Home KRYESORE Për Klean!

Për Klean!

Nga Reila Bozdo

Në prag Krishtlindje, një vajzë 20-vjecare vrau veten në Tiranë. Njoftimin e mora nga stafi i Fakultetit të Ekonomisë. Ishte studentja jonë e shkëlqyer.

Mëngjesin e nisa duke lexuar një artikull në gazetë i cili analizonte profilin virtuoz të vajzës. Mamaja ime e kishte patur nxënëse. Edhe për të Klea kishte qenë një vajzë shembullore.

Jeta e saj u ndërpre në vigjilje të lindjes së Krishtit. Dhuratë jo fort e mirë për Perëndinë ky veprim i Kleas. Zoti na e ka dhënë jetën, dhe vetëm Ai e ka të drejtën të na e marrë atë. Klea iku.

Kushedi cfarë do bëhej Klea në të ardhmen nëse do të jetonte? Klea virtuoze mund ti jepte shumë vendit dhe shoqërisë. Por ajo zgjodhi të ikte. Një zgjedhje, të cilën sipas besimit fetar, nuk duhej ta bënte.

Jeta në vendin ku jetojmë na vështirësohet nga gjithcka që na rrethon. Është shpesh tepër e lodhëshme dhe e pasistemuar. Unë, mes cdo vështirësie kam gjetur njerëz të mirë, dashamirës, fisnikë dhe ndihmues. Ata janë gjithmonë aty, shpesh të fshehur.

Mjafton ti shohim. Duhet vetëm që dhimbja apo trishtimi të mos na zaptojë e robërojë aq shumë sa të verbohemi e të mos shohim dot të mirët që na rrethojnë cdo ditë.

Jemi përballur me vështirësi në jetë. Disa gjëra na i kanë dhuruar, të tjera i kemi fituar e shumë të tjera na janë mohuar. Kemi vepruar drejt, por edhe kemi gabuar. Sidoqoftë, nuk jemi dorëzuar. Kemi besuar tek e mira dhe kemi ecur përpara.

Unë besoj se edukimi fetar, i cilësdo fe qoftë, ndihmon në edukimin e rezistencës së njeriut përballë problemeve dhe në tejkalimin e tyre.

Klea iku. Ne dështuam edhe njëherë si shoqëri. Dështuam sepse Klea e mirë nuk mundi ti shihte të mirët mes nesh që të mund të jetonte me optimizëm dhe ti tejkalonte vështirësitë. Na fal Klea!

Share: