Nga Frano Kulli
Të përdoresh sot togfjalëshin “Mesha e parë”, më së paku tingëllon si patetike dhe ngjan diç me ulët se e zakonëshme.Përderisa, ashtu si gjithëkund tjetër në botën e qytetruar, nga gjindja që e përbëjnë një popull ka ndër to besimtarë dhe jo, tani edhe këtu ndër ne, ata që besojnë dhe ata që duan ta praktikojnë besimin e tyre kanë tri mundësi, bile saktësisht katër për t’i kryer ritet dhe për të ushtruar besimin.Por nëse flasim për njëzetepesë vjet më parë dhe pikërisht për 4 nëntorin e vitit të shënuar 1990, kur në Kapelën e rrënuar të Varrezave të Rrmajit në Shkodër, do të kremtohej mesha e parë pas ndërprerjes së dhunëshme të këtij rituali, ndërprerje, që ka zgjatur edhe ajo gati një çerek shekulli, do të duhet të bëhet një kapërcim i fortë në kujtesë për ata që e kanë patur në atë kohë moshën e të kuptuarit.Ndërsa brezit tjetër  më pas, i duhet të përdorë mjetet e tjera të rikrijimit ideo emocional të atij momenti, nëpërmjet rrëfimit ose fantazisë, kryesisht…
Mesha e parë është në ndërkohë edhe përmbysja e parë.Është zanafilla e përmbysjes së një rregjimi dhe hapja e perdes për t’u shfaqur pamja e lirisë, e së drejtës për tu shfaqur lirisht Zoti në sytë e shpirtit të njeriut, birit të tij.Qenja e njeriut shqiptar si njeri i Zotit kishte mbet pezull për gati një çerek shekulli, për plot njëzet e tre vite, mbasi “Zoti” i rrejshëm me fytyrën dhe qenien prej njeriu të egër-diktator ua kish hequr me ligjin e vet të drejtën e shejtë për t’u lutur e për të komunikuar, i biri me të Atin…Shërbestarët e ritit të besimit-klerikët e të tri besimeve iu nënshtruan kalvarit të mundimeve si të Golgotës…Veçmas katolikët.
” Viktimat e para që u pushkatuan në vitin 1945 ishin: poeti i ëmbëlsisë, Dom Ndre Zadeja, stilisti dhe përkthyesi i Schillerit dhe Goetës, Dom Lazer Shantoja, hartuesi i fjalorit shqip, Dom Nikollë Gazulli dhe dhjetëra intelektualë katolikë dhe myslimanë nga Shkodra”, shkruan Delegati Apostolik, Leone Nigris ,të cilin diktatori e shpalli “persona non grata”. (MARKUS W.E. PETERS, Përballjet e Historisë së Kishës Katolike në Shqipëri, Qendra Botuese Shoqata Jezuite, Tiranë, botues, Enti Botues Gjergj Fishta, Lezhë, 2010, f. 163.)
 Imzot Frano Gjini , ipeshkëv, në një letër që i drejtonte Enver Hoxhës, në cilësinë e Delegatit Apostolik, pas dëbimit të Leone Nigris , ndër të tjera i shkruan se “Duem me ndejun besnikë deri në dekë të fesë, sikurse besnik duem me i ndejun deri në dekë Atdheut tonë të dashtun”. Kjo letër nuk mori përgjigje kurrë, madje u  cilësua si akuzë ndaj sistemit. Në fund të vitit 1946, Imzot Gjini, arrestohet, dhe torturohet, akuzohet si spiun i Vatikanit e i anglezëve dhe organizatori i Kryengritjes së Postrribës.Pushkatohet në zall të Kirit [afër Varrezave të Rrmajit], në vitin 1948.(Po aty, fq.164)
Pas ekzekutimit edhe të Atë Anton Harapit, si anëtar i Regjencës, në shkurt të vitit 1946, dëbohen të gnthë klerikët dhe anëtarë të tjerë të urdhrave që nuk ishin nënshtetas shqiptarë, rreth 80  klerikë misionarë.
Me 2 mars 1946, shpallet dënimi me vdekje për etërit jezuitë: Atë Giovani Fausti, Atë Daniel Dajani, për françeskanin Gjon Shllakut dhe seminaristin Mark Çuni.Fjala e fundit, para pushkatimit… Dajani: “I fali ata që më kanë ba keq. Jam kondend[I qetë,ikënaqur] se po vdes i pa faj, ma mirë se fajtuer”…; Fausti: “Jam kondend  se vdekja po me vjen tue krye detyrën teme. Dërgoni shëndet, jezuiteve, xhakojëve, apostolikëve dhe arqipeshkvit. Rrnoftë Krishit Mbret”; Shllaku, “ Lamtumirë m’i thoni shokëve françeskan dhe të gjithë të njohunve. Rrnoftë Krishtit Mbret-Rrnoftë Shqipnia” dhe Çuni, “I fali të gjithë ata që më kanë gjykue, dënue dhe ata që do të më gjykojnë. I thoni nanës se i kam Lodovik Rashës 15 napolona borxh dhe t’ia paguej. Rrnoftë Krishti Mbretë, Rrnoftë Shqipnia”!. (Dr.Pjetër Pepa, Dosja e Diktaturës, Tiranë 1995, f. 44-46)
Me 6 mars 1946 u urdhërua mbyllja e “Hylli i Dritës”, “Leka” dhe revistave të tjera fetare si: “Zani i ShnaNdout”, “Kumbona e së Diellës, ”“Zgjimi i Djelmnisë”, “Bijat e Zojës”, u ndaluan  librat dhe u mbyllën shkollat, që për regjimin e dhunshëm cilësoheshin si një armë në luftën politike dhe ideologjike.U asgjësuan të gjitha botimet e mundshme dhe u mbyllen të gjitha shkollat katolike si: Françeskane, Jezuite, ajo e murgeshave Stigamtine dhe Servite , në Shkoder dhe në Tiranë. U shkrinë të gjitha shoqatat katolike dhe u konfiskua pasuria e tundshme dhe kjo pasuri , aty e mbas do konsiderohej shtetërore. Prehë e përvetësimeve ishin: shkollat, kuvendet, tri shtypshkronjat, ndër to edhe shtypshkronja e Jezuitëve, bibliotekat, muzetë, arkivat etj., të krijuara nga gjysma e dytë e shekullit XIX…Padyshim, trashëgimia më elitare e kulturës sonë kombëtare.
Mesha e parë ishte fillimi i fundit të një rregjimi.Ashtu ëndërruam, ashtu kujtuam dhe besuam…
Famullitari i tanishëm i Shkodres, dom Arturi, Artur Jaku , merret me kremtimin e jubileut, të sivjetëm.Me dëshirë e pasion që e shfaq dhe me energjinë që nuk i mungon, që s’mund t’i mungojë një misionari, i cili besimit e shërbesës për të i ka dedikuar jetën, qyshsekur ka pranuar kushtet e përjetëshme para shugurimit meshtar. Sigurisht dëshira ia don që në kremtimet e ngjarjes së shënuar për Kishën, por edhe për Shkodrën e për Shqipërinë të mikpresë, me 4 nentor 2015, tek varrezat e Rrmajit, aty ku dom Simon Jubani pati celebruar meshën 25 vite më parë, bashkë më mjaft të ftuar nga Vatikani; kardinalin Salvatore De Giorgi dhe ipeshkvijtë e Shqiperisë edhe nga prijësat e vendit, autoritete udhëheqëse të vendit. Ftesat i ka dërguar, me dëshirë e me rend e me kohë. Zonjës Ministre të Kulturës, si bashkëorganizuese e kremtimit, qysh në krye të herës.Dom Nikë Ukgjini, që ndan mjaft miqësi me të, ia ka falë zvarritjen e pafalëshme për rindërtimin e murit ballor të rrethimit të Varrezave të Rrmajit. Thjesht për lejimin për ta bërë këtë gjë, se finacimin…e bëjnë disa besimtarë bamirës. Kështu Zonjës Ministre i mbetet vetëm të vijë në kremtimin e ngjarjes së shënuar.Me “Mercedes” apo “Jaguar” ?…