Home KRYESORE Informaliteti a ka dështuar ? Po ka dështuar.

Informaliteti a ka dështuar ? Po ka dështuar.

Nga Koco Broka

Shkak për këtë shkrim u bë artikulli “Informaliteti a ka dështuar ?” publikuar në gazetën SHQIPTARJA.com, datë 27 nëntor me autor z.Bardhi Sejdarasi, gazetar dhe opinionist për problemet e informalitetit.

Shumëkujt i bie nder mend shkrimi i tij: “A ka kosto që në Shqipëri të jesh legal dhe i ndershëm?”

Pyetjes, shtruar nga ai vetë, por edhe nga të tjerë, në shkrimin e atëhershëm, autori iu përgjigj në mënyrë retorike. “Pyetja e mësipërme “ha “ diskutim , sepse historia e ekonomisë shqiptare në dy dekatat e fundit është shfaqur me të dy anët e medaljes: bisnezmenët, tregëtarët e ndershëm, janë penalizuar, të pandershmit, abuzuesit më së shumti kanë përfituar”

Artikujt e medias, me trajtesa e tituj pikantë,”Antievazioni, kosto apo përfitim” “Zhurma me kasat për të mbuluar kontrabandën” “Formalizim, por jo falimentim” shprehin shqetësimin jo vetëm të një publiku të interesuar, por edhe të gazetarëve të cilët nuk informohen në kohë,(shkelur nw vazhdimwsi kalendari i botimit paraprak tw tij) për problemet që kanë të bëjnë me treguesit fiskal tw të buxhetit tw konsoliduar shtetëror

Z. Bardhi Sejdarasi, nuk është thjesht një gazetar e opinionist. Ai është këshilltar në kabinetin e Ministrit të Financave, ndaj, pyetja që ai parashtron që në titull, ngjall kureshtje. Të vjen mendimi se z Sejdarasi, me këtë artikull synon jo vetëm të japë ndihmesën e tij për problemet e informalitetit e formalizimit tw ekonomisw, shqetësim i ligjshëm i të interesuarve direktë , por edhe të zgjidhë padrejtësitë që u bëhen kolegëve të tij gazetarë, për informacionin ashtu edhe për mos pagimin e rrogave me muaj, apo mos derdhjen e plotë të sigurimeve shoqërore.

Lexuesi që ka në dorë një artikull shkruar nga këshilltari i Ministrit të Financës për marrëdhëniet me publikun, pret të informohet mes të tjerash edhe për tërësinë e gjobave të vendosura gjatë reformës antiinformalitet e antievazion gjatë muajve Shtator ”“Tetor të vitit në vazhdim. Kur publikon buxhetin e konsoliduar fiskal të përmuajshëm, zë dhënesi i ministrit, duhet të njoftojë edhe numurin e gjobave, shumëm e përftuar prej tyre, si dhe numurin e të burgosurve për invasion fiskal. Kjo do të thotë trasparencë.

Të interesuarit, duan të dinë konkretisht, me shifra, koston, pra cfarë peshe ka pasur në të ardhurat e buxhetit kjo reformë antiinformalitet, si dhe përfitimet( në se ka pasur) që biznesi dhe qeveria kanë patur nga kjo reformë.

Në faqen e internetit të Ministrisë së Financave, këto të dhëna mungojnë ndaj një informacion i tillë pritej e shpresohej nga artikulli “Informaliteti a ka dështuar ?”

Të paktën ekonomistët prisnin (dhe presin) të shihnin sa ishin gjobat, sa ishin shtuar ose pakësuar ato krahasuar me periudhën Shtator-Tetor 2014, sa kanë qenë ndërkohë shtesat në të ardhurat gjithsej të buxhetit të shtetit.

Por cila është përgjigja e autorit të paktën për pyetjen e shtruar në titull ? Ai e fillon artikullin me frazën: “Ndjeshmëria e lartë jo vetëm e politikës por sidomos e publikut lidhur me atë që në media është cilësuar si “operacion antiinformalitet” ka sjellë këndvështrime të ndryshme, komente dhe analiza të shumëllojta, por edhe pasaktësi në të dhëna, që nuk i referohen të dhënave zyrtare (korsivi i imi)” dhe e përfundon me konkluzionin se “Qoftë vetëm këto shifra të para nuk të lejojnë të thuash se “antiinformaliteti ka dështuar”

Por si është e vërteta? Ministria e Financave, në kuadrin e një politike trasparente, duhet të publikojë treguesit fiskalë të Buxhetit të Konsoliduar, cdo datë 12 të muajit pasardhës , afat i cili nuk është respektuar. Sigurisht do ishte korrekte që të kërkohej ndjesë publike, e jo të akuzoheshin të tjerët se “ nuk i referohen të dhënave zyrtare”. Atë që nuk e bën vetë, ua hedh të tjerëve. Për të qarë e për të qeshur. Kjo, është shumë më tepër se sa mungesë e etikës zyrtare apo etikës së gazetarit. Shpresojmë që kjo nuk është etika zyrtare e Ministrisë së Financave,ndryshe jemi vërtet për të qarë hallin.

Ndërkohë në artikull, autori sjell tregues të pjesshëm e i manipulon. Nëse këshilltari i Ministrit nuk sheh gjithë të dhënat e Ministrisë së Financave, pra tabelat e Treguesit Fiskal sipas Buxhetit të Konsoliduar kjo është punë e tij. Por kushdo mund të shohë, në faqen e kësaj Ministrie se ritmi i rritjes, të të Ardhurave Buxhetore gjithsej, për periudhën tetëmujore, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ka rënë 5.1%.  për periudhën nëntëmujore rënia ka qenë 4.6 %  për periudhën dhjetëmujore rënia ka qenë 4.0 %.

Në muajt në të cilët është zbatuar reforma frontale kundër informalitetit është shënuar një rënie përkatesisht 0.6% për shtatorin dhe -2.8 % per tetorin.

Në terma absolutë, të Ardhurat Buxhetore gjithsej, në muajin Tetor 2015 ishin -903 milion lekë më pak se sa në Tetorin e vitit 2014.
Në dymujorin Shtator-Tetor, 708 milion lekë më pak,se sa e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Por nëse rënia, tatëpjeta, e të ardhurave buxhetore gjithsej, këshilltarit të Ministrisë së Financave i duken apo me dashje ai i paraqit si rritje, sukses dhe jo dështim, kjo nuk është vetëm punë e tij. Për shumëkënd një apologji e tillë, është nasdradinizëm i papranueshëm.

Të dhënat e publikuara nga Ministria e Financave tregojnë se periudha dy mujore shtator ”“tetor, ka qenë dështim për të ardhurat buxhetore. Një dështim i paparashikuar e i papritur. Por nëse ky dështim i paparashikuar dhe i papritur nuk lexohet drejt, kjo mund të bëhet dhe në fakt po bëhet koracë e informalitetit. Gjatë prezantimit të buxhetit për vitin 2016, nga Ministria e Financave në Kuvend, është deklaruar se “Të ardhurat rriten me 30.7 milard lekë më shumë, kjo do të thotë se të ardhurat e pritshme të buxhetit 2015, do te rezultojnë 417.7-30.7=387 miliard. Nëse të ardhurat buxhetore, të vitit 2014, kanë qenë 366.7 miliard dhe në fund të Tetorit, për periudhën 10 mujore, ato kanë qenë 11.911 miliard lekë më shumë, kjo do të thotë që gjatë muajve Nëntor ”“Dhjetor do të realizohen 8.4 miliard lek më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Unë personalisht, jam shprehur dhe ndërkohë kam kërkuar publikisht formalizimin e plotë të ekonomisë shqiptare, përfshirë dhe njësitë ekonomike në bujqësi, si kusht për konkurrencë të lirë efektive të ndershme e zhvillim të qëndrueshëm. Shumë kush, nëpërmjet deklaratave e shkrimeve, përfshi edhe të interesuarit( biznes e tregëti e vogël), janë shprehur pro formalizimit të ekonomisë.

Ndërkohë, ka patur dhe ka mendime të ndryshime përsa i përket metodave të realizmit të reformës antiiformalitet, antievazion dhe shtrirjes së tij.Pas tre dështimeve para ardhëse të operacioneve të tilla, të ndërmara vite më parë, kjo reformë nuk duhet të dështojë. Të paktën kështu mendojnë shumë shqiptarë që përballë dilemës, të rrijnë në Shqipëri apo të ikin, tani për tani mendojnë se ka arsye te mjaftushme për të ndënjur ende në Shqipëri.

Teoria ekonomike është mjaft e qartë. Konkurrenca, nga njëra anë nxit për përmirësime, risi, rritje të prodhimit, cilësisë, ulje të kostos, por ndërkohë nxit dhe mashtrimin, evazionin, marrëveshjet e fshehta. Fitimi realizohet në dy mënyra:- nëpërmjet prodhimit të të mirave materiale e shërbimeve, duke rritur vlerën fillestare të investimit, ose nëpërmjet përvetësimit te produktit të prodhuar nga të tjerët.

Reforma antinformalitet, nuk nënkupton vetëm ndryshimet në realitet por dhe ndryshimet në perceptim, madje këto të fundit duhet të paraprijnë ndryshimet në realitet. Reforma antievazion realizohet pa integrimin e mbrojtjes dhe promovimin e konkurrencës së lirë efektive me mbrojtjen dhe promovimin e konkurrencws sw ndershme, pa integrimin e veprimtarisw sw institucioneve tw ngarkuara drejpwrdrejt me to, Autoriteti tw Konkurrencws dhe Tatimeve, Dogonave etj.

Reformat, si cdo ndryshim, kërkojnë që dështimet e pa pararashikuara e të papritura, të mos shihen me nastradinizëm por me përgjegjshmëri qytetare e në mënyrë shkencore. Kur them me përgjegjshmëri qytetare, nënkuptoj që këshilltari i Ministrit të Financave, krahas opinioneve se sa do të rriten të ardhurat buxhetore në muajt e mbetur të vitit 2015 dhe për 2016, së pari duhet të kuptojë e të sqarojë se cilët ishin faktorët kryesore që të ardhurat buxhetore gjatë muajve Shtator- Tetor 2015, ishin 700 milion lekë më pak, krahasuar me të ardhurat e vitit të kaluar.

Peter Drucker guru i ekonomise, sqaron shumë thjesht e qartë se një ndër burimet e inovacioneve dhe zhvillimit është jo vetëm suksesi i papritur por dhe dështimi i paparashikuar dhe i papritur. Jo rrallë dështimet sjellin risi më tepër se sa sukseset. Përmbytja që solli urugani Katrina në SHBA dhe leximi i kujdesshëm i saj, u bë burim risish, përmirësimi, rritje, zhvillimi në disa fusha. Të tilla i lexoj unë dhe rezultatet e deritanishme të reformës antiinformalitet, antievazion në të ardhurat buxhetore-dështim i paparashikuar dhe i papritur. Ky dështim dymujor mund të kthehet burim risish dhe rritjesh, nëse realiteti lexohet ashtu sic është, por dhe në mënyrë shkencore. Vetem kështu mund të realizohet formalizimi i gjithë ekonomisë shqiptare.

PS: Koco Broka është Ekonomist

Share: