Që në fillim, ideja se Kadare kishte projektuar librat e Shqipërisë historike pikërisht në ‘post Age of liberation’, me bllokun e romaneve të Shqipërisë, në kohën kur vendi gërryhet nga revolucioni, u bë çështja dhe teza ime kryesore e këtij studimi. Mendimi se ai ndërtoi tempullin e letërsisë universale duke shkruar veprat e Shqipërisë së përjetshme, më bënte të besoja se ai me vetëdije u shndërrua në një shërbestar apo murg të saj.
Gjithmonë dëshira për ti lexuar shkrimtarët, ka qenë prirja e lexuesve kudo qofshin ata në cepat ndritur apo të harruar të botës, pavarësisht gjuhëve dhe origjinave të tyre. Lexuesi, qoftë ky i zakonshëm apo i specializuar, kur është përballur me vepra të mrekullueshme të letërsisë, ka mbajtur përgjithmonë fuqinë e bukurisë të saj. Bota njerëzore e mbushur me psiqikë, shpirt dhe mendime ka vendosur kështu shkëmbimin e saj me banesën e përhershme të njeriut, planetin. Gjuha me të cilën është endur njeriu në tekste, mbushur me fjalë, thurur prej shkronjash, shndërrohet në gjuhën e universit ku kufijtë e gjuhëve shemben sikur të mos kenë ekzistuar, e të krijohet bindja se fuqia e krijimit të letërsisë të ketë sfiduar shumë-gjuhësinë e kufizuar.
Nga Buzuku tek shkrimi i veprave të letërsisë, në retrospektivën e kujtesës, qëndron përpjekja për të dokumentuar dijen për shqiptarët. Rëndesa e kësaj dije autentike, dëshmohet prej Buzukut, pikërisht në Kolofon, cituar në këtë fjali të shkruar prej tij. ‘Gjithë atyne t arbëneshëve gji ta marrënë me e xgjedhunë e me xanë’[1] Ndërsa Kadare në shekullin e XX-të do të shkruante romanet e Shqipërisë së përjetshme, duke u kthyer pas në historinë e Shqiptarëve.
Të lexosh Kadarenë si shkrimtar, kupton se temat që ai përzgjedh dhe koha që ai risjell në letërsi, i takon çështjeve të identitetit të shqiptarëve në historinë e tyre. Shqipëria historike do të bëhej cikli i romaneve që e krijuan shkrimtarin[2]. Këto romane nuk janë vetëm letërsi, por një dëshmi e Shqipërisë, një dëshmi për historinë e saj. M. Druan, sekretar i akademisë së Francës dhe A. Plantey, do ta shikonin me këtë vështrim veprën e Shqipërisë së Kadaresë, i cili i ka bërë një shërbim jo vetëm letërsisë botërore por vendit të tij veçanërisht. Kadare do të mund të projektonte librat e Shqipërisë historike pikërisht në ‘post Age of liberation’. Ai krijon bllokun e romaneve të Shqipërisë, në kohën kur vendi gërryhet nga revolucioni. Ai ndërton tempullin e letërsisë universale duke shkruar veprat e Shqipërisë së përjetshme.[3] Ndërsa propaganda krijon histori masive, krijon psikozën kolektive të masave Kadare hedh baza të tjera, pasi me vetëdijen më të lartë ka kuptuar lëvizjen rrethore të kohës, qarkun e saj ciklik. Presioni politik asgjësues është i pafuqishëm përballë gjenisë krijuese të shkrimtarit!
Duke shkruar këto libra të historisë së Shqipërisë së përjetshme, ai vazhdon atë që pa frikë do ta quaja shkolla e nacionalizmit të letërsisë shqipe.
Ndërsa hebrenjtë pas holokaustit dhe armenët e pas gjenocidit, i kthehen etnisë së tyre duke e përdorur këtë argument historik në rilindjen e etnisë së tyre, me bllokun e romaneve të lartpërmendura Kadare ndërton etninë e Shqipërisë së përjetshme. Kjo etni është boshti i Shqipërisë historike.
Me anti-otomanizmin në të vërtetë ai i rikthehet identitetit të etnisë kombëtare në periudhën kur internacionalizmi ishte bërë parimi i bllokut lindor të shteteve ku identiteti tkurrej e rrudhej prej perandorisë komuniste e cila degjeneroi në diktaturë të egër.
Ai heq paralele midis perandorisë otomane dhe perandorisë komuniste. Sipas tij, të dyja perandoritë vijë nga lindja, dhe popujt e lindjes janë vazhdimisht në përballje me rrezikun dhunës, gjenocidit, shpërbërjes, shuarjes.
Ai sjell frymën kundër asimilimit të identiteteve në periudhën e perandorisë komuniste. Ngjarjet që ai i vendos në historinë e Perandorisë osmane na udhëheqin në kohën e shkrimit të veprave. Ka një dy-kohësi të habitshme. Një të kohës në të cilën vendos ngjarjet dhe një të kohës në të cilën shkruhen veprat.
Këto romane historikë njëkohësisht janë romane të letërsisë botërore. Të përkthyera në shumë gjuhë të botës, këto romane kanë tërhequr vëmendjen e botës letrare të shekullit të XX.
Kompozicioni i tyre, përshkrimi i mjedisit, alegoria, kodet e fshehta të leximit, kanë bërë që kritika botërore ti qaset Kadaresë, duke zbuluar përmes mjeshtërisë së autorit, dëshmi të historisë qindravjeçare të Evropës së ndarë më dysh, midis lindjes dhe perëndimit prej një kohe të largët, në periudhën e dy perandorive të lindjes, së cilat në rënien e tyre do të sillnin edhe luftërat botërore. Në fakt luftërat kishin nisur pikërisht në këtë rajon përgjithmonë të tronditur.
Shqipëria e mjedisit të Ballkanit modern të shekullit të XX-të me rrënjët në qytetërimin e hershëm Ilirik, është arkeologjia e shtratit arketip, të mbushur me vepra të letërsisë botërore. Gadishulli është bërë përjetuesi dhe dëshmuesi i ngjarjeve universale. Ati i tragjedisë, Eskili ka jetuar këtu së bashku me dramat e humbura. Këtij humbësi të madh vetë Kadare i ka kushtuar një ese si një rrugë për ti kumtuar botës së shekullit të ftohtë rënien e qytetërimit në një verbërim izolues.
Kadare si pararendësit e tij letrarë, shkruan veprat e Ballkanit modern të perandorive lindore ku nën sundimin e tyre janë shformuar, rrezikuar të shuhen etni dhe kombe dhe popuj.
Akademia Franceze dhe përfaqësuesit zyrtarë të saj janë shprehur, se Shqipëria përmes magjisë së stilit ka hyrë në historinë e përjetshme. Shqipëria historike është një vlerë e pamohueshme në romanet e Kadaresë.[4]
Duke kapërcyer rajonin e Ballkanit, duke u bërë pjesë e tërësisë evropiane, duke iu bashkëngjitur letërsisë botërore Kadare padyshim mbetet shkrimtari universal. Letërsia mbetet atdheu i tij i përhershëm pavarësisht etnisë e cila e gjendet në themel të veprave të tij si peshë e rëndesës. Ai ka fuqinë ta shndërrojë letërsinë e tij në një letërsi universale, duke mos dëmtuar as njërën as tjetrën. Ekuilibri midis lokales dhe universales duket sikur të jetë shkrirë në lëndën që mban peshën e arkitraut të ngrehinës së totalit në veprën letrare të Kadaresë.
Letërsia e krijuar në Evropë, nga Mesdheu në veri të saj dhe nga lindja në perëndim do të mbetet një pasuri e jashtëzakonshme për kulturën e Evropës. Në të gjitha kohët shkrimtarët e Evropës, Homeri, Eskili, Virgjili, Ovidi, Dante, Servantes, Shekspiri, Hygoi, Gëte, Dostojevski, Kafka, Kadare, do të mbeten përgjithmonë një pasuri e saj.
[1] Buzuku, – Kolofoni
[2] Përcaktim i imi në lidhje më këtë studim si çështje e temës
[3] Përcaktim i imi, si çështje e këtij studimi
[4] Henri Amovorox, Akademia Franceze
Nga Entela Safeti Kasi
Foto eshte realizuar nga Dritan Abdiji- Tetove