Nga Nga Bardhi Sejdarasi
Koço Broka, një ekonomist që vegjeton prej më shumë se një dekade si komisioner i Autoritetit të Konkurrencës (lexoni se cilat janë produktet e tij tek ky institucion i rëndësishëm buxhetor dhe kushtetues, si përfaqësues i Partisë Socialiste- http://www.caa.gov.al-) ka tentuar të nastradinizojë (por nuk ia ka arritur dot) një shkrim timin në gazetën “Shqiptarja.com”. (shkrimin e z. Koco Broka dhe artikullin e z. Sejdarasi mund ti lexoni duke klikuar këtu)
Shkrimi është me autor Bardhi Sejdarasin dhe nuk ka as ndonjë shënim apo fusnote që përmend funksionin tim në Ministrinë e Financave. Pra është një shkrim, si shumë shkrime ekonomike që unë botoj, apo një opinion që unë i shpreh sa herë kam mundësi të kem dalje publike në media të ndryshme. Aty në asnjë rresh nuk përmendet detyra e këshilltarit të Ministrit dhe e Koordinatorit për të Drejtën e Informimit që kam aktualisht.
Por, Koço Nastradini e lidh edhe këtë prononcim timin me funksionin e Këshilltarit të Ministrit të Financave. Kështu i intereson, mesa duket, por unë nuk e di se për çfarë arsye. Gjithsesi, nuk kam ndonjë gjë me këtë përzgjedhje të Koços së Antikonkurrencës së pandershme! Çështje e tij! Mbase kjo ia bën më të besueshme argumentat kundër meje, mbase i vjen doresh të shkruajë broçkulla.
Në fillim të përsiatjes së tij ai i referohet Bardhi Sejdarasit si gazetar dhe opinionist për problemet e informalitetit (?!) madje evokon edhe një shkrim tjetër timin, botuar vite më parë në gazetën “Shqip”, për të cilin, prej vitesh, nuk i kursen lëvdatat. Punë Koçoje! Unë kam shkruar për anitinformalitetin, nisur nga të dhënat që janë publike, të disponueshme për të gjithë, përfshirë edhe Koçon e Antikonkurrencës.
Të dhënat e servirura në shkrim janë pjesë e fjalës se kryeministrit në takimin me administratorët publikë të Tatimeve e Doganave si dhe të përfaqësuesve të biznesit, mbajtur në Pallatin e Koncerteve.
Koço Broçkulla, tamam si Nastradin Efendiu kërkon atë që nuk e gjen dot tek unë. Ai shprehet se unë duhet ”““jo vetëm të jap ndihmesën … për problemet e informalitetit e formalizimit të ekonomisë, shqetësim i ligjshëm i të interesuarve direkt , por edhe të zgjidh padrejtësitë që u bëhen kolegëve gazetarë, për informacionin ashtu edhe për mos pagimin e rrogave me muaj, apo mos derdhjen e plotë të sigurimeve shoqërore”.
Kësaj i thonë njëlloj si andej nga anët tona (duke qënë se jemi patriotë me Koçon e kemi punuar ca vite bashkë në Kombinatin e Sheqerit në Maliq), pra, të ngatërrosh “Llazin me llozin”!
Në fakt, unë nuk kam më shumë “fuqi”se Koço sa i përket mospagimit të rrogave, apo mos-derdhjeve të sigurimeve shoqërore për kolegët e mi gazetarë. Kemi vetëm zërin tonë publik, që e shprehim në media dhe në zyrat e shtetit, ku kërkojmë respektimin e ligjit nga punëdhënësit e gazetarëve, 99 % e të cilëve janë biznes privat. Kaq mund të bëjmë për këtë rast!
Tani Koço Nastradini nuk është i kënaqur me këtë! Po nuk kam lexuar ndonjë kritikë të tij për këtë çështje, se edhe ai ka qënë në Qeveri, madje qeveri të majtë, me funksion më të lartë se funksioni i përkohshëm që kam unë sot! Edhe në kohën e Koço gjymertit, kështu kanë qënë gazetarët, nuk është se ka ndonjë ndryshim të madh!
Koçua kërkon të dijë shumë gjerë nëpërmjet shkrimit tim në gazetë, përfshirë koston e operacionit, peshën që ka pasur në të ardhurat e buxhetit, përfitimet (në se ka pasur) që biznesi dhe qeveria kanë patur nga kjo reformë etj, etj.
Koçua i Konkurrencës kërkon edhe që, në faqen zyrtare të MF, të gjejë të dhëna, që ai thotë se “mungojnë ndaj një informacion i tillë pritej e shpresohej nga artikulli “Informaliteti, a ka dështuar ?”
Pra, ekonomisti i PS-së kërkon të dijë ato që edhe unë nuk kam si ti di mirë! Sepse operacioni nuk është një fushatë, e para. Sepse nuk jam unë autoriteti që i bëj publike këto të dhëna, e dyta. Sepse kjo transparencë sigurohet edhe në kushtet e respektimit të ligjit “Për të drejtën e Informimit”, që Koço nuk e di dhe nuk besoj se e ka lexuar ndonjëherë! Dhe kjo është e treta! Unë sapo thashë që i jam referuar fjalës së kryeministrit dhe të gjitha të dhënat janë nxjerrë nga kjo fjalë (që gjendet lehetësisht, me një klikim te www.kryeministria.al)
Koço Broçkulla kërkon nga unë të kërkoj ndjesë publike? Po përse? Në emër të Ministrisë së Financave, për publikimin e treguesve fiskalë të Buxhetit të Konsoliduar? Po e ka trajtuar ministri i Financave këtë gjë (jo njëherë por disa herë) në takimin e tij permanent me gazetarët, duke shpjeguar edhe arsyet që lidheshin me sistemin e ri të IT dhe me investimin prej 13 milionë Euro të projektit në fjalë, që e vononte (dhe e vonon ende) nxjerrjen e të dhënave!
Të dhënat zyrtare që do Koço nuk janë në Ministrinë e Financave. Koço nuk e di, ose bën sikur nuk e di se, operacioni antiinformalitet udhëhiqet nga kryeministri dhe, pra, të dhënat zyrtare dalin vetëm nga zyra e kryeministrit. Këtu ai bën lojë fjalësh kur thotë se kjo është etika e zyrtarit dhe etika e gazetarit. Edhe kjo tamam si Nastradin Efendiu!
Ky ekonomist i shkollës “Vladimit Iliç Lenin”, që për fat të keq është edhe lektor i ekonomisë, më akuzon se sjell në shkrim “tregues të pjesshëm e i manipulon”. Në fakt as janë të pjesshëm dhe as janë të manipuluar, sepse nuk kam arsye që ta bëj këtë gjë. Janë thënë publikisht, në një transmetim “live” dhe nga kreu i qeverisë. Kaq e thjeshtë është!
Po Koço Nastradini dëshiron të dalë diku tjetër, tek Treguesit Fiskalë sipas Buxhetit të Konsoliduar. Ai e bën analizën për këtë tregues dhe mirë bën! Po komenti im as që ka lidhje me këtë!
Këtë të fundit e ka bërë dhe vijon ta bëjë në tërë ditët e javës kreu i dikasterit të Financave, në Kuvendin e Shqipërisë, në të gjithë komisionet kuvendore që diskutojnë e debatojnë treguesit e buxhetit dhe të paketës fiskale 2016! Kjo nuk është detyra ime! Dhe nuk kam pse ta bëj unë në një shkrim ku flitet ekzaktësisht vetëm për rezultatet e kësaj faze të operacionit antiinformalitet.
Dhe tamam serish si Nastradin Efendiu ngatërron shifrat e mia me të ardhurat buxhetore krahasuar me periudhën respektive të vitit 2014! Edhe Nastradinit kur i hipte gomarit, i dilte gjithnjë një gomar mangut gjatë numërimit! Kështu edhe Nastradin Koços! Eh, more Koço Ekonomisti, i Sheqerit të Maliqit! Sa mbrapa paske mbetur! Dhe sa nder po i bëke vetes dhe komisionerit të Autoritetit të Konkurrencës, të votuar me votat e këtij parlamenti!