Nga Valbona Sulce Kolgeci
“Të gjitha ngjarjet e dhunshme tregojnë se respekti dhe bashkëjetesa kanë dështuar”- thotë Dominique Wolton, një profesor francez i komunikimit.
Po pse ka dështuar respekti për institucionet në Shqipëri? Duke përjashtuar tezën se ne nuk e kemi pasur ndonjeherë respekt për to, mbetet të shihet çfarë është ajo që i ka bërë qytetarët e këtij vendi ta humbin respektin për institucionet. Kishim menduar se kemi ndërtuar institucione këto 20 vjet, por me sa duket kemi harruar atë që thotë filozofi Karl Popper: “Institucionet janë si kalatë: duhen ndërtuar mirë dhe të pajisjen me njerëzit e duhur.”
Duke ndërtuar respektin për institucionet, ne kemi ndërtuar mënyrën më të mirë për t’i mbrojtur ato. Nuk ka nevojë për tela me gjemba as për policë, as për gardistë. Nëse deri tani s’ia kemi dalë, ky është një moment për të ndalur e reflektuar. Diçka që me sa duket e kemi tmerrësisht të vështirë, por që është dëshpërimisht e nevojshme. Të ndalemi një çast, të pushojmë së foluri, të mendojmë, të reflektojmë, jo zjarr për zjarr, sy për sy dhëmb për dhëmb. Ndaj kujt?
PS: Fragment nga Bulevardi i Dëshmoreve shkruar ne janar 2011