Në kuadër të 25 vjetorit të lirisë së besimit në vendin tonë, sot Departamenti i Shkencave Islame në Universitetin Bedër, në bashkëpunim me Seminarin Ndërdioqezian, Shkodër dhe Akademinë Teologjike Orthodhokse, Durrës, organizuan simpoziumin e parë ndërfetar mes tre shkollave teologjike, myslimane, ortodokse dhe katolike, me temë: “Liria e besimit dhe dialogu ndërfetar në Shqipëri”.
Si moderator i këtij simpoziumi, Rektori i Universitetit Bedër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, pasi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre, theksoi se ky institucion ka zhvilluar me dhjetëra konferenca, seminare, workshope etj, ka pritur me mijëra njerëz ndoshta, por aktiviteti i sotëm ka një kuptim të veçantë dhe rëndësi të lartë në llojin e tij.
Ndërsa Atë Mario Imperatori në fjalën e tij përshëndetëse, pasi bëri një rezyme të historisë dhe arritjeve të deritanishme të kishës katolike në aspektin e dialogut ndërfetar, theksoi se, çdo njeri ka të drejtë ta kërkoje Zotin lirisht, pavarësisht fesë ndërmjet të cilës e kërkon atë dhe është pikërisht është ky fakt, ai i cili na shtyn të respektojmë të drejtat religjioze të tjetrit.
“Me qëllim zhvillimin e mëtejshëm të dialogut ndërfetar në Shqipëri, ne do të vijojmë me organizimin e përbashkët të të tilla aktiviteteve, ashtu siç kemi bërë deri më tani.”- tha ai në përfundim të fjalës së tij.
Më pas ka vijuar z. Vlash Plepi nga Akademia Teologjike Orthodhokse, i cili ndau me të pranishmit rëndësinë e bashkekzistencës paqësore, duke sjellë në fokus të diskutimit shembuj të shumtë nga historia e përbashkët fetare e vendit tonë.
“Është e domosdoshme të gjejmë një shteg mes ekstremeve, e kjo gjë bëhet vetëm duke dialoguar, ky i fundit nuk është asgjë tjetër veçse njohje e tjetrit duke pranuar fenë e tij siç është ajo në të vërtetë dhe jo si duam ne të jetë”- përfundoi ai.
Ndërsa Dr. Genti Kruja, pedagog në Departamentin e Shkencave Islame në Universitetin Bedër dhe Drejtor i Kulturës dhe Dialogut Ndërfetar në KMSH, vuri theksin mbi rëndësinë e përkufizimit të lirisë së besimit në Islam, duke trajtuar shembuj të shumtë Kur’ani dhe tradita profetike.
“Liria që pranon dhe njeh Islami, është liria e arsyes, liria e dijes dhe arsimit, liria e mendimit dhe fjalës, liria e besimit. Këto janë liritë thelbësore, mbi të cilat bazohet jeta mbi tokë. Ne jemi të lirë të bashkëpunojmë, por pa i bërë keq askujt. Ne jemi të lirë të kemi pronat dhe pasuritë tona, por në respekt të plotë të pasurive dhe pronave të të tjerëve, pa i shkaktuar dëm as vetes dhe as tjetrit”- tha ndër të tjera ai.
Ndërsa ne te Medias raportojmë pa fund për akte terroriste dhe implikimin e disa shqiptareve ne to, ne këtë konference shume te rëndësishme e pranishme nga te gjitha Mediat ishte vetëm Revista Elektronike Perqasje.com e cila do ti ndjeke ne vazhdimësi këto aktivitete shume te nevojshme dhe plotësisht te domosdoshme për tia bere me dije opinionit publik i cili është bombarduar nga lajmet e dhunës dhe shume pak ato te Paqes edhe pse këto te fundit nuk janë te rralla!