Home KRYESORE Të drejtat e njeriut përbëjnë thelbin e sigurisë gjithëpërfshirëse.

Të drejtat e njeriut përbëjnë thelbin e sigurisë gjithëpërfshirëse.

Nga ambasadori Florian Raunig, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri

Tashmë pranohet gjerësisht se të drejtat e njeriut janë thelbësore për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit dhe për promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm. Pranimi i këtij fakti i detyrohet në mënyrë domethënëse OSBE-së, e cila u themelua mbi idenë se siguria e vërtetë është gjithëpërfshirëse, bashkëpunuese dhe e pandashme. Ajo është më shumë se liri nga lufta; ajo kërkon respekt për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, mirëqenie ekonomike dhe mjedis të shëndetshëm. Mjedisi i sigurt është i nevojshëm për mbrojtjen e plotë të të drejtave të njeriut. Për këtë arsye, përveç programeve përkushtuar trajtimit të të drejtave të njeriut, OSBE-ja investon shumë në reformën e sektorit të sigurisë. Kjo është edhe arsyeja pse kemi krijuar partneritet të ngushtë me institucionet shqiptare të sektorit të sigurisë, të tilla si Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Punëve të Brendshme.

Akti Përfundimtar i Helsinkit, miratuar para 40 vjetësh, ishte i pari dokument i llojit të tij për lidhjen e qartë të sigurisë brenda shteteve me sigurinë midis shteteve. Kjo ishte një ide revolucionare, por që u nënvlerësua nga një pjesë e madhe e palëve që negociuan dhe komentuan në atë kohë. Më 1975, Enver Hoxha u shpreh për të si “një dokument prej 200 faqesh, që nuk thotë asgjë. Në të, askush nuk përkushtohet për asgjë.” E megjithatë, Akti Përfundimtar i Helsinkit nisi një proces që kontribuoi në rënien e diktaturave në Evropë, si edhe në rënien e regjimit totalitar në Shqipëri.

Ky Akt kapërceu ndarjen ideologjike ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, bazuar në rënien dakord mbi një sërë parimesh dhe vlerash që qeverisnin sjelljen e Shteteve kundrejt qytetarëve të tyre, si edhe kundrejt njëri-tjetrit. Ndër këto parime e vlera përfshiheshin frenimi i përdorimit të forcës, zgjidhja paqësore e mosmarrëveshjeve dhe respekti për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Këto parime e vlera janë themeli i sigurisë së vërtetë: themeli i demokracisë, begatisë dhe paqes.

Në samitin e OSBE-së në Astana, më 2010, Kryetarët e Shteteve ose Qeverive të vendeve pjesëmarrëse në OSBE-së përsëritën se “dinjiteti i qenësishëm i individit përbën thelbin e sigurisë gjithëpërfshirëse… se të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të patjetërsueshme, dhe se mbrojtja dhe promovimi i tyre është përgjegjësia jonë e parë.” Këto fjalë duhet të ndiqen nga veprat.

Nëse duam të kemi sukses, përgjigjet tona duhet të jenë gjithëpërfshirëse, njësoj si sfidat që hasim. Kjo do të thotë se kërcënimet e ndërlikuara për sigurinë, të tilla si terrorizmi ose krimi i organizuar, nuk mund të trajtohen vetëm me mjetet e zbatimit të ligjit. Për më tepër, kërcënime të tilla nuk mund të minimizohen duke shkelur të drejtat ose liritë themelore të njeriut. Me kalimin e kohës, shkelje të tilla vetëm sa do të rrisnin gjendjen tonë të cenueshme ndaj kërcënimeve. Gjithashtu, ato do të zvogëlojnë aftësinë tonë për të krijuar partneritetet e nevojshme për t’iu përgjigjur në mënyrën e duhur kërcënimeve të tilla.

Sulmet e fundit në Paris, në qiellin e Sinait dhe në Bejrut janë një kujtesë në kohën e duhur për të gjithë ne. Ato nxjerrin në pah nevojën për një qasje tërësore ndaj sigurisë, të mbështetur nga bashkëpunimi efektiv kombëtar dhe ndërkombëtar ndërmjet sektorit të sigurisë, institucioneve publike, komunitetit të biznesit dhe publikut.

Siguria dhe stabiliteti i vërtetë nuk mund të arrihen kurrë duke theksuar vetëm një dimension të sigurisë në kurriz të një dimensioni tjetër të saj. Një vend mund të lulëzojë vetëm nëse të tre dimensionet, politiko-ushtarak, ekonomiko-mjedisor dhe njerëzor, janë të ekuilibruara. Vetëm atëherë kur një vend zhvillon qëllime dhe vlera të përbashkëta e gjithëpërfshirëse, të gjithë elementet e tij ”“ qeveria, opozita dhe shoqëria civile ”“ mund të kontribuojnë për përparim, në dobi të të gjithë njerëzve.

Share: