Home KRYESORE “Rrethi i Ferrit” cfare do ju gjeje ne 2016.

“Rrethi i Ferrit” cfare do ju gjeje ne 2016.

Nga Grid Rroji

Këto ditë të fundvitit 2015 po bëhet përditë e më e qartë se gjendja në Shqipëri është në prag të katastrofës, padrejtësia dhe hajnia janë sistemi, ekonomia është në prag të kolapsit, varfëria po kap nivele ekstreme, paria është në krizë zgjidhjesh, idesh dhe njerëzish, dhe populli nuk ka shpresë tek asnjëra nga palët e parisë. Kjo gjendje përveçse përshkruan një shoqëri e cila jeton në rrethin e ferrit siç e kemi evidentuar me kolegët e Forumit Intelektual “Rrethi i Ferrit”, por po bëhet përditë e më e dukshme se tanimë paria nuk ka zgjidhje tjetër përpos të hajë shqiptarët dhe me pas edhe njëri tjetrin. Ky vit që po vjen do të jetë një vit edhe më i vështirë se sa ai që kaluam por edhe traumatik për të gjithë.

Por mbi të gjitha, viti 2016 do jetë mynxyrë për shqiptarët e thjeshtë sepse palët e parisë do të dalin hapur. Ato do të bëjnë gjithshka kanë në dorë për t’a mbajtur shtetin e tyre oligarkiko kleptokratik duke ju futur dorën në xhep katundarit shqiptar.

Mirëpo njerëzit e shohin se problemet janë rënduar, nuk ka punë, krimi po lulëzon, taksat janë rritur dhe do rriten edhe më tej, opozitë reale nuk ka dhe shumëkush mendon si të largohet nga rrethi i ferrit sepse kërkon të jetojë me nder e me dinjitet.

Cilat janë plagët shoqërore dhe problemet që shpërfaqen frikshëm në këtë fundvit dhe që do majisen edhe më tepër vitin e ardhshëm?

Pikësëpari, ekonomia është e rrënuar, vendi prodhon pak ose aspak, shumica e të ardhurave vijnë nga ekonomia e paligjshme, dhe mbi 40% e ekonomisë është në të zezë. Edhe ato biznese që ende mbijetojnë i kanë futur paratë nën dyshek, sepse të gjithë e dinë se po vjen dita e zezë dhe ato para do t’u duhen për të mbajtur veten dhe familjen.

Ekonomia ekzistuese nuk krijon punësim, nuk ka shpresë dhe njerëzit duan të ikin. Mirëpo, shumëkush nuk ka nga të shkojë, sepse kanë investuar, kanë vënë familje, ndërtuar shtëpi e katandi, kanë krijuar lidhje politike e shoqërore që mendojnë se do t’i mbrojnë kur të vijë dita e zezë. Por e vërteta është se askush nuk e ka këtë siguri dhe 2016a vetëm sa do t’jua shtojë pasigurinë. Dita po afron që taksimi dhe gjobat t’u shkojnë edhe atyre që deri dje i rregullonin punët me sekserë të parisë sepse këta që po na hanë si komb, pasi të na kenë ngrënë kockat do të hanë edhe njëri tjetrin. Këta nuk kanë mëshirë as për njëri tjetrin kur vjen puna tek paratë, edhe pse janë të lidhur me krushqi e farefisni e me qindra fije të tjera të dukshme e të padukshme. Si do kenë mëshirë për pronën dhe gjënë që shqiptarët e kanë vënë me aq mund e sakrifica?

Për rrjedhojë, buxheti i shtetit është i falimentuar që në fillim të vitit, dhe i bërë me aq “rigorozitet” sa mungojnë në llogari 100 milionë lekë. Qeveria kërkon rritje taksash me mënyra të drejtpërdrejta apo të tërthorta sepse këta nuk do hanë dhjamin e vet po atë të shqiptarëve. Por taksat do t’jua marrin katundarëve shqiptarë që paratë e gjakut i kanë investuar në shtëpira, hotele dhe gjë të tundshme. Mirëpo, shteti ka nevojë për rreth 4 miliard dollarë në vit, pa marrë parasysh se edhe njëherë aq duhet për t’i mbajtur me vjedhje kryetarët, drejtorët, sekserët dhe berberët e të gjitha palëve. Për të përdorur shprehjen popullore këta do “kaurdisen me yndyrën ton딝 se të vetën e ruajnë deri në fund. Mirëpo edhe kështu nuk do mundin të nxjerrin dhjamë nga pleshti sepse kush nuk punon nuk ka çfarë taksash të paguajë. Pra kush mbetet? Pronarët e shtëpive, biznesi i vogël dhe i mesëm, njerëzit që kanë mbijetuar duke u adaptuar në njëfarë mënyrë pa u pajtuar me pocaqillëkun e parisë. Dhe në mungesë të parave, që janë arsyeja kryesore pse janë në politikë, këta do na hanë ne para se të hanë edhe njëri tjetrin.

Stabiliteti politik është i rrezikuar nga frika që palët e parisë kanë nga drejtësia. Megjithë retorikën, të gjitha palët e dinë fort mirë se çfarë kanë bërë, sa është vjedhur dhe sa është shpërdoruar gjatë këtyre 25 viteve. Kushdo që është sot në politikë ka luajtur rolin e vet në këtë sistem hajnor. Këta janë të gjithë në tavë dhe përgjegjës për ndërtimin e oligarkisë kleptokratike me anë të së cilës kanë sunduar.

Për shkak të zullumeve që kanë bërë këta e kanë frikë burgun dhe ndëshkimin fizik ndaj brezave të ardhshëm. Sidomos dy familjet Berisha dhe Meta janë të varura drejtpërdrejt nga mosfunksionimi si duhet i drejtësisë dhe prania në politikë. Kryeministri piktor nga ana e vet mendon miopisht se duke e kontrolluar drejtësinë do të shpëlajë veten dhe të vetët nga gjynahet. Me pak fjalë, këta jënë të gjithë të kapur prej krimeve që kanë kryer, dhe nuk kanë ndërmend të ndërtojnë një sistem drejtësie për të qenë. Ndaj do e çojnë zullumin në maksimum, dhe pasi të kenë rrënuar shtetin dhe të kenë ngrënë edhe kockat e shqiptarëve do hanë njëri tjetrin. Viti që po vjen do sjellë edhe ashpërsimin e përballjes midis hajnave të parisë dhe shqiptarëve.

Megjithë impenjimin e drejtpërdrejtë dhe të shumëpritur të partnerëve ndërkombëtarë, të cilët me mirëdashje maksimale kanë investuar dhe po vazhdojnë të investojnë për drejtësinë e shqiptarëve, reforma në drejtësi nuk do të mund të bëhet e plotë. Një reformë reale të drejtësisë për t’ja dhënë hakën të zotit dhe për të dënuar të korruptuarit nuk mund t’a bëjnë këta dhe gjykatësit dhe prokurorët e tyre sepse këta kanë halle siç u shpreh ministri i Padrejtësisë me vulën e LSI-së, Ylli Manjani.Dhe hallet e tyre nuk zgjidhen dot me ligj por duke shfrytëzuar, sunduar dhe futur duart në xhepat e shqiptarëve dhe në fund edhe të shoshoqit. E si mund të pranojnë këta një drejtësi që lufton pa kompromis krimin kur këta janë krimi, këta janë zvetënimi, këta janë ata që janë pasuruar në sajë të katrahurës së drejtësisë? Si mund t’a pranojë Ilir Meta se fakti ekziston sepse e kemi parë me zë e me figurë? Mirëpo trysnia ndërkombëtare nuk do ndalet, e do të bëhet sa vjen e më e fortë. Por këta bashkëpunojnë me ndërkombëtarët deri në pikën kur nuk u rrezikohet sistemi sundues, në fund ruajnë pozitën e tyre brenda sistemit. Po vjen koha që këta do hanë njëri tjetrin, pasi të kenë pirë edhe pikën e fundit të gjakut të shqiptarëve. Për këtë arsye, viti që po vjen do të jetë fort i trazuar.

Por çfarë përgjigjesh po i jep paria kësaj katastrofe në bërje?

Kryeministri piktor është shndërruar në një artist endacak që vërtitet rrugave të botës për të lypur financime të cilat nuk po vijnë, dhe për të shitur ndonjë pikturë për të justifikuar buxhetin e vet familjar. Kur nuk bën karagjozin, ai shfaqet tejet i friguar nga bjerrja e patjetërsueshme e marrëdhënieve me Ilir Metën, i cili është realisht kumbari mafjoz i qeverisë. Më tej, Edi Rama përtej retorikës ka instaluar një sistemi po aq korruptiv sa ai i Berishës siç dëshmojnë thagmat në shëndetësi dhe arsim. 2016-a do t’a vështirësojë edhe më tej këtë raport dhe po vjen dita që këta do përplasen me njëri tjetrin për thërrimet e fundit në tryezë, pasi të kenë ngrënë kockat e shqiptarëve.

E ashtuquajtura opozitë e Lulit nën hyqmin e Saliut përpiqet të menaxhojë revoltën popullore duke e kanalizuar tek çështje pa asnjë kuptim siç është “lufta kundër komunizmit dhe komunistëve”. Duke ushqyer këtë frymë anti-kombëtare e sektare ata mendojnë se mbrojnë familjen biologjike të liderit historik, por nuk përfaqësojnë as aspiratat e shumicës së anëtarëve të vet. Me fjalë të tjera, as Lulit e aq më pak Saliut nuk ja ndjen për militantët që përdorin për mitingje apo për të nxitur “anti-komunizmin” e pakuptimtë në shekullin e 21të. Vetë militantët e kanë kuptuar se janë përdorur, po përdoren sërish dhe si zakonisht po vjen dita që Saliu dhe veglat e tij t’a shesin “anti-komunizmin” për mbijetesën e tyre sepse këta përpara se të hanë njëri tjetrin do përdorin si mish për top shqiptarët.

Paria e Tiranës që na sundon kërkon me çdo kusht të mbajë pushtetin dhe vendin e vet në sistem. Shteti është i falimentuar, ekonomia e rrënuar, sistemi politik është oligarki kleptokratike dhe burimet e jashtme kanë shterruar. Paria nuk ka më zgjidhje, dhe përditë e më shumë do të fusë duart në xhepat e shqiptarëve për të financuar urinë e saj hajnore dhe për të mbajtur në këmbë formalisht shtetin.

A kemi zgjidhje?

Siç e kemi thënë me kolegët e Forumit Intelektual “Rrethi i Ferrit” në emisionin Tonight të Ilva Tares i cili do të transmetohet javën që vjen, zgjidhja e vetme e duhur për shqiptarët është braktisja e parisë dhe një fillim i ri, me mendësi të re dhe njerëz të rinj. Viti që po vjen do ta bëjë edhe më të qartë se shqiptarët kanë nevojë të mbështesin një alternativë të re, e cila të synojë ndërtimin e strukturave të shtetit komb, një ekonomi tregu që mbështet prodhimin vendas, një sistem drejtësie të pakorruptueshëm dhe të rivendosë ekuilibrat shoqërorë. Këta që janë na kanë prurë në Rrethin e Ferrit, nuk munden dhe nuk do t’a bëjnë ndryshimin. Ndryshimin do ta bëjnë shqiptarët e ndershëm, që duan të jetojnë me nder e dinjitet në shtetin e tyre që i mbron dhe u jep siguri fizike, ekonomike dhe shoqërore. Shqipëria shqiptarëve!

Share: