Home KRYESORE Mbeshtetje e madhe financiare nga BE per Ballkanin.

Mbeshtetje e madhe financiare nga BE per Ballkanin.

Komisioni Evropian miratoi paketën e tij për vitin 2015 të programeve të asistencës para anëtarësimit në mbështetje të reformave dhe bashkëpunimit rajonal në vendet që dëshirojnë t’i bashkohen BE-së, që arrin në shifrën e 1 miliard €.

“Kjo paketë shpreh angazhimin tonë të madh ndaj perspektivës së BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë. Është një investim afatgjatë për stabilitetin, sigurinë dhe mirëqenien e vetë BE-së, si dhe do të mbështesë procesin e reformës politike dhe ekonomike të vendeve në udhën e tyre drejt anëtarësimit në BE”, tha Johannes Hahn, Komisioneri Evropian për Politikat Evropiane.

Mbështetje për reformat

Financimet vijnë në kuadrin e Instrumentit të Asistencës para Anëtarësimit (IPA II), dhe do të jenë të disponueshme për Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Kosovën, ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Malin e Zi, Serbinë dhe Turqinë. Ato do të mbështesin reformat e mëtejshme demokratike dhe ekonomike, modernizimin e gjyqësorit dhe administratës publike, si dhe bashkëpunimin rajonal.

Investimet në Ndërlidhje

Paketa përfshin veçanërisht një program prej 155 milionë € në ndihmë të financimit të projekteve të mëdha rajonale të infrastrukturës në sektorët e energjisë dhe transportit në Ballkanin Perëndimor: katër linja për energjinë, dy projekte rrugësh dhe dy projekte hekurudhore, të cilat do t’i afrojnë edhe më shumë ekonomitë dhe shoqëritë. Kontributi i BE-së pritet të sjellë hua nga institucione financiare partnere në një total prej 540 milionë €.

Përmirësimi i ndërlidhjes brenda Ballkanit Perëndimor, si dhe mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, është një faktor kyç për zhvillimin ekonomik të rajonit. Komision e ka bërë agjendën e ndërlidhjes një ndër përparësitë kryesore në këtë rajon, me mbështetjen e plotë të qeverive të Ballkanit Perëndimor. Theks i veçantë i jepet përgatitjes dhe financimit të projekteve konkrete rajonale të investimeve në infrastrukturë, por edhe zbatimit të standardeve teknike dhe masave të buta (për shembull, thjeshtimi i procedurave të kalimit të kufirit apo shërbimeve të ndara, si dhe qasjen e palëve të treta në rrjete).

Shqipëria do të përfitojë 89 900 000 Euro ku sektorët kryesorë që do të financohen do të janë Demokracia dhe Qeverisja, Shteti Ligjor, Arsimi, Punësimi.

Nga kjo paketë Serbia do marrë dyfishin e shumës të Shqipërisë, plot 196,600,000 Euro, informohet në faqen zyrtare të Komisionit Europian. Ndërsa Turqia është shteti që merr shumën më të madhe me vlerë 255,100,000 Euro.

Share: