Home KRYESORE Protektorati i shumëpritur mbi drejtësinë tonë mbërriti!

Protektorati i shumëpritur mbi drejtësinë tonë mbërriti!

Nga mentor Kikia

Ajo që po bëjnë ambasadori amerikan Donald Lu dhe ambasadorja e KE-së Romana Vlahutin është e paprecedentë. Ata kanë marrë flamurin e lobimit të reformës në drejtësi. Kanë hequr dorezat në komunikimin politik dhe madje, edhe si prokurorë me mandat, i kanë kërcënuar gjykatësit e prokurorët e korruptuar edhe me pranga. Një ndërhyrje e tillë, aspak diplomatike, është shënuar vetëm në vitin 1992, kur ambasadori amerikan i kohës Uilliam Rajerson shfaqej në tribunat e tubimeve elektorale së bashku me udhëheqësin e opozitës së parë shqiptare Sali Berisha. Atëkohë SHBA e hoqi mantelin diplomatik dhe i shërbeu pa doreza fitores së të parës opozitë pas gjysmëshekulli komunizëm.

Duhet të jemi në të njëjtat kushte. Në fakt shumë më keq se në 1992. Përballë nuk kemi një parti komuniste në ditët e saj të fundit, por pamundësinë 25 vjeçare për të bërë shtetin demokratik. Pamundësinë për të instaluar drejtësinë. Kemi korrupsionin që ka prekur çdo qelizë të shtetit dhe administratës. Kemi një drejtësi, që është shndërruar në fatkeqësi kombëtare dhe përgjegjëse për paudhësitë më të mëdha që janë bërë e po bëhen në këtë vend. Nuk është tepër të pranojmë se kemi arritur në ekstremet e të imagjinueshmes: Struktura shteti të inkriminuara që ngjasojnë me organizata kriminale dhe nga ana tjetër korruptimin e klasës politike deri në atë shkallë, sa ka shndërruar në mall edhe votën, duke shkatërruar, pa u instaluar mirë, demokracinë.

Në këto kushte nuk ka asnjë shanc që ne të bëjmë hapa më tej, sado të sforcuar, në integrimin europian. Përvoja ka treguar se ne nuk mund ta ndërtojmë dot drejtësinë e barabartë për të gjithë. Përvoja ka treguar se si njerëz me pushtet politik, njerëz të pasur, njerëz të famshëm të botës së krimit, kanë të njëtin status të privilegjuar para drejtësisë. Përvoja ka treguar se politika ka kontrolluar në mënyrë sistematike procesin e emërimit të njerëzve të drejtësisë, si garanci për mosndëshkim. Dhe realiteti është ky; në vendin me shkallën më të lartë të korrupsionit në Europë, nuk ka asnjë zyrtar të lartë, në nivel ministri, të dënuar. Njërëz me pushtet, për akte korruptive edhe publike, e marrin pafajësinë brenda ditës në gjykatë. Gjykatës që e shesin ligjin në mënyrë flagrante, pa patur as frikë e as cipë më. Kjo gjendje ka prodhuar oligarkinë e të korruptuarve pasanikë, politikanë- biznesmenë-njerëz të drejtësisë, e denjë për vendet dikatoriale të Afriksë.

Kjo gjendje i lodhi shqiptarët. I shkatërroi shpresën dhe shndërroi në një besim të vërber perceptimin që vendi i tyre nuk ka për tu bërë kurrë. Ndaj dhe shqiptarët janë sot, pas sirianëve, azilkërkuesit më të mëdhenj në BE dhe të parët në botë për nga numri i aplikantëve për llotarinë amerikane, për frymë të popullsisë. Kjo i lodhi edhe ndërkombëtarët. Pasi klasa politike nuk ka dëgjuar e kuptuar asnjëherë gjuhën diplomatike. Madje është treguar sistematikisht kaq e pacipë sa secila palë ka lexuar atë paragraf që i është dashur, apo e ka përkthyer deklaratën siç i ka interesuar.

Ndaj ndërkombëtarët, me në krye ambasadën e SHBA dhe misionet e saj, morën në dorë frenat e lobimit dhe hartimit të reformës në drejtësi. Për disa javë me radhë, një fushatë konsultimesh u shndërrua në një fushatë denoncimi dhe anatemimi të paprecedentë të korrupsionit, duke prodhuar një klimë terrori ndaj kujtdo që mund të ngrinte krye ndaj reformës. Ambasadori Lu ishte më i egër se gjithkush, e duke i quajtur shokë të Emiliano Shullazit ata që e kontestonin reformën. Ai ia mbylli gojën opozitës që ankohej se Rama do të marrë frenat e drejtësisë me këtë reformë, duke thënë publikisht se reforma mban autorësinë tonë, të SHBA-së dhe BE-së. Ai përmendi emra kriminelësh me imunitet politik para drejtësisë dhe detyroi gjykatësit të fshehin makinat lukzose nëpër skutat e Tiranës dhe të heqin nga dora orat e shtrenjta, para se të futen në konferencën gjyqësore.

Përvoja jonë ka treguar gjithashtu se ne nuk kemi vuajtur shumë nga mungesa e ligjeve por nga mosbatimi i tyre. Në këtë kontekst, hartimi i reformës në drejtësi nuk prodhon shumë optimizëm mes shqiptarëve, pasi ata e dinë se ligjet nuk bënen për të pasurit dhe të pushtetshmit, por për njerëzit e thjeshtë. Por kësaj radhe ka një ndryshim të madh. Drejtësia jonë nuk është më e pavarur, as edhe formalisht. Ndërsa deri tani ajo varet nga politika dhe paraja, tashmë do të varet nga ndërkombëtarët. Sistemi ynë i drejtësisë do të jetë një formë protektorati. Eshtë ajo që të gjithë ne, që kemi bërtitur për drejtësi, e kemi ëndërruar, kërkuar dhe lutur të ndodhë.

Po ndodh!

SHBA dhe BE nuk janë vetëm lobuesit dhe hartuesit. Por edhe më tej, ata sigurojnë se do të jenë pjesë edhe në zbatim. Për herë të parë në strukturat e drejtësisë së Shqipërisë do të ketë një strukturë ndërkombëtare.

Reforma kushtetuese parashikon një strukturë të posacme, të panjohur më parë në Shqiperi, qe quhet Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit, i cili përshkruhet në draft si një bashkëpunim ndërmjet KE-së, SHBA-së dhe organizatave partnere. I kryesuar nga KE-ja, Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit do të atashohet pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, një strukturë që do të verifikojë gjykatësit dhe prokurorët nëse janë të aftë profesionisht dhe të korruptuar ose jo.

“Vëzhguesit” ndërkombëtarë do të ketë akses të plotë dhe kompetenca të ngjashme më anëtarët e Komisionit të Pavarurur të Kualifikimit. Ata do të japin opinione në cdo fazë të kualifikimit të gjyqtarëve, prokurorëve dhe këshilltarëve të tyre përsa i përket vlerësimit të pasurive dhe performancës profesionale. Ndryshimet kushtetuese u japin veshguesve ndërkombëtarë të drejtën e asaj qe quhet “hulumtimin i plotë” për cdo individ dhe dokumentacionin për të monitoruar procesin dëri në zgjedhjen e komisionerëve.

Dhe e fundit, për të kuptuar rolin që do të kenë tashmë në bërjen e drejtësisë në Shqipëri ndërkombëtarët, është fakti se gjuha zyrtare e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit është gjuha shqipe dhe gjuha angleze.

Edhe Eulexi në Kosovë kështu e ka.

Share: