Home KRYESORE Po më tej zoti Lulzim Basha?

Po më tej zoti Lulzim Basha?

Nga Mimoza Kociu

Lulzim Basha ia doli të mbledhë një protestë masive më 8 Dhjetor në bulevardin kryesor të Tiranës, pikërisht në 25 vjetorin e lëvizjes Studentore, që përmbysi diktaturën. Kjo mes të skepticizmit, jo krejt pa vend se Partia Demokratike është ende e brishtë në rolin e saj, edhe për shkak të numrave në parlament e njësitë e qeverisjes vendore që drejton. E këto të fundit janë matësit e suksesit të një proteste. Nëse një parti me këto numra, arrin të nxjerrë masivisht njerëzit në protestë, së pari është tregues i besimit të qytetarëve tek ajo parti dhe së dyti, më konkretja, se realiteti violetë që u paraqitet shqiptarëve nga kjo qeveri përmes monologjeve në salla të mbyllura, nuk bind më.

Turi disajavor i Lulzim Bashës me qytetarët nga veriu në jug, e ka sjellë edhe në vëmendjen mediatike, përmes dëshmive konkrete të vetë banorëve se sa është vështirësuar jetesa në këtë vend. Paralelisht e kemi parë Partinë Demokratike të denoncojë vetë apo t’u japë zë denoncimeve mediatike për rastet e abuzimeve të qeveritarëve e zyrtarëve të saj me fondet publike, për nepotizëm e klientelizëm e mbi të gjitha për modelin “Bëj si them unë, por mos guxo të bësh si bëj unë! ”

Prandaj qytetarët iu përgjigjën Lulzim Bashës që i thirri të protestonin kundër asaj që e quan një qeveri që po i varfëron. E nëse ata u përgjigjën aq masivisht, një meritë e rëndëishme i takon kësaj qeverie që në dy vitet e para I tregoi qytetarëve të vet se premtimet me të cilat u mori votat, jo vetëm nuk po I mban, por po mbjell vec pasiguri për të tashmen e të ardhmen, duke rikthyer një fenomen që mendohej se e kishim harruar, emigracionin, në cdo mënyrë të mundshme. Njerëzit e kanë kuptuar se kjo qeveri ka dështuar në mbajtjen e premtimeve, që u ka bërë qytetarëve për të marrë votën. Ata sot jetojnë më keq e shërbehen akoma më keq, me pasiguri për të ardhmen e duke parë se të vetmit, që po u rritet mirëqenia me shpejtësi janë ata që u kanë marrë votat dhe një kastë e vogël pranë tyre.

Unë nuk jam mes atyre që besojnë se kryeministri Rama refuzoi të lexonte protestën e opozitës apo masivitetin e saj. Aspak! Mendoj se kryeministri e ka lexuar krejt qartë, së pari, sepse e di vetë se sa vështirë është të organizosh protesta, e së dyti, se ai masivitet poshtë zyrës së tij, edhe pasi ka pushtuar pothuaj cdo hapësirë televizive tashmë me “suksesin” e reformave, tregon se nuk i ka pirë ujë.

protesta e 8 dhjetorit2Kryeministri e ka kuptuar përmasën e protestës si nivel i fortë pakënaqësie, e mbi të gjitha, ka parë sic do shqiptar tjetër, se protestues e forca të rendit bashkëqëndronin rehat, secili në pozicionin e vet. E nëse ka një kredit që I duhet dhënë pa mëdyshje Lulzim Bashës, ky është pikërisht modeli I protestave që nuk prekin institucionet. Në mbi dy vjet në krye të PD, ka bërë diferencën, jo thjesht me paraardhësin e tij, por me rivalin sot kryeministër. E ky është një lexim qytetar, që natyrisht nuk përputhet me atë militant, që kërkon gjithnjë e më shumë aksion, edhe me thyerje xhamash e dritaresh të institucioneve, që Lulzim Bashës i dolën nga kontrolli në protestën e të martës. Pikërisht atyre xhamave të thyer u bëri jehonë kryeministri me reagimin e tij në Facebook. Një ekzekutim mjeshtëror i spinit politik, pra spostim i vëmendjes, përmes një interpretimi të kithët të protestës, vetëm tek elementët anësorë të saj.

Vetë Rama dikur në opozitë na ka ofruar modele nga më radikalet e protestave, jo thjesht 21 Janarin, apo cadrat e urisë në mes të bulevardit. Në memorien mediatike ka mbetur ende kryebashkiaku Rama, që në dhjetor të 2009, pak muaj pasi humbi zgjedhjet e përgjithshme si lider I opozitës, e mbushi me thasë me plehra bulevardin e kryeqytetit që vetë administronte, si “dekor” I protestës së rradhës.

Padyshim që ky lloj opozitarizmi I Ramës në të kaluarën, as duhet cuar ndërmend të merret si shembull a frymëzim, sepse dhunimi i institucioneve mbetet primitivizëm politik sot, dje dhe nesër. Impenjimin e disa eksponentëve kryesorë të PD për të zmbrapsur veprime të tilla, e pamë të gjithë. Edhe fatura qesharake e kryebashkiakut të Tiranës për dëmet e shkaktuara nga protesta, jo thjesht për kundravajtjet e shifrat e fryra, aritmetikën e gabuar në mbledhjen e kostove, ishte në funksion të atij spini, që kryeministri e ngriti si një kurth parimor, në të cilin ranë njëri pas tjetrit militantë e jo militantë, e që synonte vetëm ta barazuar protestën me një faturë dëmesh, që rezultoi me firmë të fallsifikuar të inspektorit të Bashkisë, por që mbante firmën mesa duket origjinale të kryetarit të saj.

E nga ana tjetër, duhet të jesh personi më naiv mbi tokë, për të besuar se përpjekja për të shembur bunkierin me mjete rrethanore, të ishte e paramenduar.

Ndarja e opinionit mbi bunkerin në ndërtim, i shërbeu shmangies së vëmendjes nga njerëzit në protestë, duke rihapur debatin, vepër arti apo simbol i diktaturës. Edhe së fundmi kryeministri u mburr në një intervistë duke e paraqitur bunkerin si një mënyrë të paramenduar prej tij për të provokuar. Dhe unë e besoj plotësisht. Nuk vërej një ndjeshmëri personale të kryeministrit për figurën e Enver Hoxhës, por një huazim të metodave të tij. Të bësh gjithcka, thjesht se mundesh, për shkak të pushtetit që ke marrë. Dhe ai bunker që po vajtojnë disa, se po u prish një atraksion kulturor për turistët, është një object pa leje që e vërteton këtë. Një dëshmi fizike se si mund të jesh mbi ligjin, që vetë predikon, njëlloj si me rikonstruksionin ende të pazbardhur të kryeministrisë e rrethinave të saj. Nga ana tjetër, ai bunker që po Protesta te Bunkeri 8 dhjetor 20154ndërtohet nga fillimi, me kosto që vështirë se do mësohen ndonjëherë, duket kopja mjerane e një modeli dinjitoz që ekziston tashmë më Tiranë, e memorialit “Postbllok”, pak metra nga godina e qeverisë dhe e parlamentit. Një triptik me objekte autentike, që tregojnë historinë e diktaturës, thjesht e pa shumë kosto: një copë nga muri I Berlinit, dhuratë bujare e qeverisë locale gjermane, që ngjashëm me Shqipërinë dëshmon izolimin si mënyrë sudimi të diktaturave, një bunker i kohës i zhvarrosur, nga ata që ky vend I ka pasur me shumicë në gjithë sipërfaqen e tij, si dhe disa shtylla të marra nga galeritë e burgut famëkeq të Spacit, përmes të cilave mund të kalohet për të shkuar tek bunkeri. Ai memorial i ish të dënuarit Fatos Lubonja e artistit Ardian Isufi, e jep thjesht e me fakte autentike dimensionin e vuajtjes së shqiptarëve nga ai regjim, pa harxhuar shifra marramendëse për të shpikur art modern.

Edhe për këtë mënyrë arrogante imponimi me fuqinë e pushtetit, njerëzit dolën aq masivisht në protestën e 8 Dhjetorit kundër qeverisë së kryeministrit Rama. Ata i besuan Lulzim Bashës, e kjo është përgjegjësia më e madhe që merr përsipër lideri i opozitës. Po i besojnë pakënaqësitë që i ka krijuar kjo qeveri, që nuk e dëgjon zërin e tyre, e Basha duhet të gjejë alternativën që të mos i zhgënjejë, duke kuptuar se mëkatet e një qeverie nuk mjaftojnë për ta rrëzuar atë.

Share: