek e shihja të shijonte me shumë kënaqësi atë ëmbëlsirë, e cila në fakt duhet të jetë më shumë turke se shqiptare, ndjeja një shije të hidhur brenda meje! Sigurisht që unë nuk i tregova atij se hallva në traditën shqiptare përdoret kryesisht vetëm në mort dhe në nder të dikujt që ka ikur përgjithmonë…!

Restoranti tjetër me të njëjtin emër…

Atë të diel për shkak të kohës së keqe vendosëm të mos shkonim në breg të detit. Ime motër, krejt rastësisht, më tregoi në telefon se kishte shkuar në një restorant ku kishte kuzhinë shtëpie tironce! Po më thoshte se i ishte kujtuar gatimi i nënës tonë të dashur…!

Kështu që, pasi morëm adresën edhe ne vendosëm të shkonim për drekë tek i njëjti restorant. Ishte një apartament i dikurshëm dhe organizuar në mënyrë mjaftë interesante si restorant. Tavolina të thjeshta dhe me karrige të rehatshme dhe të thjeshta.

Nuk e dija që kërkesën e senatorit italian për të provuar gatim shqiptar, do ta plotësoja shumë mirë po ta kisha çuar vetëm pak më tutje në një restorant krejt modest me të njëjtin emër: “Gjeli”. Emërtimi i huaj Restorant nuk gjendej në tabelën mbi hyrje, por atje jam i sigurt qe jo vetëm kërkesa e mikut italian do përmbushej deri në përsosmëri, por edhe unë vetë do të kisha një kënaqësi e cila më mungonte prej kohësh!

Dukej qartë që menaxherët ishin të gjithë familjarë dhe e folura e tyre ishte tipike tiranase si ajo e nënës tonë! Pasi ulemi, hedh një sy tek menyja e vendosur në mure mbi një tabelë të bardhë dhe shkruar me germa të zeza: Kos, tasqebap, pilaf, bamje, supë pule, qofte sade, qofte me lëng, krem buding…etj

– Kamerier! Për mua, qofte me lëng, pilaf dhe kos!
– Si urdhëroni!
– Edhe për mua qofte me lëng, pilaf dhe kos, ”“ tha menjëherë dhe im bir! Pas tij edhe vajza ime bëri të njëjtën zgjedhje! Ime shoqe, mori vetëm një sallatë!

Ndërsa kamerierja, një zonjë mbi të 55-at, solli porositë dhe filluam me pak ngërç të hanim, vura re që edhe buka aty ishte e zezë, si ajo që ne dikur, në kohën kur jetonin prindërve tanë na sillnim në shtëpi. – Buka e zezë 40-she. ”“ mendova dhe fillova të shijoj lëngun e qofteve që ishte i njëjtë me atë që bënte nëna jonë. Miell i përzier me pak salcë ose domate. Kafshova qoften e parë! Krejt shija e atyre që bënte nëna jonë!

Share: