Nga Mentor Kikia
Sot shumë shqiptarë kanë ikur, e po ikin, duke kërkuar azil në Perëndim. Disa janë kolegë të mitë, gazetarë, që kanë sajuar ca histori kërcënimesh me kriminelë e ISIS-ra. Të tjerë shqiptarë ikin e thonë se jam homoseksual, e në Shqipëri më persekutojnë. Disa sajojnë ndonjë copë letër sikur janë në hasmëri gjakmarrjeje. Disa sajojnë edhe persekutime politike. Ca të tjerë ikin “me kismet, të dalë ç’të dalë”.
Unë dua të iki, por nuk kam asnjë prej këtyre arsyeve dhe nuk dua të marr mundimin ti sajoj.
Unë dua të iki, sepse nuk e duroj dot më këtë klasë politike mashtrusese. Nuk duroj hipokrizinë e hajdutëve, kur i shikoj të flasin në parlament “për interesat e popullit dhe të vendit”. Nuk i duroj politikanët(kot lodhesh ti quash të majtë e të djathtë, këta s’kanë as krah, as ideale) ndërsa tallen me popullin më të varfër të Europës. Ma ka shpifur klasa e biznesmenëve, që pasurohen me paratë popullit, duke bërë shoqëruesin e dhëndrit(kryeministrit, sipas radhës) të cilit i mbërthejnë zinxhirin se herë pshurroset nëpër botë. Ma kanë shpifur zyrtarët e vegjel, që kapardisen si shefat e tyre dhe që kërkojnë rryshfet për çdo letër që duhet të të firmosin. Ma shpif kur dëgjoj që duhet të vendosë deputeti edhe se kush do të punojë si bojaxhi në spital. Ma kanë shpifur gjykatësit e prokurorët që shesin me para lirinë e kriminelëve, apo drejtësinë për hallexhinjtë.
Ma kanë shpifur edhe shqiptarët e thjeshtë, ata që shqyhen e cirren mes tyre, kur zihen për partitë. Ma kanë shpifur votuesit që shesin votën për 20 mijë lekë të vjetra. Ma kanë shpifur ata që vihen në rresht si delet, që votojnë qorrazi duke thënë: hë mo se të gjithë njësoj janë.
Ma kanë shpifur edhe ata, të paedukatët, që pëllasin rrugëve, që u bien borive të makinës edhe kur semafori është mbyllur, edhe kur këmbësori ecën tek vijat e bardha. Ma kanë shpifur edhe ata që hedhin plehrat nga dritarja, që i lënë në ashensor, apo ti lënë në kabinë të makinës kur del në mëngjes.
Parë në këtë këndvështrim, ky popull ka bash mu politikën dhe qeverinë që meriton, madje unë mendoj se akoma s’e ka gjetur atë që meriton tamam, pra qeverinë që ti punojë qindin, pasi deri tani i kanë bërë të 99-tat.
Por unë nuk i pranoj këto. Kam pastruar e bërtitur kundër atyre që ndosin, sa jam lodhur. Ka shkruar kundër hajdutëve e palacove, në politikë e në biznes, ndaj s’kam bërë “prokopi” si kolegët e mi në Lagunën blu, apo fshatrat e tjerë “blu” e “mavi”. Jam lodhur duke shkruar e bërtitur ndaj mungesës së drejtësisë, por edhe edukatës, shkatërrimit e degradimit të shoqërisë, vlerave e pasurive natyrës. Tani thjeshtë nuk dua të jetoj më këtu.
A mund të jenë këto arsye të mjaftueshme për të marrë azil në një vend perëndimor? Nuk jam as i kërcënuar, as i ngujuar, as homoseksual, as i persekutuar…Thjeshtë nuk dua të jetoj më këtu.