Prononcim për Gazetën “Koha” lidhur me deklarimet e Kryetarit të LSDM-së për ngjarjet e Kumanovës:
“Anëtari i kryesisë së RDK-së, Artan Dika, thotë se qëndrimet e këtilla janë vetëm fantazi manipulatore qëllimkeqe e kryetarit të LSDM-së, e që sipas tij, nuk mund të dëshmohen me asgjë. “Kjo deklaratë tregon se si ka dashur lideri i LSDM-së të ndodhë e jo siç ka ndodhur në të vërtetë. Është për keqardhje që përfaqësuesit politik maqedonas nuk kanë dallime mes tyre kur bëhet fjalë për shqiptarët. Kjo deklaratë është në vazhdën e mentalitetit antishqiptar dhe tentativave për t’i njollosur ata me të gjitha mënyrat në sytë e opinionit të jashtëm. Ajo që bie në sy është se udhëheqësi i opozitës ka dy ‘te vërteta’, një të brendshme për të përfituar nga shqiptarët dhe një të jashtme për të përfituar nga Perëndimi duke i njollosur shqiptarët”, thotë Dika. Ai më tej thekson se RDK as në të kaluarën por as edhe në të ardhmen nuk do të përkrahë tentimet e LSDM-së për të manipuluar me shqiptarët si dhe për ta kursyer BDI-në. “Rasti i bombave ku kryetari i LSDM-së e kurseu në vazhdimësi partinë shqiptare në pushtet tregon se kjo parti synon ta mbajë BDI-në të incizuar në USB për ta përdorur nëse vjen në pushtet, ashtu siç e ka përdorur deri tani VMRO-ja, duke e pasur të kapur me afera e tenderë. Nisur nga vizioni i RDK-së për të mbrojtur denjësisht interesat e shqiptarëve ajo nuk ka përkrahur as në të kaluarën tentimet për manipulimin e shqiptareve me thirrje për pjesëmarrje në protesta ku nuk ju ofrohet asgjë shqiptarëve, por vetëm synohet kalimi i pushtetit nga njëra palë maqedone tek tjetra”, thotë Artan Dika, anëtar i kryesisë së RDK-së.”