Home KRYESORE Sistemi i Shëndetësisë sipas meje!

Sistemi i Shëndetësisë sipas meje!

Nga Petrit Vargu

Një hap larg katastrofës! Këto fjalë më vijnë në mendje për të shkruar këto dy rreshta rreth situatës dramatike në të cilën ndodhet sot shëndetësia shqiptare dhe mjekësia si pjesë përbërëse e saj…
Nuk është vështirë të vësh re sot zona të tëra rurale dhe jo vetëm, të pa mbulura me mjekë. Nuk është vështirë të shohësh sot spitale qytetesh të vogla në të cilët mungojnë mjekët specialist duke i kthyer këto spitale në qendra ku jepen medikamente tre herë në ditë (natyrisht, ato që janë) dhe ku pacientët e pakët që janë zgjedhin t’i kenë dhomat pranë njëri-tjetrit pasi ankthëzohen nga zbrazëtia e spitalit që bëhet më rrënqethëse kur muzgu vjen.

Nuk është vështirë të shohësh në Q.S.U.T njerëz që kanë udhëtuar natën nga skaje të ndryshme të Shqipërisë për të takuar specialistin e rradhës (të munguar në spitalin rajonal që ndodhet pranë tij) i cili do t’i japë zgjidhje për pathologjinë e dyshuar për të. Nuk është vështirë të shohësh familjarët e pacientëve që renden me receta në dorë pranë farmacive që kanë përmbytur rrethinat e Q.S.U.T-së dhe të spitaleve të tjera, për të blerë ilaçe shpresëdhënëse të cilat mungojnë në Q.S.U.T.
Nuk është e vështirë që të shohësh autoambulancat me logot e spitaleve private të cilat vijnë në Q.S.U.T dhe marrin pacientin e rradhës dhe për ta dërguar në qendrën e tyre. Nuk është e lehtë të shohësh sekserët e funeraleve të cilët si hiena vërsulen mbi familjarët e pacientëve (sapo sinjalizohen që dikush ka ndërruar jetë) për të ofruar shërbimin e tyre privat natyrisht me kupon tatimor. Nuk është e lehtë të kuptosh përse medikamentet sot në kartelat klinike shkruhen vetëm me formulën kimike dhe jo me emrin e tyre tregtar. Nuk është e lehtë të kuptosh përse pikërisht sot me një lëvizje të tipit “ deux et machine” imperativi i rradhës i shëndetësisë shqiptare është informatizimi i sistemit shëndetësor shqiptar dhe jo problematika e përditshme që hasim dhe jetëgjatësia e popullsisë.

Është e vështirë ta kuptosh dhe e lehtë ta shpjegosh përse në urgjencat e disa spitaleve tona janë vendosur kamera që dërgojnë imazhet e tyre deri te drejtorët e spitaleve. Është e lehtë ta kuptosh dhe shumë e vështirë ta shpjegosh përse në stafet drejtuese të Ministrisë së Shëndetësisë gjenden njerëz pa kurse manaxheriale, pa lidhje me partinë që fitoi zgjedhjet dhe pa asnjë mjek që të dijë të paktën pesë funksionet e aspirinës.

Në këtë amulli njerëzish, faktesh, ngjarjesh, bie në sy një propagandë e madhe për të treguar që mjekësisë po i ndryshon fytyra.  Kuptohet, kur në një staf nuk ke asnjë mjek ose më saktë asnjë njeri që të ketë bërë qoftë edhe një workshop për organizim shëndetësor, produkti do të jetë ky. Por, që të hartosh një strategji totalisht të gabuar të mjekësisë për të gabuar reformën shëndetësore, gjë që nuk bëhet në një ditë, një javë ose një vit, por ke pasur 8 vjet kohë që të vëzhgosh dhe të hartosh, ke një pafundësi njerëzish që mund të diskutosh dhe mund t’i konsultosh, kjo është e pafalshme.

Këto janë pesë pikat e reformës Beqaj

1. Të sigurohet autonomia spitalore. Ngritja dhe funksionimi i bordeve është një element shumë i rëndësishëm në këtë proces.
2. Të miratohen protokollet e diagnozave për shërbimin spitalor, të cilat do të orientojnë më drejt procesin e financimit me synim përdorimin me efektivitet burimeve.
3. Procesi i akreditimit të institucioneve spitalore, është një kërkesë e domosdoshme, për të kontraktuar spitale që japin shërbime brenda standarteve të përcaktuara.
4. Duhet të synojmë një menaxhim shumë të kujdesshëm të këtyre financimeve.
5. Lidhja e financimit të spitaleve me treguesit e aktivitetit e të cilësisë së shërbimit është e domosdoshme në procesin e përdorimit me efektivitet të fondeve

Sipas meje, reforma në shëndetësi duhet të ketë këto pika :

1. Riorganizim total i urgjencave, ku me urgjencë kuptohet që nga edukimi në familje, urgjenca në rrugë, stadium etj, deri në angioplastikën primare dhe trombolizën.
2. Shërbim parësor privat në bashkëpunim të ngushtë me ISKSH. Mjeku i familjes të mos jetë kancelar i mjekut specialist.
3. Ministria të heqë dorë nga funksioni blerës. Ajo është për të krijuar strategji, standarde etj.
4. Decentralizim, ku hapi i parë është forcimi i spitaleve rajonale. Të fillojë koncepti i pjesëmarrjes së Bashkisë në manaxhimin e spitaleve.
5. Të krijohet Observatoriumi që mbledh të dhëna shkencore dhe cakton detyrat për çdo klinikë të Q.S.U.T, cilat duhet të jenë ndërhyrjet dhe arritjet për përmirësimin e Shërbimit Terciar.
6. Duhet të krijohet evidence-based-medicine, ku vërtetohen efektet e ilaçeve, kostot e këtij efektiviteti dhe efektet anësore. Në bazë të kësaj të krijohet lista e barnave të rimbursueshme dhe jo nga tekat e profesorëve.
7. Të krijohet për të parën herë reparti i Geriartrisë dhe të krijohen shtëpitë e para të kurimit për moshën e tretë të cilat do të ulin kostot e spitaleve, pasi do të heqin pjesën më të madhe të sëmurëve kronikë të moshës së tretë.
8. Të ndahet Shefi i Shërbimit nga Shefi i Departamentit, pasi ky i fundit ka të bëjë me mësimdhënien ndërsa Shefi i Shërbimit ka të bëjë me manaxhimin e punës në mjekësi dhe me klinikën.
9. T’i jepet dorë mjekëve të rinj të specializuar jashtë shtetit, që janë gjithashtu edhe baza e reformës shëndetësore.
Keto i kam degjuar ne psheretimat e heshtura te pacienteve te mi. Po ju Zoti Minister ku e mbeshtesni kete reforme koncesionesh e privatizimesh thellesisht te djathte?

Share: