Home KRYESORE Shpëtim Idrizi i shkruan individualisht deputetëve per rezolutën çame.

Shpëtim Idrizi i shkruan individualisht deputetëve per rezolutën çame.

Deputeti i PDIU Shpetim Idrizi, duke folur gjate nje seance parlamentare, ku eshte diskutuar ne lidhje me Reformen Territoriale./r/n/r/nLawmaker, Shpetim Idrizi, during a parliamentary session.

I nderuar koleg,

Gjatë këtyre viteve dhe legjislaturave, pavarësisht qasjeve politike e debateve të ndryshme që e kanë ngjalluar institucionin tonë, NE kemi patur mjaft momente dhe qëllime të përbashkëta. Unë besoj se ka një moment që na përbashkon më shumë. Ai është interesi kombëtar, dinjiteti kombëtar, është bashkimi virtual i dinjiteteve tona personale, i interesave tona personale për një Komb.

Një prej këtyre momenteve që falë jush unë e ruaj me krenari në memorien time politike dhe njerëzore është sigurisht ai i çdo 27 qershori, datë kjo emblematike që përkutjon genocidin grek mbi shqiptarët e çamërisë. Unë jam ndjerë shumë i motivuar dhe i fortë nga mbështetja Juaj dhe nga përkrahja Juaj njerëzore, mbi të gjitha.

Teksti që po ju paraqes për të marrë mbështetjen Tuaj nuk është një dokument i thjeshtë. Ai nuk është vetëm produkt i një frymëzimi personal timit, si anëtar i komunitetit çam, një komunitet martir, që ka amanetin e vet, ka testamentin e vet kolektiv. Ai është bashkimi i amaneteve të thëna, qoftë edhe nga paraardhësit tanë që janë ndarë nga jeta, qoftë edhe prej atyre që janë në prag të kësaj ndarjeje, thënë kështu, unë dua ta ndaj atë me Ju.

Ne të gjithë e pamë dhe e ndjemë sa të fortë dhe krenarë ishim, kur në festimin e 100 vjetorit të shtetit shqiptar, NE përjetonim të njëjtën ndjenjë, atë të përkatësisë sonë kombëtare. A mundet që në një moment si ky i 100 vjetorit duke parë në sy qytetarët tanë, bashkëkombasit, të marrim kurajo dhe të kërkojmë politikisht vënien në vend të një padrejtësie, mbylljen e një plage, fillimin e zgjidhjes së një çështje, që për një kohë të gjatë ka mbetur nga politika shqiptare në sirtaret e harresës dhe indiferencës?

Që nga koha e rënies së regjimit komunist Shqipëria është sot një vend anëtare e NATO-s, qytetarët tanë lëvizin të lirë në Evropë falë marrëveshjes së liberalizimit të vizave. NE kemi marrë përsipër plotësimin e reformave, si aspirantë në Bashkimin Evropian dhe jemi në prag të statusit të vendit kandidat. Kosova është e pavarur. Ndaj sot është koha, të mos heshtim!

Në këtë rezolutë nuk kërkohet asgjë më shumë sesa disa të drejta legjitime universale, që sot janë mishëruar në traktatet më të rëndësishme të së drejtës ndërkombëtare dhe janë pjesë thelbësore e Bashkimit Evropian, ku aspirojmë të anëtarësohemi. Lexojeni me vëmendje edhe relacionin shoqërues të këtij teksti dhe do të kuptoni motivet e mbrapshta, që e çojnë dikë të thotë se çështja çame nuk ekziston, duke mbuluar me vetëdije një krim tronditës për ndërgjegjen evropiane.

Me anën e kësaj letre, unë i drejtohem vetëdijes kombëtare dhe dinjitetit të gjithsecilit prej Jush. I drejtohem kurajës njerëzore të çdokujt që është pjesëtar i Kuvendit të Shqipërisë, pavarësisht se cilin qark përfaqëson, në Jug apo në Veri, në Lindje apo në Perëndim, i majtë ose i djathtë qoftë. Ndaj ju ftoj të nderuar kolegë që NE të gjithë ta votojmë këtë rezolutë. Ta votojmë të gjithë si individë të lirë, si deputetë dinjitozë dhe jo si anëtar të njërit krah apo tjetrit.

Do të ishte jo e drejtë dhe jo dinjitoze që dikush mes nesh të na kthente krahët. Unë shpresoj se edhe kryetarët e partive, në shqyrtimin e kësaj rezolute, nuk do të japin direktivë politike për të orientuar votimin. Unë uroj që ata këtë herë t’i lenë të lirë deputetët që të dëgjojnë zërin e arsyes kombëtare, të amanetit të një popullsie martire si ajo çame. Një popullsi që tentuan ta shkulin nga rrënjët, por që mbijeton falë ndjenjës së fortë të përkatësisë.

Nëse do japin direktiva politike për votimin, atëherë do politizojnë një votë, që duhet të jetë votë e konsensusit dhe votë e bashkimit. Do të vlerësoja dhe mirëprisja kontributin e çdonjërit prej Jush, për ta përmirësuar dhe pasuruar këtë rezolutë, që ajo të jetë një produkt i yni, dëshmi vullneti, kurajoje e përbashkimit të parlamentit tonë. Unë ju ftoj të shohim njeri tjetrin në sy dhe të votojmë PRO! Ta votojmë PRO, këtë dëshmi të koncentruar të kurajës sonë kombëtare.

Nëse do votojmë të gjithë, unanimisht, atëherë ata që duhet të marrin mesazhet e këtij teksti, do të mendojnë më gjatë dhe do të përkulen para forcës sonë. Kjo forcë gjendet tek amaneti që përcillet brez pas brezi, tek mesazhet e pafundme të mbështetjes prej qytetarëve tanë, bashkëkombasve tanë nga të gjitha viset etnike të shqiptarëve, tek forca e një kombi të lavdishëm. Duhet të bashkojmë zemrat dhe të themi: NE e bëmë veprën tonë, për të vënë në vend një padrejtësi të madhe historike. Le të bëjmë së bashku një vepër të madhe njerëzore. Të ndihemi njëlloj për një çast të vetëm para votës sonë, duke votuar rezolutën për zgjidhjen e çështjes çame!

Miqësisht Shpëtim Idrizi

Share: