Home KRYESORE Do u bllokohen vizat te korruptuarve dhe masa për familjarët në SHBA

Do u bllokohen vizat te korruptuarve dhe masa për familjarët në SHBA

Thuhet se Përfaqësia diplomatike e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë po verifikon dhe liston politikanët e korruptuar, deputetët kriminelë, zyrtarët, ministrat, gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, të cilët nuk do të shkelin më në tokën amerikane. Nisma është konfirmuar dy herë nga ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu. Po me anë të cilit vendim do t’u refuzohen vizat zyrtarëve të korruptuar? Cilët janë kategoritë që do të bllokohen? Cilat janë pasojat në familjarët e tyre? Deri ku do të shtrihet verifikimi?

Zbardhet vendimi i presidentit amerikan, përmes të cilit një numër i konsiderueshëm politikanësh, gjyqtarësh dhe zyrtarësh shqiptarë do të ndalohen të shkelin në SHBA. Dy ditë më parë ishte vetë ambasadori Donald Lu, ai që tha se po verifikohen një sërë individësh të korruptuar, të cilëve pritet t’u ndalohet hyrja në shtetet amerikane.

Gazeta “Sot” zbardh vendimin 7750, i cili ndalon të gjithë shtetasit e huaj që të futen në SHBA nëse janë të korruptuar, përfshirë dhe ata shqiptarë. Por cilat kategori preken nga një vendim i tillë? Nuk do lejohen në SHBA nëpunësit publikë ose ish-zyrtarët publikë të cilët kanë kërkuar apo pranuar vlera monetare, ose ndonjë përfitim tjetër, në këmbim të një veprimi apo mosveprimi në kryerjen e funksioneve të tyre publike.

Po ashtu, personat të cilët përfitojnë ose ofrojnë vlera monetare apo përfitim tjetër, për çdo zyrtar publik në këmbim, të një akti apo lëshimi në kryerjen e funksioneve publike. Nëpunësi publik ose ish-zyrtari publik i cili ka shpërdoruar fondet publike apo ka ndërhyrë në proceset gjyqësore, elektorale, apo procese të tjera publike, ndalohet të hyjë në SHBA.

U ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe e bashkëshortëve, të afërmve, familjarëve apo fëmijëve të personit që dyshohet se është i korruptuar, të cilët mund të kenë përfituar nga paratë e marra në mënyrë jo ligjore. Në urdhrin e presidentit amerikan theksohet gjithashtu se një gjë e tillë bëhet për të ndaluar dëmtimin e shtetit demokratik në SHBA nga këta persona.

Një tjetër përcaktim është se do shpallen “non grata” ata individë që nëpërmjet korrupsionit kanë dëmtuar interesat e SHBA, kanë dëmtuar bizneset amerikane, apo kanë dëmtuar asistencën që jep SHBA për shtete të ndryshme me qëllim zhvillimin e institucioneve dhe demokracisë. Duke qenë se SHBA po jep një ndihmë të madhe në Shqipëri për drejtësinë dhe shumë institucione të tjera politike, korrupsioni i lartë duket se po e dëmton këtë ndihmë, gjë që mund të sjellë që shumë individë të mos lejohet të prekin tokën amerikane.

Sipas urdhrit të presidentit amerikan, – thotë gazeta “Sot” – është Sekretari i Shtetit ai që mban përgjegjësinë për ndalimin e zyrtarëve, gjyqtarëve dhe zyrtarëve të korruptuar që të ndalohen të futen në SHBA. Pra, nëpërmjet ambasadës amerikane në Tiranë, prokuroria amerikane dhe agjenci të tjera, në bashkëpunim me autoritete shqiptare, kanë nisur të verifikojnë të gjithë personat. Pritet që shumë shpejt të ketë dhe një listë me të gjithë ata të korruptuar që nuk do ju lejohen udhëtimet në SHBA.

Burimi gazeta “Sot”

Share: