Home KRYESORE Nënë Tereza, jo e jo, por veç vetë Zotit direkt askush tjeter...

Nënë Tereza, jo e jo, por veç vetë Zotit direkt askush tjeter nuk ka mund të bëjë mrekulli!

Nga Artan Fuga

Nënë Tereza, jo e jo, por askush tjetër, veç vetë Zotit direkt dhe pa ndërmjetësi, nuk ka mundur të bëjë mrekulli, aq më pak të shërojë nga tumori a nga kanceri.

Ose lërini në tavolinë diplomat e shkollimit, ose larg mrekullive që bien në kundërshtim me monoteizmin, jo vetëm me shkencën.

Mos e teprojmë tani dhe të bëjmë diplomaci me mitologjinë, me spiritizëm, me magji të bardhë a të zezë, a tjetër.

Mos na shklyeni gazit tani! Po na ktheni në vitet më të skëterrshme të Mesjetës, në pjesën e saj okulte se atë të ndritshme jo e jo.

Mos u tallni me të dhe me shqiptarët që në një pjesë janë gati të pranojnë se fluturon, fluturon gomari…

Mos marrim seriozisht thashetheme rrugësh dhe i plasim si për të ngritur ndërgjegjen kombêtare a thua se ne si shqiptarë shërojmë dhe kancerin me lutje.

Papa shumë i nderuar dhe tejet i respektuar flet për mrekulli, por Ai flet me gjuhën e tij, brenda Kishës, që nuk merret ashtu, pa e përkthyer në gjuhën e qytetit. Mos kujtoni se Ai flet si mjek. Ai flet me alegori o njerëz… dhe me gjuhën e brendshme të Bashkësisë të Tij.

Ne jemi të gjithë me gripë dhe kolerë mo… Ta dinim kështu t’i ishim lutur Nënës që të na shpëtonte nga kriza dhe fundosja ku kemi rënë, të na dekriminalizonte Kuvendin, të na shpëtonte nga korrupsioni, të na fuste në BE, ose të na pastronte rrugët nga plehrat që vijnë era kalbësirë…

Nënë Tereza e meriton shenjtërimin, për atë mrekulli të vërtetë që ka bërë, shpirtin e madh, por jo duke e tallur sikur ajo ishte magjistare… dhe shëronte kancere apo prostate.

Ja hoqëm momumentin kur erdhi Ati i shenjtë i Kishës dhe tani e ngrini lart si magjistare…

E rrëzojme përfundimisht, e fusim në dhé duke i veshur petkun e ndërtuar nga thashetheme gjoja deshmitaresh të pabuesueshëm latinoamerikanë…

Do të dalim tani edhe në ndonjë antimiting për të lartësuar magjinë e Nënës që të paraqitemi edhe si të marrë, bestydë, si turma fanatikësh, dhe të fëlliqemi në sytë e gjithë botës!

Lëreni Nënën rehat atje iku i ka rënë shpirti dhe trupi !

Ajo është e SHËNJTË në shpirtin e shqiptarëve dhe nuk ka kush ta rrëzojë që andej.

Share: