Home KRYESORE Strategjia anti-ISIS…

Strategjia anti-ISIS…

Nga Ilir Kalemaj

Goditja në zemër të Parisit, për herë të dytë brenda pak kohëve, synon të gjenerojë frikë, përçarje, paranojë mes vendeve të koalicionit anti-ISIS, t`u japë zemër militantëve radikalë dhe të gjenerojë prurje të reja nga luftëtarët e huaj (muxhahedinë) të cilët janë të parët që përdoren si “mish për top” nga strukturat udhëheqëse të Shtetit Islamik. Disa analistë shprehen se kjo vjen si rrjedhojë e dobësimit strategjik të ISIS dhe humbjes së territorit që kanë pësuar së fundmi, apo rritjes së forcës goditëse nga amerikanët, francëzët, rusët e me radhë.
Nga ana tjetër, siç shprehet Erin Saltman, një kërkues shkencor për kundër-terrorizmin në Institution për Dialog Strategjik, tashmë ka më pak kërkesa për njohurinë mbi Islamin në fazën e rekrutimeve nga ISIS. Kjo krejt ndryshe nga mahaxhedinët e rekrutuar në Afganistan 10 apo 20 vjet më parë. Strategjia globale e rekrutimit të sotëm është e përshtatur sipas rastit dhe ka mjaft thyerje që lejojnë një përfshirje më të gjerë të aplikantëve tru-shpëlarë, të cilët ndonëse të nisur nga arsye nga më të ndryshmet, kanë të njëjtën pikëmbërritje. Sikundër tregojnë dëshmimtarë dhe studiues të ndryshëm, barbarët e ISIS janë injorantë përsa i përket njohjes së Islamit, koncepteve të xhihadit apo kalifatit. Ajo që u mungon në formim, e kompesojnë me zell fanatiku. Saltman e përmbledh mendimin e tij duke thënë që “zyrtarët” e rekrutimit të ISIS luajnë me dëshirat e ndryshme të “kandidatëve”, të tilla si “sensi i aventurës, aktivizmit, romancës, fuqisë apo përkatësisë, bashkë me përmbushjen shpirtërore”. Pra roli që feja ka është i rëndësishëm por jo absolut në vendim-marrjen nga ana e “martirëve” të ardhshëm.
Faktin e mësipërm e përforcon ai tjetri që liderët komandues të ISIS, në këshillin drejtues të tij, thuajse të gjithë përvec AL-Bagdatit, janë ish-drejtues të regjimit diktatorial por sekularist të Sadam Hyseinit. Këta ish-zyrtarë, antarë të partisë Bathiste që për dekada me radhë kanë pasur si kundërshtarë kryesorë antarët e Vëllazërisë Myslimane, sikundër edhe në Siri, Egjipt dhe gjetkë, bashkë me drejtues të ish-organeve të inteligjencës nën regjimin e Sadamit kanë de jure dhe de fakto frenat në dorë dhe përdorin si mish për top luftëtarët e huaj. Këta të fundit përfshijnë kryesisht francezët me origjinë arabe apo nga Afrika e Veriut (Tunizi, Algjeri, Marok) apo belgë, anglezë, deri edhe australianë dhe ku natyrisht nuk mund të bëjnë përjashtim as balkanasit me boshnjakë, serbë apo shqiptarë, ndonëse me shifra në terma përqindjesh, mjaft më inferiore në krahasim me ata që vijnë nga vendet perëndimore.
Kjo bashkë me faktin që ndasitë shoqërore dhe problemet socio-ekonomike dhe kulturore janë mjaft më të mprehta në vende si Belgjika, Franca etj., në Perëndim, i bën më vulnerabël ndaj sulmeve kamikaze si ato që pamë ditë më parë në Paris. Por jo vetëm. Parisi nga pikëpamja e sigurisë ishte më i atakueshëm se fjala bie Berlini, Londra apo Ëashingtoni. Gjithashtu, pikëpamjet mbi sekularizmin dhe Republikën që derivojnë nga Revolucioni Francez por edhe provokimet e shpeshta nga ana e shtypit si rasti i revistës Charlie Hebdo, e kthyen Parisin në një objektiv të dorës së parë për ISIS-in, ashtu sikundër Ëashigntoni qe për militantët radikalë të Al Kaedës. Goditja gati e njëkohshme e avionit rus si kundër-përgjigje ndaj bombardimeve të fundme të Rusisë e bëjnë dhe këtë të fundit mjaft vulnerabël dhe jo më kot Presidenti Putin përshpejtoi hapat për dialog dhe koordinim të sulmeve me aleatët perëndimor. Kjo nisi fillimisht me dakordësinë Kerry-Lavrov në Vjenë, vijoi me samitin e G20-ës në stamboll dhe kulminoi me një letër sekrete strategjike të Kremlinit për të gjetur një zgjidhje politike për Sirinë, siç raporton së fundmi prestigjiozja gjermane Der Spiegel.
Natyrisht sulmet në Paris i lanë vend shumë spekullimeve dhe keqkuptimeve që ndodhin rëndom sa herë që sulme të tilla godasin në zemër të një qytetërimi të caktuar, siç është ai Perëndimor në rastin në fjalë. Deklarat ksenofobe për mbyllje kufiri dhe hedhje në det të refugjatëve nuk kishte si të mungonin apo të tjera që prekin liritë civile të kategorive të caktuara, bazuar në paragjykime me sfond religjioz etj. Ashtu sikundër dikush “cicëronte” së fundmi në Twitter, refugjatët sirianë apo irakenë janë të parët që e pësuan dhe po i ikin mizorisë së ISIS dhe kurrsesi nuk mund të ngatërrohen ata dhjetra mijëra refugjatë lufte dhe azilantë politikë me kriminelët terroristë që hynë si ujqërit me lëkurë qengji dhe goditën në zemër të Europës. Të fyesh dhe të ofendosh një fe të tërë që përfaqëson 1.6 miliardë njerëz, që banojnë anekënd globit, nën regjime fetare apo sekulare, diktatoriale apo demokratike, që i përkasin traditave të ndryshme qoftë dhe brenda fesë islame, si dhe kulturave dhe civilizimeve krejt të ndryshme, është sa pa sens, aq edhe e rrezikshme. Studime të fundit tregojnë se më pak se 1 në 106,000 myslimanë nga të katër cepat e globit do të ishte i gatshëm të merrte armët për xhihad. Vetëm ushtria e Irakut, pa përfshirë forcat paraushtarake ka 250,000 myslimanë të tjerë të gatshëm me armë në dorë kundër një kërcënimi të tillë, pa llogaritur forcat kurde të peshmergave etj.
Vetëm një strategji koherente mes aleatëve perëndimore, Rusisë por edhe aleatëve rajonalë, duke zgjidhur para së gjithash dilemën e organizimit të pushtetit politik në Siri, mund të ishte efektive për të mbërritur në zgjidhje efektive në planin afatshkurtër. Një plan Marshall për rajonin e Lindjes së Mesme i përqëndruar kryesisht mbi edukimin për të zëvendësuar medresetë radikale, ndihmat sociale dhe qendrat shëndetësore do të ishte ideale. Kjo e kombinuar me mirë-trajnimin dhe arritjen e profesionalizmit të ushtrive rajonale, në bashkë-rendim me organet e inteligjencës së vendeve partnere, do të ishte mandej një nga zgjidhjet afatgjatë për të stabilizuar rajonin duke arritur njëkohshëm edhe standartet minimale demokratike për legjitimitet të elitave sunduese dhe qëndrueshmëri makroekonomike.

Share: