Nga Rezart Palluqi
Dekoratat, ashtu si ëmbëlsira, vijnë në fund. Në fillim, vjen vënia e drejtësisë në vend. Mbas saj, pason integrimi dinjitoz i viktimës në shoqëri. Dhe në fund, vijnë dekoratat. Ndaj, gjithmonë pyesja dhe e pyes ende veten: si lumturohet një viktimë kur e dekorojnë, ndërkohë që xhelati i tij kërcen e shëtit i parfumosur? E kuptoj se solidariteti të prek në zemër. Mirënjohja e shoqërisë për ato që ke vuajtur të bën mirë. Por a mjafton një dekoratë? Pjellat e politikës sonë pashoxhiste, kanë ditur që ta anashkalojnë fazën e drejtësisë, dhe hidhen në fazën e dekorimeve. Ceremonitë e dekoratave kanë krijuar një efekt trallisës, idiotizues dhe poshtërues. Kjo ndodh edhe ne fushën artistike. Dekoratat dhe çmimet kanë më shumë vlerë shpirtërore, se sa vetë arti.
Dekoratat jepen mbasi drejtësia është rikthyer në tempullin e saj. Dekoratat i meritojnë ata gjyqtarë që e sollën drejtësinë në vend. Ndërsa viktimat, meritojnë mirënjohjen e shoqërisë. Kjo e fundit, ua shpërblen jo me copa bakri të shkëlqyeshme dhe stampa pompoze, por duke i krijuar mundësi edukimi dhe integrimi dinjitoz viktimës ose pasardhësve të tyre. Në Shqipëri, ka ndodhur e kundërta. Xhelatët si dje, si sot, jetojnë si pashallarë. Ndërsa viktimat zvarrisin këmbët me këpucë të grisura. Në fund, i blenë një kostum, dhe i varin një dekorate në qafë. Ndërsa figura e lartë shtetërore që i var dekoratën në qafë, atij, të dekoruarit i kërcasin zorrët nga uria ose pasiguria ekonomike për të nesërmen.
Ndaj, i bëj thirrje të gjitha viktimave të diktaturës hoxhiste të refuzojnë çdo lloj dekorate që ka si qëllim të përdhosë pa pikën e turpit vuajtjet e tyre çnjerëzore. Dekoratat, ashtu si ëmbëlsira, vijnë në fund. Në fillim, vjen ringjallja e drejtësisë. Mbas saj, pason integrimi dinjitoz i viktimës në shoqëri. Dhe në fund, vijnë dekoratat.
Shporruni pra, maskarenj dhe kriminelë me dekoratat e juaja! Edhe ju viktima, ndaloni të vettalleni duke pranuar dekorata fyese. Nëse nuk keni forcë dhe guxim mental për t’i vrarë ose protestuar ndaj xhelatëve të juaj, të paktën mos pranoni të dekoroheni prej tyre! Mania për t’u dekoruar vetëm se ju bën më qesharakë dhe tragjikë…
17 dhjetor, 2015, Amsterdam,