Home KRYESORE BURIMI I OPTIMIZMIT: fillimi i kerkeses se llogarise lajm i mire.

BURIMI I OPTIMIZMIT: fillimi i kerkeses se llogarise lajm i mire.

Nga Ilir Hysa

Pas një opinioni të shkurtër në lidhje me zhvillimet e reja në Shqipëri mora disa mesazhe nga miq të cilët më pyesnin për burimin e optimizmit të shprehur në atë shkrim të shkurtër. Ndaj iu detyrohem atyre, dhe të tjerëve të interesuar për temën në fjalë, për një shpjegim që justifikon optimizmin tim.

Më bëjnë optimist shenjat e zgjimit të vëllezërve e motrave shqiptare. Dhe për të shmangur keqkuptimet, jo, nuk e kam fjalën për protestën e dhunshme të Partisë Demokratike në 25 vjetorin e Lëvizjes Studentore, protestë e cila përdori pakënaqësinë e gjërë popullore dhe deklaroi se protestuesit ishin mbështetësit e saj. E kam fjalën gjetkë. Kam ndjekur me interes dhe më ka gëzuar fakti që njerëzit e thjeshtë, të lodhur duke u kapur pas degëve për vite e vite me radhë, tani po kërkojnë rrenjët: Pse jemi këtu pas një çerek shekulli të një tranzicioni të dështuar dhe kush janë shkaktarët?

Gjithashtu, më pëlqen fakti që tani ka më shumë vëllezër e motra që nuk e besojnë më retorikën boshe të integrimit dhe histerinë false të bandave sunduese mbi europianizimin e shqiptarëve. Ata kanë kuptuar se pa qenë njerëz ne nuk mund të jemi as europianë.

Jam optimist edhe për faktin se në ditët kur kujtohen përpjekjet për liri nga skllavëria e regjimit komunist, shqiptarët e ndershëm kanë kuptuar se ata janë sërisht skllevër dhe lirinë atyre nuk ua fal askush po nuk lëvizën vendit.

Më bën përshtypje edhe fakti që më në fund edhe pushteti i katërt, rrjetet mediatike të Tiranës, duke e ndjerë veten pjesë e problemit, kontribuese të katraurës së Katovicës, tani po dëgjojnë më me vëmendje, pa cinizmin dhe fodullëkun karakteristik. Si duket edhe ata i kanë bërë pyetjen vetes: Si do ti rrisim fëmijët në këtë moçal? Duke njohur mirë depresionin që shkakton bataku i Tiranës, ata janë të etur tani për të dëgjuar zgjidhje, rrugë shpëtimi, alternativa edhe kur ato vijnë nga larg. Madje, meqë të të jetuarit në vorbullën e leshelisë dhe të ripjelljes kombëtare ku përzihen frikshëm ngjyrat që konvertohen papritur nga blu në mavi pa ndyshime esenciale, ata janë dorëzuar. “Ju që nuk jetoni këtu e kuptoni më mirë Shqipërinë” – thonë ata tani. Këtë kam dëgjuar t’iu thonë ata anëtarëve të një forumi intelektual që ka shkuar atje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Duke qenë se i njoh mjaftueshëm qëndrimet dhe filozofinë e pjesëtarëve të forumit Rrethi i Ferrit, Shenasi Rama, Valbona Karanxha dhe Grid Rroji për qeverisjen dhe shtetin, kam qenë kurioz të ndjek reagimin që krijojnë fjalët e tyre. Duke ndjekur bisedat e tyre në studiot e televizioneve dhe aktivitetet e tjera, kërshëria ime ka qenë reagimi i moderatorëve, i audiencave, edhe për një arsye tjetër. Ne si popull e kemi parë përmirësimin e qeverisjes si çështje të zëvëndësimit të njerëzve dhe jo si proces të institucioneve. Kjo shpjegon pse një grup intelektualësh etiketohet si lëvizje e re politike.

Dhe së fundi, siç e përmenda më lart, fakti që disa nga individët që ndihmuan në gatimin e çorbës, tani po kërkojnë zgjidhje është lajm inkurajues. Sigurisht, rruga për zgjidhjen e problemeve është e gjatë, por fillimi i kërkesës së llogarisë është lajm i mirë dhe duhet përshëndetur.

Share: