Home KRYESORE Shuplaka e Lu-së, Ora e Ballkanit dhe Kyçi i Drejtësisë!

Shuplaka e Lu-së, Ora e Ballkanit dhe Kyçi i Drejtësisë!

Nga Kreshnik Osmani

Shuplaka e z.Lu drejtuar sistemit shqiptar të drejtësisë, më shumë se një kritikë diplomatike e ashpër, ishte një “çok” i fortë mu në kockën e kyçit të sistemit, aty ku atij i dhemb më shumë.

Ambasadori ka kohë që u bie me çoka në kokë, por kokat e shumë prej “kokave” të këtij vendi kanë aq shumë “cepa” sa nuk mund të kuptohet thjeshtë, cili cep i kokës u dhemb më shumë. Simbolika e kyçit në këtë rast duket se përfaqëson simbolikën e sistemit në tërësinë e tij. Ashtu si kyçi i dorës që e ndihmon dorën të lëvizë në të gjitha drejtimet, ashtu edhe sistemi i drejtësisë përfaqëson kyçin e “infektuar” përgjegjës për funksionimin dhe orientimin e të gjithë sistemit politik, mbi të cilin është ndërtuar Shteti Shqiptar.

Pra, kemi të bëjmë me një përzgjedhje shumë të kalibruar të terminologjisë, në një komunikim diplomatik ashpërsisht profesionist dhe profesionalisht të ashpër. Ambasadori Lu, mund ta kishte krahasuar çmimin e lartë të orave te zyrtarëve hajdutë të drejtësisë, me çdo lloj shtrenjturine tjetër, që ka çmim të lartë, por çuditërisht, zgjodhi t’i krahasojë ato me çmimin e makinës së tij.

Makina e një diplomati, aq më tepër, të shtetit më të rëndësishëm të globit, përfaqëson autoritetin e Shtetit, sigurinë e personalitetit, komoditetin, prezantimin e zyrtarit perfaqesues. Këtu lind një “xhelozi” legjitime.

Diplomati i shtetit më të rëndësishëm në botë, me gjithë privilegjet e mirëkontrolluara prej shtetit të tij, mund të ndihet në pavetëdijen e tij, herë pas here inferior, përballë ndonjë provinciali shqiptar, miliarder me fytyrë e mimika hileqare, plotësisht anonim e tinzar, që përveç një kursi disamujor drejtësie në Plepa të Durresit, nuk ka asnjë meritë tjetër, dhe mund të ketë mbërritur majat, me lloj lloj marifetesh të ndyra Shqipërie.

Kjo shkakton natyrshëm zemëratë dhe zhgënjim. Në fakt, edhe pse voltazhi i deklaratave të një diplomati, është përgjithësisht i çliruar prej zemëratave personale, në këtë rast ai shpreh jo pa vetëdije, një ulërimë kapitaliste amerikane ndaj grykësisë provinciale shqiptare, që e ndërton kapitalin mbi një ngrehinë të stërmadhe vuajtjesh njerëzore të rracës së vet, si dhe ndaj mbajtjes peng të sistemit politik të vëndit të rëndësishëm, të varfër dhe të prapambetur, aleat strategjik.

Amerikanët e goditën fort sistemin politik, mu në “kyç”, sepse kjo klasë politike dhe kjo drejtësi e krimbur në korrupsion, po godet edhe reputacionin e SHBA-ve ndër shqiptarët, të cilët për çdo kundravajtje të klasës së poshtër politike shqiptare, gjejnë gjysmën e fajit tek “Rruga e Elbasanit” pa bekimin e të cilës, askush në kÄ“të vend nuk mund të bëjë përpjetë.

Të paktën ky është perceptimi publik. Ky është një rol që ata e kanë marrë vullnetarisht, vetë. Pra, edhe nëse hipotetikisht atyre nuk u dhimbsen fare shqiptarët, ata nuk mund të lejojnë të goditet një investim për një aleancë strategjike me këtë popull, aleancë që është ngjizur me dëshirën e përbashkët dhe është ndërtuar mbi interesat e të dyja palëve dhe për të cilën më shumë se shqiptarët, ata përkujdesen vetë.

Goditja tjetër e diplomatit shqipfolës, nuk m’u duk strategjikisht e lidhur me orat që mbanin mbi kyçe, zyrtarët e korruptuar hajdutë, sepse ai mund të përmendte pasuritë e tyre të mëdha, depozitat bankare jashtë vendit që i tejkalojnë vlerat e orave të tyre dhjetëra herë. Ora ka simbolikën e saj të madhe.

Në një Ballkan të trazuar, të mbuluar prej mjegullnajës gjeopolitike. Në një Kosovë të destabilizuar, me opozitë të arrestuar, që nxjerr tym nga parlamenti çdo ditë. Në një rajon të destabilizuar ku Rusia kërkon Adriatikun, sjell trupat në Preshevë dhe serbët fitojnë terren ndaj shqiptarëve në BE çdo ditë.

Në një Maqedoni ku shqiptarët humbin terren çdo ditë ndaj faktorit sllavo-maqedon, ora në deklaratën e ambasadorit ka vetëm një simbolikë. Shqiptarët nuk kanë më kohë – është simbolika -. Kush do të kuptojë duhet të lëvizë, dhe kush nuk kupton do ta “paralizojmë” me burg. Duket sikur thonë, planet tona askush nuk mund t’i prishë!!!

Share: