Nga Indrit Vokshi
Më thotë dikush, se njëri nga kandidatët për ”ª#”ŽFRPD”¬, ka të fejuar vajzën e një deputeteje të PS-së. Dhe ma thotë në formë denoncimi – e kuptova çka deshi të më thoshte.
Sa mirë – i them – tashti ky kandidati ynë do kapka Partinë Socialiste, do ndikoka tek prindërit e të fejuarës që ata të mos punojnë aq fort për PS-në, që të na i kalojnë ne demokratëve listat e informacionet e klasifikuara të PS-së në zgjedhje. Çfarë fati na erdh’ në derë.
Jo – më thotë – jo. Edi Rama don të kapë FRPD-në nëpërmjet “dhëndrit” të deputetes së tij.
Po pse – i them – nuk ekzistoka mundësia që me anë të kësaj lidhjeje ky i joni të marrë të dhëna sekrete nga PS-ja dhe ekzistoka mundësia që PS-ja të kapë Forumin tonë?
Jo po…
Unë nuk kam shprehur mbështetje për asnjërin nga kandidatët në zgjedhjet për FRPD, sepse në platformat që kanë shpërfaqur, nuk kam gjetur pjesë të idesë sime mbi mënyrën se si duhet të funksionojë një forum – kjo është zgjedhje e imja. Por nuk mund të them se nuk më vjen keq që midis rinisë demokrate – asaj rinie që ne nëpër fjalime e quajmë e ardhmja e PD-së – has kësi gjykimesh të papjekura të cilave “u ka dekë ora”.
Sot në 2015, rinia me të mirat e të këqijat e veta, po tregon se në njëfarë mase rrihet prej një flladi lirie – të paktën në raport me paraardhësit. Nuk merren aq shumë me politikën e punët e shtetit.
Nuk janë të gjithë si unë që jam 26 vjeç e ata që mi shohin shkrimet pa më njohur më pandehin për 40-50, ngaqë merrem sa me Assadin e Sirinë, sa me krimet e komunizmit e mbretnimin e Zogut, sa me historitë e monarkive europiane e sa me gjetjen se me cilën dorë hante bukë Sulltani i Stambollës. Ka pak kësi njerëzish. Shumica nuk duan t’ia dinë për politikën. Duan t’i jetojnë marrëdhëniet e tyre jetësore; të dashurojnë, të merren me dëshirat e tyre, të argëtohen, të shpalosin e të njohin pjesë të vetes.
Meqë jemi tek monarkitë, vëllai i Xhorxhit VI të Britanisë në vitet 1930 hoqi dorë nga të qenit mbret sepse e vunë para zgjedhjes: o kurorën, o vajzën që dashuron. E ai zgjodhi vajzën që dashuronte.
Pra mjaft me këto gjykime. Kuptojeni se Shqipëria edhe pse jo aq sa duhet, ka ndryshuar. Nëse doni të merreni me politikë, të keni dorën në vendimet që merren për fatin e këtij vendi, zhdukeni ketë mentalitet. Përndryshe shkoni tek Kodrat e Liqenit dhe aty gjeni komunistë me kapele si të Enverit e të vetëquajtur veteranë, të cilët do t’iu mësojnë si ta përsosni bërjen e biografive dhe logjikën e aludimit për konspiracionin e mënyrat e infiltrimit të armikut në rradhët e partisë