Home KRYESORE “Vesi” i burrit, Jam Pro Rita Petros!

“Vesi” i burrit, Jam Pro Rita Petros!

Nga Flutura Acka

Shumë miq më kërkuan këto ditë se përse nuk po thoja asnjë fjalë për debatin e fundit mbi letërsinë erotike në Shqipëri. E para, nuk e kam ndjekur debatin të gjithin, por padyshim jam pro Rita Petros. E dyta, ku është përcaktuar se çfarë është dhe çfarë nuk është poezi? Poezia dhe letërsia janë si kozmosi, të pafund. E treta, çmimet shqiptare, janë vlerësime shqiptare, në të shumtën e tyre të pasakta dhe shpesh të përfolura, edhe kur janë të drejta. Një mekanizën që e kam vuajtur dhe e njoh mirë. Por për miqtë e mi, si përshëndetje për fundjavë, po risjell këtë poezi të vitit 2006, që një mikeshë e poezisë e publikoi në faqen e vet këto ditë. Zahmet edhe për ca shefica të “klubit të miqve” të letërsisë që ta lexojnë, të cilave, për fat të keq, edhe vrimat e syve u kanë zënë lesh.

“Vesi” i burrit

Më mori malli për “vesin”
e zakonshëm të burrit
mbi trupin tim,
të më zgjojë çlirim.
Në fund të humbjes së arsyes
kur koha t’i humbë vektorët me hapësirën
dhe kujtesa të jetë bërë shuk
në cep të kafkës,
të më thotë me zë shpirti:
Klith,
dua të ta dëgjoj rënkimin!
Më mori malli për “vesin”
e përveçëm të burri,
të më pushtojë
e të harrojë gjer tani
me trupat tanë çka ngjarë
dhe të më thotë sërish:
Sot të desha si kurrë më parë!
Se jemi njerëz
dhe njeriu ka nevojë për njerëzoren;
se kemi arsye
dhe shpesh arsyet verbohen.
Më mori malli për “vesin” e burrit,
të burrit që dua
dhe e kërkon “vesin” pa drojë në mua.
Tiranë 2006

Share: