Nga Arsela Gjonaj
Sigurisht, sulmet e fundit terroriste në Paris, përpos parisieneve na gjetën të gjithëve të papërgatitur.
Problemet e ndryshme si krizat botërore, ngrohja globale, ushqimet e pasigurta, rezervat energjetike në shterim, etj.etj probleme sa të brendshme e të jashtme, të fryra nga mediat në cdo anë të botës, na kishin zaptuar vëmendjen saqë dashur-padashur na kishin shpërqendruar nga një problem i madh, terrorizmi.
Shkatërrimi dhe pesizmi duket se ishin kthyer në kryefjalën e cdo njeriu që jeton në Europë, Lindjen e Mesme, Rusi e me gjerë.
E ndoshta nën bombardimin e përditshëm të tematikave përherë e me turbulluese, vigjilenca ndaj armikut të përbashkët, të kudogjindshëm dhe në ekspansion të shpejtë, pothuaj ishte zbehur tërësisht.
Parisi nuk e priste, po aq sa shumë europiane të tjerë. Sensibilizimi erdhi si pasojë e një tragjedie me përmasa të përgjakshme e cila gllabëroi në befasi dhe pabesi jetë njerezish të pafajshëm sa muslimane aq edhe të krishterë. Jeta e cdo njeriu është e vyer njësoj pavarësisht ngjyrës, racës, statusit shoqëror,fesë, ideve politike. JETA eshte e vetmja dhuratë hyjnore me vlerë absolute e cila duhet mbrojtur me cdo mjet e kusht, derisa natyra vetë të na e marre atë si na e dhuroi.
Nuk ka armik me të vështirë se ai I padukshëm i cili dominon mendjen dhe shpirtin e njeriut, frika .
Nëse njerëzit do t’i dorëzohen frikës sw atyre që duan të mbjellin terror, atëherë kjo do të ishte beteja e tyre e madhe e fituar. Ndërsa, urrejtja ndërnjerëzore e cila do të shkaktohej si pasojë e së parës, do të ishte për ta terreni fertil për një sundim më të shpejtë dhe të sigurtë.
Sulmet e fundit në Paris na gjetën të gjithëve të papërgatitur, por do të ishte akoma më e tmerrshme sikur të na gjenin të papwrgatitur dhe të përcarë në dëshirën e përbashkët për të dashur, mbrojtur dhe jetuar jetën në cdo dimension të saj. Guximi për ta jetuar atë pa frikë, urrejtje dhe përcarje do të ishte një grusht i fuqishëm kundër terrorizmit. Guximi për të jetuar pa frikën e tyre do të ishte fitorja jonë.