Home I pakategorizuar Kryeminister shihemi ne sheshe dhe Gjyq…

Kryeminister shihemi ne sheshe dhe Gjyq…

Nga Lëvizja për Universitetit

Kryeministri thotë se studentët nuk u afruan t’i flisnin, por ta fyenin, si për shembull me fjalët klientelist, i shitur, sharlatan etj. Por a është fyerje të quash sharlatan dikë që bën kamarierin me universitetet private dhe gangsterin me ato publike? A është fyerje ta etiketosh të shitur dikë që për të financuar me paratë pubike diplomoret private rrëzon universitetin shtetëror? A është fyerje t’i thuash klientelist kur të gjitha reformat që po bën vërviten rreth së njëjtës klientelë privatësh? A nuk është plehrë kur këto veprime i kryen në kurriz të xhepave të varfër të studentëve?

Jo nuk është fyerje, është konstatim. Konstatim i faktit të thjeshtë se sjellja prej të indinjuari e kryeministrit do të thotë se nuk na ka dëgjuar fare këto dy vitet e fundit poshtë ballkonit qeveritar. Kemi organizuar me dhjetëra tryeza publike, aksione studentore, marshime protestuese kundër kalimit të reformës për arsimin e lartë dhe kryeministri nuk denjoi kurrë të na dëgjonte e të na përgjigjej publikisht, por vetëm të zgërdhihej e të gënjente me arrogancë.

Kryeministri thotë se studentët nuk janë dhunuar dhe se ndalimi i tyre është reagim normal i truprojës dhe verifikim formal në polici. O zot, ky jo vetëm qenka shurdh, por edhe qorr, as lajmet nuk i shihka. Shtrirja përtokë, marrja zvarrë, kapja për fyti dhe rrethimi prej pesëdhjetë truprojash, civilësh e policësh të eksituar janë pamje që i kemi parë të gjithë para tri ditësh. Pastaj që kur grushtet në kurriz, pështyrja dhe shuplakat në fytyrë, sharjet nga nëna dhe vënia nën terror psikologjik, mohimi i të drejtës së mjekut dhe avokatit qenkan bërë “verfikim thjesht formal”? Mbi studentët ka pasur dhunë dhe kjo do të vertetohet edhe më tej.

Kryeministri thotë se tolerimi i studentëve për sulmin me vezë është shprehje e lulëzimit të lirisë dhe demokracisë, se katër vite më parë do të pushkatoheshim. Që kur injorimi, shpërfillja dhe arroganca ndaj studentëve protestues qenka bërë demokraci?! Po liria kur qenka katandisur në mospushkatim për “aktin kriminal” të protestuarit? Hajde demokraci hajde!

Demokraci, zoti kryeminister, meqë nuk e ditke, do të thotë që shteti në çdo veprim të vetin të shprehë interesat dhe vullnetin e shoqërisë, jo t’i nxjerrë në treg ato. Pra edhe sikur të mos ketë pasur studentë protestues të revoltuar gjer në piken e poshtërimit publik me vezë, prapë qeveria nuk duhet të bënte një reforme kaq të fëlliqur e kundërmonjëse. Demokraci do të thotë t’i dëgjosh studentët, t’i lejosh të rrëfehen për kushtet në të cilat ndodhen, të komunikosh publikisht me ta. Gjëra që kryeministri ynë jo që nuk i bëri, por akoma këmbëngul të mos i bëjë.

Demokraci, së fundmi, do të thotë se kur liria e fjalës shpërfillet, atëhere kalohet te shprehja e lirisë. Ne i konsumuam të gjitha mjetet paqësore – peticionet, tryezat dhe protestat – kundër dhunës së papërballueshme të reformës qeveritare, dhe kur këto mjete perfunduan të rëna në veshë të shurdhët, atëherë rrokëm vezët. Vezë për ta sjellë në vete kryeministrin. Për t’i thënë se askush nuk është i paprekshëm dhe se askush nuk duhet të ketë frikë të reagojë ndaj një pushteti të padrejtë. Kjo vezë ka më shumë guxim se të gjitha reformat dhe fjalët tuaja kryeministër.

Shihemi në gjyq! Shihemi në shesh!

Share: