Home KRYESORE Te Noeli, mes artit të një qoshku në Tiranë

Te Noeli, mes artit të një qoshku në Tiranë

Nga Luela Myftari

Është hapur që në Krishtlindjen e vitit 1994 nga një çift që sapo ishte kthyer nga emigracioni në Greqi. Data e krishtlindjeve shpjegon edhe emrin e vendit. Sot “Noelin” e prezantojmë edhe për vetë artistët që e frekuentojnë aty e që ndoshta nuk e dinë historinë e këtij vendi.

“Noel” është një ndër vendet më të këndshme dhe më artistike që gjen në Tiranë për të konsumuar një gotë verë apo një vakt të shëndetshëm. Ndodhet përballë kalasë së Tiranës, pranë Teatrit Kombëtar dhe Kinemasë “Millenium”. Në mesditë dhe gjatë orëve të mbrëmjes këtë qoshk e gjen të mbushur me artistë nga bota e kinemasë, teatrit.

Miri dhe Maja, të zotët, menaxherët dhe kujdestarët e këtij ambienti na tregojnë se e krijuan “Noelin” pa pasur një “plan rregullimi”. Asnjë arkitekt, asnjë matje, përllogaritje apo projekt ndërtimi. Fatmir Çashku kishte ardhur nga Greqia vetëm me një ide: të punojë në lokalin që do të ndërtonte vetë.

Banaku i “Noelit” është ndërtuar me tulla të kuqe e të vjetra. Për të siguruar këto tulla Mirit i është dashur të vizitojë shtëpitë e vjetra tiranase për të bërë kompromise të tipit: Ju jap tulla të reja, më jepni ato të vjetrat. Sot, ai banak është fillesa e gjithçkaje për Mirin. Dashuria e tij për enët e vjetra prej bakri, radiot që vijnë prej viteve të para të shekullit të kaluar dhe raftet prej druri do të pasqyroheshin patjetër në vendin ku Miri dhe shoqja e tij e jetës, Maja do të kalonin pjesën më të mirë të ditës së tyre. Numërojmë dymbëdhjetë radio të vjetra dhe dymbëdhjetë tavolina. Në mure ka rafte, të gjitha prej druri, njëlloj si edhe karriget e tavolinat. Në rafte ndodhen enë të vjetra kuzhine. Njëri nga raftet ka libra, midis të cilave ndodhet edhe përkthimi i fundit i Robert Schwartz-it (1932-2003), dikur një prej njerëzve e vizitorëve më të shpeshtë dhe më të rëndësishëm të “Noelit”. Muzika e qetë përcillet me volum të ulët, sepse kjo, sipas Mirit, përcakton edhe gjendjen e klientëve. “Nëse do të ofrojmë muzikë me volum të lartë, klientët do të fillojnë të flasin me zë të lartë dhe kjo është një gjendje jo e këndshme për personat që ndodhen pranë tyre. Madje, muzika e lartë dhe tonaliteti i lartë i zërit të klientëve çojnë në tendosjen e nervave”, na tregon Miri kur e pyesim nëse muzika është gjithmonë kaq e qetë. “Noeli” tashmë është bërë vendi ku aktorët e teatrit dhe kinemasë mblidhen pas çdo shfaqjeje për të uruar njëri-tjetrin po aq edhe për ta përfolur njëri-tjetrin. Të gjithë i njohin të gjithë, të gjithë përshëndeten dhe komentojnë përmes dollive sukseset dhe dështimet e spektakleve. Një lloj medie orale për artin dhe kulturën, por që llogarit prapaskenat. Gjithçka ndodh në një ambient të ndriçuar ngrohtësisht.

Miri dhe Maja e nisin ditën që herët. Ata janë të vetëm në gjithë këtë punë. Në mëngjes u duhet të përgatisin ambientin për ditën që sapo ka nisur. Para mesditës “Noeli” ka hapur dyert për të mirëpritur ata që duan të konsumojnë diçka.

Të vetëm, ata kanë mirëpritur, gatuar dhe përcjellë për tetëmbëdhjetë vjet njerëzit e shfaqjeve teatrale, regjisorët, fotografët dhe mjaft artistë shqiptarë e të huaj. Ata e dinë se çfarë do të porosisë personi që sapo ka kaluar pragun. Shumica prej tyre dëshirojnë të konsumojnë verë. Të premteve dhe të shtunave ata qëndrojnë deri në të gdhirë. “Pas shfaqjeve teatrale, të gjithë aktorët mblidhen këtu. Krijojmë çdo fundjavë një ambient kokteji, ku dëgjon vetëm urime dhe trokitje gotash”, na tregon Miri kur e pyesim për organizimet që ofron “Noeli”. Sigurisht që lodhet, por ndihet mirë që ka mundësi t’u ofrojë këtyre njerëzve ngrohtësinë dhe gotat për të përgëzuar njëri-tjetrin. “Noeli”, shpeshherë, ka shërbyer edhe si ambient për të realizuar skena filmi, një set fotografik apo për të xhiruar pjesët e ndonjë interviste televizive. As Miri dhe as Maja nuk ndihen të bezdisur nga kjo kërkesë që vjen herë pas herë

Një gotë verë në shoqërinë e portreteve të artistëve shqiptarë e të huaj, takim me Marubin dhe të tjerë

Mure të veshur foto nga kinemaja e ndaluar

luela-noel (1)Që në hyrje mund të vësh re që nuk je i rrethuar nga mure të lyer e të bardhë, por nga fotografi. Dhe jo fotografi dosido, por foto artistike dhe portrete njerëzish të suksesshëm. I gjithë vendi është i pushtuar nga foto që i përkasin kinematografisë dhe artit fotografik. Aty gjen portretet e një bote të tërë kinematografike, skena filmash dhe portrete aktorësh: Marlon Brando dhe Anthony Quinn, Anna Magnani dhe Toto, Greta Garbo dhe Catherine Deneuve… po edhe Sandër Prosi e Kadri Roshi, Vangjush Furxhi e Agim Qirjaqi, Margarira Xhepa e Roza Anagnosti, Arta Dobroshi e Luli Bitri.

Idenë e parë për të vendosur fotografi në muret e “Noelit” e ka hedhur vëllai i Mirit, Kujtim Çashku. Ai i ka dhënë “Noelit” fotografitë e një bote të tërë kinematografike që për një kohë të gjatë që kaloi Shqipëria nën diktaturë ishte një botë e ndaluar. Kujtim Çashku, një ndër regjisorët më në zë të kinematografisë shqiptare kontribuoi në atë që sot mund të quhet arsenali fotografik i historisë së kinemasë së ndaluar në muret e Noelit: kinemaja pa zë, te meshtarët e revolucionit kinematografik në Rusi, Amerikë, Itali, Francë, Gjermani, Danimarkë, Suedi, Kinë e Japoni, po edhe në Ballkan.

Miri na tregoi se fotot e para që janë vendosur në muret e “Noelit” janë fotot e Kel Marubit, një pionier i fotografisë shqiptare. Me fotot e tij, sot është krijuar “Cepi i Marubit”, ai që jo të gjithë që e frekuentojnë “Noelin” e njohin këtë qoshk. Me kalimin e viteve janë mbushur të gjitha hapësirat e mureve. Fotografia e fundit u vendos jo në mur, por në një kolonë të lokalit. Ajo është një foto bardh e zi, ashtu siç janë shumica e fotove të ngjitura në këto mure. Atë e solli mbrëmë një prej vizitorëve më të shpeshtë të këtij vendi.

Këndi “Schwartz”

Robert Schwartz nuk jeton më, por kujtimi i tij te “Noeli” është i gjallë. Një prej tavolinave të “Noelit” është identifikuar me praninë e tij. Ai ulej ngjitur me raftin e librave. Pija e tij e preferuar ishte “Kalvadosi”, ashtu si Raviku, personazhi i “Harkut të triumfit” që Schwartz-i na e ka sjellë në shqip. Gjithmonë kishte përpara letra, stilografin. Për Mirin dhe Majën Robert Schwartz do të mbetet një nga personalitetet më të shndritshëm që kalonte pranë tyre orë të tëra. Aq i sertë dhe serioz sa ishte gjatë kohës kur punonte, aq edhe sens të mirë humori ofronte kur ndihej se kishte bërë një punë të mirë. Në raftin e librave gjejmë edhe librin e fundit që ai përktheu “Eksodi” i Leon Uris. Familjarët e tij vazhdojnë ende të ulen në tavolinën e tij.

Share: