Nga Romeo Gurakuqi
Një gazetar është perherë në shërbim të së vërtetës, punon në interes të publikut, drejtësisë shoqërore, në zbërthim të politikës së padrejtë dhe sjelljeve politike osbtruksioniste. Përpjekja për t’iu shmangur së vertetës në Shqipëri, tash 25 vite ka qenë konstante nën të gjitha pushtetet që janë alternuar, por vullneti për të rikthyer genjeshtren në mënyrën me donkishoteske, etja për të mbyllur hapësirën drejt së vertetës, nuk ka qenë kurrë më e madhe në këtë çerek shekulli se sa në këto 26 muajt e fundit. Vertetë që pushteti ende nuk ka vrarë dhe kërcënuar kësaj radhe për fjalën e lirë, por spektri i rrenes, ka kapluar temat e ditës së politikës, të reformave të devijuara në kanalet e interesave të pushtetit, shkrimin e historisë, etj.
Pra, pushteti i sotëm, ose së paku qartësisht një segmentshumë i dallueshëm i tij, ende vazhdon me mbruajtjen qasjes së tiranisë komuniste, duke ia kundërvënë atë përpjekjes për komunikim të lirë të njohjes dhe shkëmbim pa cak e të lirë të ligjërimit. Propaganda e pushtetit përmes disa gazetave të projektuara për diversion, posaçerisht për temat kyç të debatueshme të politikës institucionale, historiografisë bashkëkohore, përmes megafonëve dhe shkarravitësve pa cak, kërkon të ndërpresë ligjërimin dhe arsyetimin bazuar mbi kërkim dokumentar të rinovuar, bazuar në një lloj horizonti të ri teorik, dhe mbi një metodë të re.
Duke përfituar nga fakti që shoqëria shqiptare e shekullit të XXI, ende është nën frikën e pasigurisë, është e privuar nga një sistem arsimor i konsoliduar dhe me një situatë kulturore kombëtare të sulmuar nga tallavaja, Pushteti, Mediat e tij dhe Kasnecët e porositur, po përpiqen të fshijnë përpjekjen modeste, por në rritje konstante, prirjen normale të opinionit publik përparimtar për ta klasifikuar realitetin e vendit tonë më 2015.
I tillë është përpjekja e djeshme për sulm ndaj reformës në drejtësi dhe promovuesit të saj, Qeverisë së SHBA
Sulmi ndaj Perfaqesuesit e Qeverise se ShBa eshte nje perpjekje tipike sofiste per te manipuluar publikun, permes ca lidhjeve pa lidhje, letrave pa vlere, skifteresh jo serioze, thashethemesh te gazetarëve të kafeneve dhe të oborrit të prapem të Pushtetit të Vagabondeve, që tremben nga Reforma Kushtetuese dhe vendosja e drejtësisë së pastruar nga kontrolli politik dhe kriminal, nën pushtetin e Ligjit dhe nën transparencën e Publikut;
gazetarë të frikësuar nga prishja e planit të tyre funksional për të bërë gazetari të programuar e pilotuar, në sherbim të forcave më të errëta të pushtetit dhe pushtetarëve të korruptuar, me paratë e tenderave të marre me presion nga pushteti, ose si lemoshë për bindje të verbër ndaj pushtetit, të cilin synojne ta ngrijnë kështu siç është, i dërrmuar, segmentizuar dhe bipolarë; një perpjekje infantile çoroditëse për ta penguar me propagandë Reformen në Drejtesi; një gazetar i mjeruar dhe thellesisht i palexuar dhe injorant në kuptimin e institucioneve, kuptimin e thelbit të reformës;
një përpjekje e mjerë për dekurajim të Publikut dhe lodhjen e miqve euro-atlantike; gazetarë që janë kunder reformës në drejtësi, mbasi ajo i prish rendin e gjërave me të cilat, ato kavie janë mesuar të mbijetojnë dhe planifikojnë të ardhmen e botës së tyre të vdekur pa lindur mirë profesionalisht; një përpjekje e dëshpëruar për të vonuar sa më shumë kohën e shqiptarëve dhe endrrën e tyre për drejtësi të vertetë; një përpjekje për të zgjatur jeten një mazhorance të vdekur prej korrupsionit (mazhorancen e deligjitimueme nga skandalet e pafundme në demokraci ndryshohen, me rikompozim mazhorancash ose me votë dhe zgjedhje të parakohshme zotërinjë gazetarë servitorë të “komunistëve” biznesmenë e trafikantë); sërish; një perpjekje propagandistike dhe frikë nga mundesia, deri tani hipotetike, për ndertimin e një ALBALEX; një përpjekje djallezore e pasardhësve të kupoles së Sigurimit të Shtetit për të ndeshkuar mbeshtetjen e SHBA ndaj Demokracisë së brishtë shqiptare dhe lidhjet e Shqiperise me Aleancen Euro-Atlantike; një veprim mediatik i ndërmarrë në kushtet e panikut, për të shpëtuar dhe ricikluar shkatërruesin e programuar politik të Demokracisë Shqiptare, Lojtarin e Mbrapshtë të Krimit brenda Politikës, Shumëkëmbeshin Antishtet.
Projekti i Reformës në Drejtësi është i botuar, jo i panjohur dhe ai ka nevojë vetëm për oponencë profesionistësh konstitucionalistë, të ngjashme me ate të bërë nga Komisioni i Venedikut (Venice Commission). Pas rivendosjes brenda një projektit të një Reforme Kushtetuese të projektit të Refomimit të Sistemit të Drejtësisë së Re, ai projekt duhet t’i paraqitet publikut për njohje, në mënyrë që në referendum të shkohet me vetedije. E Kryeministri i vendit, nuk mund të jetë serioz dhe i vertetë, në qoftë se ai as nuk lexon projektin e reformës dhe ekspertizën dhe oponencën e bërë ndaj saj.
Ne fakt, perpjekja e djeshme diversioniste të bën të rimendosh disa fenomene: media e kontrolluar, reforma shpresëdhënëse në drejtësi që vetem duhet rialokuar, rindertuar, vendosur nën doktrinë, dekriminalizmi i shoqërisë politiko-mediatike, çmontimi i Padrinos dhe rrjetit të tij servitor, pastrimi i së majtës dhe i së djathtës nga segmenti antishtet, shkëputja e politikës nga krimi i organizuem dhe korrupsioni; mbështetja e pakufishme e Publikut për ndihmen qe Qeveria e ShBA permes
Ambasadorit Donal LU dhe BE përmes Ambasadores Vllahutin, po i japin demokracisë shqiptare.
Opinioni publik në Shqiperi përkrah fuqimisht perpjekjet e Ambasadorit LU, njelloj sikurse perpjekjet e të gjithë ambasadorëve të mëparshem amerikanë, për rivitalizmin e institucioneve të demokracisë shqiptare dhe hedh poshtë me neveri përpjekjet e Rrethit Meidatiko-Politik të së Keqes për dezinformim, shkurajim dhe sabotim
Në qoftë se Edi Rama dhe Lulzim Basha deshirojnë vertetë të bëjnë reformë në drejtesi, dëshirojnë atë ta impostojne nën doktrine, nuk kane ambicie për ta vendosur drejtesine nen pushtetin e mazhorancave, synojne profesionalizmin e drejtësisë, ne publiku jemi me ata dhe populli duhet t’i perkrahë. Reforma në Drejtësi, nën ekspertizë, duhet të jetë pjesa ku politika e shendoshë, duhet të përbashkohet, qoftë edhe me kompromisin e ndërtimit të nje qeverie me bazë të gjërë, ose edhe një qeverie teknike me mbështetjen e dy partive kryesore politike dhe segmenteve progresistë të tyre. Bashkërisht dy drejtuesit e dy partive kryesore politike, janë të thirrur nga Kombi të mos vonojnë.
Media duhet te ushtroje detyren qe ka ne te mire te infomimit dhe analizimit profesionist te qasjeve qe serviren; partneret perendimore jane te lutur te vazhdojne mbeshtetjen e procesit reformativ dhe nuk duhet te dekurajohen nga kermat e medias dhe politikes qe para pranveres do jene nen karantinen e ligjit.
Michel Foucault, shkruan dikund se “mes tri sistemeve të mëdha të përjashtimit që prekin ligjërimin: fjalës së ndaluar, ndarjes së marrëzisë dhe vullnetit për vertëtësi,… ky i fundit nuk resht së forcuari, duke u bërë më i thellë dhe më i pashmangshëm”. Per rrjedhojë përpjekjet për manipulim të Publikut dhe inskenim të përrallave propagandistike për shpetimin e padronëve, është një mision i pamundur, dritëshkurtër dhe pa të ardhme. Nuk ekzistojnë gazetarë të majtë, por ekzistojnë gazetarë të blerë dhe armiq të opinionit publik shqiptar dhe progresit kombëtar. Shpata e drejtësisë së Shqipërisë anëtare e NATO dhe vend kandidat për BE, do bjere mbi padronet dhe lakejtë e tyre të medias servitore.
Shkodër, me 30 dhjetor 2015